Shëndeti

Çfarë është Eustresi dhe pesë arsye pse kemi nevojë për të

Çfarë është Eustresi dhe pesë arsye pse kemi

Stresi lidhet në të shumtën e rasteve me ankthin dhe mbilodhjen. Në fakt stresi i tepërt mund të jetë shkatërrues dhe një përvojë aspak e këndshme, por jo gjithmonë. Ekziston edhe një gjë e tillë si stresi pozitiv. Në terma shkencorë njihet si eustres, dhe në thelb është e njëjta gjë fizike si stresi, por me entuziazëm në vend të pesimizmit dhe nervozimit.

Është e ngjashme me ndjesinë kur je në ditën e dasmës, kur je pranë dikujt që dashuron ose pëlqen shumë, ose kur jeni gati të ndërmerrni një hap duke marrë parasysh të gjitha rreziqet.

Këto lloje reagimesh i përkesain stresit pozitiv dhe nuk është diçka që duhet shmangur. Gail Marra, një hipnoterapist klinik dhe autor i librit ‘Shëndeti, Pasuria dhe Hipnoza’ shpjegon se hormonet e prodhuara si pozitive dhe negative janë të njëjta.

Përgjigja jonë ndaj stresit, e njohur gjithashtu si ‘të përballesh ose të largohesh' është çelësi për mbijetesën tonë sepse pa të ne nuk do jetonim si qenie njerëzore.

‘Është një ndjesi e kuptueshme të kesh frikë nga stresi dhe të largohesh prej tij me çdo kusht. Por ndonjëherë thjesht riformulimi i këtyre ndjenjave si ekzaltimi mund të përbëjë një ndryshim thelbësor’.

Gail liston disa përfitime të vërteta stresi, të cilat njihen ndryshe si eustres:

1-Stresi na mban të motivuar: Nëse nuk ke stres, imagjino veten të relaksuar gjithë kohën. Nuk përjeton asnjë lloj ndjesie dhe nuk ke dëshirë të bësh asnjë hap, apo të marrësh një vendim që të shkakton emocione. Do ju pëlqente të qëndronit gjithë kohën të ngrirë në vend? Gail sqaron se stresi në vetvete është një thirrje për veprim.

2-Stresi mund të ndihmojë të zgjidhni problemet

Të pranosh se po përjeton stres mund të ndihmojë që të kapërceni situata më delikate, si dhe të merrni vendime më të mira. Imagjinoni një situatë që duhet zgjidhur. Si do ishte reagimi juaj pa stres? A do konsiderohej vërtetë problem?

‘Stresi na detyron të zgjidhim problemet. Kur jeni në një gjendje stresi, mendja juaj funksionon edhe përmes nën-ndërgjegjes. Truri angazhohet plotësisht në kërkim të zgjidhjeve’.

3-Stresi rrit vetëbesimin

Në planin afatgjatë, kalimi i një momenti stresues mund të rrisë vetëbesimin. Është e nevojshme të përjetosh stres për të kuptuar e për të bërë dallimet. Përmirësimi, angazhimi, nevoja për të ndryshuar diçka për mirë kalon përmes një faze stresuese.

4-Stresi mund t'ju ndihmojë të zhvilloni aftësi të reja

Vlen të theksohet se stresi i tepërt, i kthyer në gjendje kronike nuk është aspak i favorshëm për të mësuar apo për të arritur një synim. Por një stres i nivelit të pranueshëm mund të ndihmojë në përforcimin e ideve në mendjen tuaj. Përveç kësaj, pasi të keni kuptuar si të zgjidhni një çështje mes një situate stresuese, do jeni të aftë për ta superuar nëse ju ndodh një situatë tjetër e ngjashme.

5-Stresi pozitiv ndihmon shëndetin

Eksperti Gail thotë se stresi pozitiv mund të përmirësojë shëndetin. Të gjithë e dinë që stresi kronik është në kundërshtim me një gjendje të mirë shëndetësore, megjithatë kortizoli, një hormon tjetër që çlirohet kur jemi të stresuar, rrit nivelin e glukozës në qarkullimin e gjakut i cili nga ana tjetër ndihmon në riparimin e indeve, zvogëlimin e inflamacionit, rritjen e kujtesës, si dhe ndihmon në rregullimin e ekuilibrit mes kripës dhe ujit në trup, kjo e fundit ka funksionin e mbajtjes në normat e duhura të presionit të gjakut.

Të gjitha këto përfitime vijnë nëse stresin që përjetoni e mendoni si pozitive dhe jo si të dëmshme. E rëndësishme është që të arrini të kuptoni nivelet e stresit që po përjetoni, dhe të ndërmerrni hapa për të mos e kthyer atë në kronike: Moderimi është çelësi kur përballeni me stresin, këshillon eksperti.

*Artikulli i Metro, përkthyer dhe përshtatur në shqip nga Tiranapost.al.