Shëndeti

Ilaçi që është përdorur për Covid mund të shkaktojë probleme psikike!

Ilaçi që është përdorur për Covid mund të

Klorokina dhe hidroksiklorokina, është një nga ilaçet e përdorura, bazuar në protokollet për të trajtuar Covid, tek pacientët e sëmurë rëndë. Por tashmë një studim ka dalë në përfundimin se këto ilaçe mund të shkaktojnë shqetësime psikike dhe sjellje të lidhura me vetëvrasjen.

Paralajmërimi është bërë nga Agjencia Europiane e Barnave, bazuar tek shqyrtimi i të dhënave mbi efektet anësore të medikamenteve.

Rasti nisi të shqyrtohej që nga muaji maj, kur Agjencia Europiane e Barnave u informua nga autoritetet spanjolle për 6 raste të shqetësimeve psikike te pacientë me koronavirus, të cilëve iu ishin dhënë doza të hidroksiklorokinës më të larta se sa ato të autorizuara.

Ilaçi i përdorur kundër malarias u rekomandua edhe nga presidenti amerikan, Donald Trump, dhe mori autorizimin e Agjencisë së Ushqimeve dhe Barnave në SHBA.

Gjithashtu një studim i botuar në revistën mjekësore "Lancet" në maj, doli në përfundimin se rrit rrezikut e vdekjes së pacientëve me koronavirus. Studimi i cili vëzhgoi mbi 96 mijë pacientë të shtruar në spital me COVID-19, tregoi se ata që trajtoheshin me ilaçin, apo me klorokinën një ilaç i lidhur ngushtë me të, kishin rrezik më të lartë vdekjeje krahasuar me ata që nuk e kishin marrë këtë ilaç.

Autorët e studimit të botuar në revistën "Lancet" sugjeruan që ilaçi të mos përdoret për të trajtuar pacientët me COVID-19 përveçse në rastet kur ata janë pjesë e provave klinike, derisa të ketë rezultate në dispozicion që konfirmojnë sigurinë dhe efikasitetin e këtyre ilaçeve për pacientët me COVID-19. Autorët e studimit thanë se ata nuk mund ta konfirmojnë nëse marrja e ilaçit sjell ndonjë përfitim për pacientët me koronavirus.