Shëndeti

Koronavirusi, si tërmeti. Mund të ketë pasgoditje

Koronavirusi, si tërmeti. Mund të ketë pasgoditje

Epidemiologu Ilir Alimehmeti, në një lidhje direkte me “Dita jonë” në A2, paraqiti tre mundësi: “Ka disa skenarë: në rastin më të keq do të vijë një valë e dytë, që do të jetë më e fortë sesa e para. Kjo, duke parë se çfarë ka ndodhur me viruset e tjera gjatë historisë. Në rastin më të mirë, virusi po dobësohet dhe nuk e ka më fuqinë e transmetimit te njeriu. Ka dhe skenarë të tjerë mesatarë, që, si në rastin e tërmetit, ka një goditje të fortë dhe pasgoditje më të lehta”, tha mjeku.

“Në Shqipëri nuk kemi pasur kurrë kurbë, por një plan të rrafshët. Luhatja e shifrave ditët e fundit erdhi si pasojë e dy vatrave që e ngritën shumë bilancin: një “call center” dhe një infermiere e papërgjegjshme, e cila ka infektuar një numër shumë të madh njerëzish, ndërkohë që kishte simptoma të qarta dhe ishte këshilluar që të qëndronte në shtëpi e izoluar. Në vend të izolimit, ajo takonte njerëz sipas dëshirës”, shpjegoi Alimehmeti.

Sipas tij, pavarësisht shifrave, virusi është dobësuar: “Në prill, kemi pasur më pak se 20% të rasteve aktive të shtruar në spital. Në maj, përqindja ka qenë më pak se 10%. Kjo tregon dobësim të virusit. Por, edhe pse është më i butë, prapë virusi mbetet mes nesh”.

Lajmi i mirë sipas tij është ardhja e verës, duke theksuar se stina e ngrohtë është aleati ynë kundër virusit dhe tregoi se plazhi është vend i sigurt: “Nuk ka asnjë provë që në det apo rërë të jetë gjetur gjurmë virusi. Të bllokosh plazhin dhe të lësh “call center”-in hapur është mungesë koherence në vendimmarrje”, tha Alimehmeti.