Shëndeti

AstraZeneca, lidhja e mundshme me mpiksjen e gjakut dhe shenjat pas vaksinës që s'duhen neglizhuar

AstraZeneca, lidhja e mundshme me mpiksjen e gjakut dhe shenjat pas

Ka filluar një studim i thelluar në disa vende për të zbuluar rastet e llojit të rrallë të mpiksjes së gjakut që janë të lidhura me vaksinën e koronavirusit, AstraZeneca. Lidhja mes vaksinës dhe këtyre mpiksjeve të rralla - të njohura si CVST - nuk është provuar ende, por ekspertët thonë se provat po dalin në dritë hap pas hapi.

Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI) në Britani rekomandoi një ditë më parë që njerëzve të shëndetshëm nën 30 vjeç t'u ofrohet një vaksinë tjetër dhe jo AstraZeneca.

Por çfarë është mpiksja e rrallë e gjakut, CVST?

CVST është një trombozë e sinusit venoz cerebral. E thënë thjesht është një mpiksje gjaku në një venë të madhe në tru. Gjaku normalisht qarkullon nëpër vena nga truri e kthehet përsëri në zemër.

Mpiksja e gjakut e llojit CVST mund të bllokojë rrjedhën e gjakut në tru, duke ulur kështu furnizimin me oksigjen dhe duke shkaktuar dëmtime potenciale, si ndalimi i funksionit të sistemit nervor qendror.

Mpiksje të rralla janë raportuar gjithashtu në zona të tjera, të tilla si venat e mëdha në bark, dhe kjo ka ndodhur edhe pse shumë rrallë tek njerëz që kanë marrë vaksinën e Oxford-AstraZeneca dhe në disa raste, u ka ndodhur në disa arterie (enët që mbartin gjak nga zemra në organe).

Por pse ndodhin mpiksjet?

Askush nuk mund ta thotë me saktësi, por ka disa faktorë. Në rastet e CVST, u zbulua se të gjithë pacientët kishin numër të ulët të trombociteve të cilat janë qelizat e gjakut që normalisht ndihmojnë në riparimin e gjakderdhjes në trup.

Tek pacientët u zbulua gjithashtu se kishin një antitrup të veçantë, një proteinë imune që shpesh ndihmon në luftën kundër infeksionit, në gjakun e tyre që aktivizon trombocitet.

Antitrupi bën që trombocitet të grumbullohen gabimisht së bashku dhe të formojnë mpiksje, dhe nga ana tjetër aktivizon pjesë të tjera të sistemit të mpiksjes.

Një kombinim i mpiksjes dhe trombociteve të ulëta është një nga ngjarjet metabolike që mjekët po përpiqen të deshifrojnë. Megjithatë, ka shumë më tepër që duhet kuptuar në lidhje me procesin.

Si mund të kuptohet nëse ka një problem të tillë apo rrezik nga mpiksja e gjakut?

Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI) në Britani ka lëshuar udhëzuesin ku tregon se kushdo që ka ndonjë nga simptomat e mëposhtme katër ditë ose më shumë pasi ka bërë vaksinën, duhet të kërkojë ndihmë të shpejtë mjekësore:

-Një dhimbje koke e fortë, e vazhdueshme

-Shikim i turbullt

-Gulçim

-Dhimbje kraharori

-Enjtje në këmbë

AstraZeneca, lidhja e mundshme me mpiksjen e gjakut dhe shenjat pas

-Dhimbje të vazhdueshme në stomak / bark

-Mavijosje të pazakontë ose pika të kuqe / vjollcë të përtej vendit të injektimit ku bëhet vaksina

AstraZeneca, lidhja e mundshme me mpiksjen e gjakut dhe shenjat pas

-Simptoma neurologjike si dobësi në këmbë ose kriza.

Sa kohë pas vaksinës shfaqen mpiksjet?

Shumica e rasteve janë parë midis katër ditësh dhe disa javësh.

Ekspertët mjekësorë në Britani thonë që mjekët duhet ta konsiderojnë këtë gjendje të rrallë si një diagnozë tek kushdo që ka simptoma të tilla deri në një muaj pasi të ketë bërë vaksinën.

Sa të rralla janë mpiksjet?

Sipas rregullatorit mjekësor të Britanisë, janë identifikuar 79 raste dhe 19 prej tyre kanë vdekur. Kjo shifër përkon nga një total prej më shumë se 20 milion dozash të vaksinës AstraZeneca të cilat janë injektuar tek britanikët.

Nga informacioni aktual rreziku i përgjithshëm i këtyre llojeve të mpiksjeve pas një vaksine vlerësohet të jetë një në 250,000. Megjithëse është ende i rrallë, ky rrezik duket se rritet tek të rinjtë.

JCVI ka vendosur që duke pasur parasysh se njerëzit e shëndetshëm nën 30 vjeç rrezikojnë më pak të sëmuren rëndë nga Covid, ekuilibri i rreziqeve dhe përfitimeve do të thotë që atyre duhet t'u ofrohet një vaksinë ndryshe.

Ekspertët e kanë të qartë se për shumicën dërrmuese të njerëzve përfitimet e vaksinës tejkalojnë shumë rreziqet.

A mund të kurohen mpiksjet?

Në përgjithësi, sa më shpejt të identifikohen rastet, aq më mirë është për pacientin. Trajtimi mund të përfshijë një numër ilaçesh dhe përfshin imunoglobulinat apo proteina imune. Disa pacientë trajtohen me hollues të gjakut. Sipas specialistit të gjakut, të dhënat aktuale tregojnë se 75% e të prekurve mbijetojnë.

A janë të lidhura vaksinat e tjera të Covid me mpiksjen?

Ka pasur disa raste me Pfizer dhe një rast gjatë provës klinike të vaksinës Janssen, por sipas ekspertëteve: "Ato janë jashtëzakonisht të rralla dhe prandaj është e vështirë të vendosësh nëse janë shkaktuar nga vaksina ose jo ".

Ata shtojnë se nëse vërtetohet një lidhje e mpiksjes së gjakut me vaksinën AstraZeneca, shkencëtarët do duhet të shohin me detaje vaksinat e tjera si Janssen të cilat janë disi të ngjashme në krijim.

*Përkthyer nga Tiranapost.al.