Shëndeti

Më Shumë Dashuri për Veten. Erjona Shehu: Produktet inovative po parandalojnë dëmet e viteve në lëkurë

Më Shumë Dashuri për Veten. Erjona Shehu: Produktet inovative po

Të gjithë duam të dukemi të rinj, të bukur dhe të freskët. Dhe për të qenë të tillë, lëkura luan një rol thelbësor - kujdesi ndaj të cilës është pjesë e rutinës së përditshme. Në vitet e fundit, teknologjia dhe shkenca janë bashkuar për të sjellë inovacione të suksesshme në botën e kujdesit të lëkurës. Produktet inovative po krijohen për të përmbushur nevojat e konsumatorëve dhe për të përmirësuar shëndetin dhe pamjen e lëkurës së tyre. Sot në çdo industri po shohim se si inovacioni po përsos produktet në reduktimin e dëmeve, sot kemi mundësinë të konsumojmë “decaf” ( kafe pa përmbajtje kafeje) në vend të kafes tradicionale, cigare pa tym të certifikuara në vend të cigareve tradicionale, solucione me përmbajtje bio/ekologjike etj. I njëjti kujdes, i njëjti inovacion edhe për kujdesin ndaj lëkurës.

Në vijim të fushatës ndërgjegjësuese “Më Shumë Dashuri për Veten” nga organizata KREO, dermatologia e njohur Erjona Shehu në një bisedë në lidhje me kujdesin për lëkurën sidomos në parandalimin e shenjave të moshës, thotë se produktet që reduktojnë dëmin në shëndet po zëvendësojnë me shpejtësi disa zakone të mëparshme në kujdesin që ne tregojmë për shëndetin.

“Mjekësia dermatologjike, sot është më aktive se kurrë! Përditë ne ndodhemi përpara produkteve të reja dermato farmakologjike. Thelbi i mekanizmit të veprimit të produkteve dermatologjike qëndron në parandalim. Kremërat e diellit po perfeksionohen jo vetëm në mbrojtjen karshi diellit, por dhe në hidratimin e saj dhe krijimin e përmbajtjeve anti age (kundra moshës). Gjithmonë e më shumë po tentohet përdorimi i përmbajtjeve vitaminike, aminoacide dhe acide natyrale. Rangjet e ndryshme të përqindjeve acidike, niveleve të acidit hyaluronic, ceramideve e proteinave, po kombinohen në perfeksion me qëllim që kushdo ta gjejë veten në linjat që ofrohen” shprehet Shehu.

Sipas saj nëse ka një perceptim që produket për lëkurën luftojnë moshën dhe të zbukurojnë, për dermatologët këto produkte parandalojnë dëmet që bëjnë vitet, ambienti i jashtëm dhe i brendshëm, stili ynë i jetesës, duke i reduktuar në maksimum dhe duke mundësuar mirëqenie dhe shëndet, për lëkurën e për pasojë për shëndetin tonë. “Nëse para pak kohësh flisnim për kremëra kundra diellit, tani kemi kremëra për përdorim pas diellit. Nëse më parë flitej vetëm për kremëra, tani flitet edhe për suplemente që merren nga goja, nëse më parë kishim vetëm trajtime mirëmbajtëse, tani kemi edhe trajtime e aparatura korrektive. Është një strukturë e tërë me mjete, profesionistë e produkte, që mesa duket janë vetëm në fillesat e procesit të rëndësishëm të reduktimit të rriskut nga ambienti dhe zgjedhjet që ne bëjmë!” thotë dermatologia e mirënjohur.

Shehu thekson se lëkura është organi më i madh i trupit të njeriut me një sërë funksionesh në të dhe se, funksioni i saj me i rëndësishëm, ai mbrojtes, lidhet drejtpërdrejtë me ndryshimet që ndodhin në ambientin e jashtëm.

“Ndryshimet e temperaturave, ekspozimi në diell, përqindjet e lagështisë, ndotja ambientale, etj, ndikojnë mbi lëkurën tonë nga lindja e deri me ikjen nga kjo botë. Nisur nga këto ndikime mjekësia dermatologjike ka shtuar mekanizmat farmakologjike, për ta ruajtur lëkurën dhe për t'i siguruar asaj shëndet e mirëqenie. Kremërat zbutës e mbrojnë nga ndryshimet e temperaturave, ujërat termale e hidratojnë dhe freskojnë, largojnë ndotësin dhe agjentet mikrobike, ndërsa kremërat mbrojtës parandalojnë shfaqjen e kancerave të lëkurës si pasojë e ekspozimit në diell. Ndaj dhe në ditët e sotme nuk mund të kuptohet një farmaci shtëpie, pa këto produkte që minimizojnë dëmet e ambientit të jashtëm dhe parandalojnë ndryshime të pakthyeshme në lëkurën e njeriut. Njohja e tipit të lëkurës dhe hartimi i një regjimi për të, janë çelësi i suksesit jo vetëm për një lëkurë të shëndetshme, por edhe për një lëkurë të bukur” thotë dermatologia Erjona Shehu.