Shëndeti

Katër këshilla nga psikologia: Si ta zbusim ankthin nga e panjohura që solli koronavirusi

Katër këshilla nga psikologia: Si ta zbusim ankthin nga e panjohura

Nga Lediona Braho, psikologe klinike

Koronavirusi është kthyer tashmë në një burim frike dhe shqetësimi për shumë prej nesh. Në fakt, po, jemi përballë një ngjarjeje të jashtëzakonshme, kërcënuese ndaj mirëqenies sonë. Përballë lajmeve për epideminë e re që duket se po kërcënon globin, edhe ne ndihemi të kërcënuar dhe të pafuqishëm. Arsyeja? Sepse biologjikisht jemi ndërtuar që t’i përgjigjemi me frikë të panjohurës, rrezikut dhe gjërave që nuk mund t’i kontrollojmë. Po, a na ndihmon një përgjigje e tillë dhe si mund ta ridrejtojmë atë si duhet, që të ndihemi më të qetë psikologjikisht?

Së pari, shumë informacion mund të bëjë dëm! Lajme, artikuj, blogje… Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj këtij lumi të pandalshëm informacioni mund të na rëndojë psikologjikisht. Dhe mendoni që, në jo pak raste, nuk ka informim, por keqinformim! E dini se përhapja e lajmeve false dhe këshillat e gabuara e përkeqësojnë gjendjen? Jo më larg se të premten që lamë pas, disa studiues britanikë, bënë një analizë për mënyrën sesi keqinformimi ndikon te përhapja e sëmundjeve të ndryshme dhe gjetën se, më pak lajme të rreme mund të ndihmonin deri në shpëtimin e jetëve.

Për koronavirusin e ri, ka patur shumë spekulime, keqinformim dhe lajme të rreme që kanë qarkulluar në internet për origjinën, shkaqet dhe përhapjen e tij. Ne dimë që informacionet negative përhapen më shpejt në rrjet sesa ato pozitive dhe se ato mund ta ndryshojnë negativisht sjelljen e njerëzve. Ndaj, nëse ne përfshihemi në një kërkim të pandërprerë, nëse gjurmojmë për shpjegime spekulative dhe bëjmë biseda online vazhdimisht, do të jemi më të prirur të marrim dhe të tjerrim informacioneve negative.

Thënë të gjitha këto, një nga mënyrat për të ruajtur qetësinë është mbështetja në fakte dhe burime të besueshme informacioni. Në këto raste ndihmon kufizimi i leximit të vazhdueshëm të lajmeve dhe shtimi i besimit te shkencëtarët dhe autoritetet, të cilët po punojnë fort për ta kuptuar më mirë virusin dhe për të gjetur mënyra për ta kufizuar atë. Nëse duam informacion, mirë është t’u referohemi të dhënave zyrtare nga autoritetet dhe nga qendrat ndërkombëtare të sëmundjeve. Lexojini informacionet me një sy kritik dhe filtrojini ato. Mendoni në fund të fundit sa shumë mund të fitojnë nga klikimet dhe shikueshmëria të gjitha mediat, të cilave, mund t’u interesojë më shumë frikësimi i njerëzve sesa qetësia dhe gjakftohtësia.

Së dyti, duhet të marrim masa për shëndetin tonë.

Ashtu si gripi, edhe koronavirusi mund të përhapet përmes prekjes, kollës ose teshtimës. Ndaj duhet të bëjmë kujdes me pastërtinë: të lajmë duart rregullisht dhe sa më mirë, duke përdorur ujë të ngrohtë dhe shumë sapun. Nëse jemi në lëvizje, të përdorim higjenizues për duart vazhdimisht. Sistemin imunitar duhet ta mbajmë të shëndetshëm, duke filluar nga një dietë e balancuar, gjumë i rregullt dhe ushtrime.

Së treti, nuk duhet ta zmadhojmë riskun.

Truri ynë, siç kam thënë dhe më lart, është mësuar të reagojë me alarm përballë ngjarjeve që perceptohen si të panjohura dhe të pakontrollueshme. Kjo është pjesë e reagimit instinktiv të trurit, që lidhet me mbijetesën. Gjërat e mëdha dhe të frikshme na tërheqin vëmendjen, ndërsa gjërat e vogla jo dhe aq. Për shembull, gripi i zakonshëm, vetëm këtë vit në Shtetet e Bashkuara, infektoi 15 milionë njerëz nga të cilët 8200 vdiqën, ndërsa koronavirusi, ka infektuar shumë më pak.

Së katërti, le të përdorim disa aftësi tonat përballuese që na ndihmojnë gjithmonë.

Pak rëndësi ka cili është burimi i ankthit! Nëse përdorim teknika që kemi përdorur në të shkuarën për të menaxhuar një situatë ankthioze, ato do të funksionojnë. Për shembull, dialogu i brendshëm: mendimet irracionale që na vijnë në mendje mund t’i përballojmë me përgjigje të bazuara në fakte. Nëse kjo nuk ndihmon, bëni biseda me familjarët dhe miqtë e besuar. Edhe meditimi dhe teknikat e tjera relaksuese (joga, frymemarrja, relaksimi i muskujve) do t’ju ndihmojnë, si teknika tashmë të bazuara shkencërishr për përmirësimin e shëndetit mendor.

Po fëmijëve çfarë t’u themi?

Kujdesi për fëmijët duhet të jetë pjesë e masave të përgjithshme. Edhe fëmijët, si ne, janë të ekspozuar ndaj informacioneve të shumta. Ata informohen nga media, rrjetet sociale dhe bisedat me të rriturit. Ne duhet të kujdesemi që t’ua japim të saktë informacionin, t’ua shpjegojmë me kujdes situatën. Kërkimet tregojnë se vetëm duke qenë të hapur dhe të ndershëm me fëmijët, mund t’i ndihmojmë ata të përballen me situatat stresante. Ndaj, jepuni informacion fëmijëve, por mos i bombardoni! Dhe diçka: jeni të gatshëm për pyetjet e tyre (pasi mund të kenë shumë).

Në mbyllje, vlen të kujtojmë se, shpërthime të tilla virale mund të ndodhin në çdo kohë kudo në botë. E rëndësishme është të mirëinformohemi, të informohemi me masë, të kujdesemi për shëndetin tonë fizik dhe mendor dhe… në çdo rast nevoje apo dyshimi, të kërkojmë ndihmë te specialistët e shëndetit.

A mund të vijojmë me rutinën e përditshme sa më tepër të mundemi, natyrisht duke forcuar masat për mbrojtjen e shëndetit tonë dhe të familjarëve tanë? A mund të përmirësojmë zakonet e higjienës, pastrimit dhe të shmangim kontaktet me njerëz që mund të jenë sëmurë? A mund të përdorim maska në publik? Besoj janë gjëra që të gjithë mund t’i bëjmë për veten dhe të afërmit tanë.