Shëndeti

Kjo maskë kap Covidin dhe të njofton në telefon

Kjo maskë kap Covidin dhe të njofton në telefon

Imagjinoni pak: jeni duke qëndruar në një autobus, keni vënë një maskë në fytyrë dhe një alarm shfaqet në telefonin tuaj. Ju njofton se keni qenë në kontakt me dikë që ka Covid-19.

Po, kjo mund të ndodhë. Maska e prezantuar në revistën Matter mund të paralajmërojë përdoruesit nëse grimcat e virusit janë të pranishme në ajrin përreth. Maska me sensorë lidhet me telefonin. Kurse njoftimi i rrezikut në telefon, vjen pas 10 minutave.

Kjo është një zgjidhje e mirë jo që të shmangësh virusin, por të paktën të ndërpresësh zinxhirin e transmetimit. Nëse të vjen njoftimi, dhe je nisur për tek gjyshja, apo për në punë, kthehesh nga rruga.

Kjo maskë kap Covidin dhe të njofton në telefon

Autori i studimit Yin Fang, një shkencëtar në Universitetin e Shanghai Tongji, në Kinë, tha: “Hulumtimi i mëparshëm ka treguar se mbajtja e maskave në fytyrë mund të zvogëlojë rrezikun e përhapjes dhe kontraktimit të sëmundjes. Pra, ne donim të krijonim një maskë që mund të zbulojë praninë e virusit në ajër dhe të paralajmërojë përdoruesin.”

Kur shkencëtarët testuan maskën e re në një dhomë të mbyllur, sensori iu përgjigj vetëm 0.3 mikrolitra lëng që përmban proteina virale. Për ta kuptuar, kjo sasi është rreth 70 deri në 560 herë më pak se vëllimi i lëngut të prodhuar në një teshtitje dhe shumë më pak se vëllimi i prodhuar nga kollitja ose të folurit.

Maska funksiononte veçanërisht mirë në hapësirat me ventilim të dobët, siç janë ashensorët ose dhomat e mbyllura, ku rreziku për t'u infektuar është i lartë.

Aktualisht studiuesit janë ende duke punuar për të rritur ndjeshmërinë e kësaj maske dhe gamën e viruseve që mund të identifikojnë.