Shëndeti

Covid-19 krijon probleme neurologjike edhe te personat e infektuar lehtë, çrregullimet dhe trajtimi

Covid-19 krijon probleme neurologjike edhe te personat e infektuar lehtë,
Mjeku neurolog, Genci Çakçiri, pohoi se pandemia e Covid-19 ka krijuar çrregullime të sistemit nervor te personat e prekur edhe pas disa javësh nga infektimi. Ai tha se në rutinën e përditshme të punës ka vërejtur se, Covid-19 shkakton encefalite (apo përhapje e infeksionit në tru), mielite (përhapje e infeksionit në palcën kurrizore), dëmtime të nervave periferike, çrregullime konjitive etj.

Shpesh këto komplikacione janë të rënda dhe me rrezik të lartë për jetën dhe mund të ndodhin edhe kur infeksioni nga Covid-19 ka kaluar lehtë dhe pa probleme, tha mjeku. Pasojat më të shpeshta neurologjike që janë raportuar janë gjendjet konfuzionale (23.8%), dhimbjet e kokës (8%), çrregullimet e nuhatjes dhe të shijes (11%), çrregullimet e kujtesës (18.6%) dhe të funksioneve të tjera konjiktive, shpjegoi mjeku, sipas të cilit moshat e vjetra janë edhe më të prekurat.

Doktor, ka të dhëna ndërkombëtare, por edhe nga vendi se, Covid-19 e godet sistemin nervor, duke lënë shpesh edhe pasoja afatgjata në shëndetin e personave të prekur. Nga përvoja juaj, a e keni vënë re këtë tendencë?

Së pari, duhet bërë një dallim midis pasojave të hershme dhe të vonshme që mund sjellë Covid-19 në sistemin nervor. Pasojat e hershme janë ato që ndodhin gjatë infeksionit me Covid, ose ato që ndodhin menjëherë pas kalimit të infeksionit. Këto janë sigurisht më të studiuara dhe janë raste që i shohim shpesh në praktikën e përditshme klinike.

Bëhet fjalë për sëmundje cerebrovaskulare, encefalite (apo përhapje e infeksionit në tru), mielite (përhapje e infeksionit në palcën kurrizore), dëmtime të nervave periferike, çrregullime konjitive etj. Shpesh këto komplikacione janë të rënda dhe me rrezik të lartë për jetën dhe mund të ndodhin edhe kur infeksioni nga Covid-19 ka kaluar lehtë dhe pa probleme.

Ndërkohë që pasojat e vonshme janë ato simptoma që zgjasin mbi 12 javë pas infeksionit me Covid 19 dhe shpesh mund të shfaqen edhe kur kanë kaluar disa javë nga infeksioni. Pasojat më të shpeshta neurologjike të raportuara janë gjendjet konfuzionale (23.8%), dhimbjet e kokës (8%), çrregullimet e nuhatjes dhe të shijes (11%), çrregullimet e kujtesës (18.6%) dhe të funksioneve të tjera konjitive, dhimbja muskuloskeletike dhe çrregullimet e lëvizshmërisë. Për këto komplikacione, të dhënat janë më të pakta pasi është një aspekt gjithnjë në evolucion, duke qenë se Covid vazhdon të jetë i pranishëm mes nesh.

Cilat grupmosha janë më të prekura dhe çfarë simptomash shfaqin?

Si për shumë sëmundje neurologjike, faktori moshë është ai që lidhet më tepër me shkallën e dëmtimit. Çrregullimet konjitive, gjendjet konfuzionale dhe sëmundjet cerebrovaskulare i gjejmë më shpesh në moshën e tretë, ndërsa çrregullimet e nuhatjes dhe shijes, prekja e nervave periferike dhe muskulare hasen shpesh edhe në moshat e reja.

Ndër shfaqjet klinike më të papritura kanë qenë çrregullimet konjitive me ecuri shumë të shpejtë tek të moshuarit. Kemi pasur pacientë që 1-2 muaj pas infeksionit me Covid-19 kanë shfaqur një tablo klinike të ngjashme me atë që hasim te një i sëmurë me demencë prej 4-5 vitesh.

Sa kohë zgjat rikuperimi i sistemit nervor në rastet dëmtimi?

Kjo varet nga shumë faktorë si p.sh., mosha, shkalla e dëmtimit nga infeksioni, kushtet sociale dhe gjendja psikologjike e pacientëve. Shumë nga këto diagnoza dhe komplikacione janë në fazë studimore dhe afatet e rikuperimit nuk janë ende të përcaktuara, por duhet thënë që disa pacientë kanë simptoma që vijojnë edhe një vit pas infeksionit.

A po krijohet një barrë e re nga Covid-19 në sektorin shëndetësor që merret me trajtimin e sistemit nervor?

Për momentin, nuk është parë një fluks tejmase i shtuar në praktikën tonë të përditshme. Sigurisht, kemi më tepër raste nga ato që përmenda më lart, por nga ana tjetër, gjatë gjithë periudhës së pandemisë, ka pasur një pakësim të vizitave ambulatore, kjo për shkak të “frikës” së njerëzve nga ambientet spitalore, si vende ku kontakti me Covid-in mund të jetë më i lartë. Megjithatë, mendoj se këto pasoja afatgjatë mund të fillojnë t’i drejtojnë njerëzit gjithnjë e më shumë tek specialistët neurologë dhe psikiatër.

Çfarë këshilloni për pacientet e prekur? Si mund të rikuperohen me shpejt?

E para është stili i jetesës; një jetë sa më aktive, me ushqim të shëndetshëm, larg situatave stresante mund të ndikojnë pozitivisht në kalimin e simptomave neurologjike post-Covid.

Së dyti, trajtimi sa më i mirë i sëmundjeve kronike bashkëshoqëruese. Pacientët që vuajnë p.sh. nga Diabeti Mellitus, Hipertensioni arterial etj., kanë më tepër gjasa që të zhvillojnë komplikacione të hershme dhe të vonshme pas Covid-it

Dhe së fundi, mosneglizhimi i këtyre shenjave dhe konsultimi sa më i hershëm me mjekun e familjes dhe me mjekun specialist, do të sillte një trajtim të përshtatshëm që në fazat fillestare të këtyre sëmundjeve.

*Artikull i Monitor