Mjekët zbulojnë një krimb të gjallë 8 cm brenda trurit të një gruaje në Australi
Kur një grua 64-vjeçare australiane u dërgua në spital për një operacion në tru, neurokirurgu Dr. Hari Priya Bandi nuk priste të nxirrte një krimb të rrumbullakët parazitar të gjatë 8 centimetra dhe të gjallë prej saj.
Ky rast, që për mjekët është i pari në botë i një krimbi të gjallë brenda trurit të njeriut, u studiua edhe nga ekspertë parazitologjie të kafshëve në një agjenci kërkimore shkencore.
Testet molekulare konfirmuan se bëhej fjalë për Ophidascaris robertsi, një krimb i rrumbullakët që zakonisht gjendet te pitonët, sipas një njoftimi për shtyp nga Universiteti Kombëtar Australian dhe Spitali Canberra.
Studiuesit thonë se pacientja jetonte pranë një liqeni dhe edhe pse ajo nuk kishte kontakte të drejtpërdrejta me zvarranikët, ka të ngjarë që krimbin ta ketë marrë përmes perimeve.
Mjekët dhe shkencëtarët mendojnë se një piton qilimash mund ta kishte përhapur parazitin nëpërmjet feçeve të tij në zarzavate, të cilat pacientja më pas i preku duke kontaminuar ushqimin ose enët e gatimit.
Si u zbulua krimbi
Gruaja u shtrua fillimisht në një spital në fund të janarit 2021 pasi vuajti tre javë me dhimbje barku dhe diarre, e ndjekur nga një kollë e thatë e vazhdueshme, ethe dhe djersitje gjatë natës.
Disa muaj më vonë, ajo humbi kujtesën madje kaloi në depresion dhe u dërgua në një spital në kryeqytetin australian, ku një skanim zbuloi diçka të pazakontë në lobin e djathtë frontal të trurit të saj.
Larva të tjera të shiritit
Ky rast në Australi është krejtësisht i ndryshëm nga ai i njerëzve që kanë larva të krimbave shirit në trurin e tyre.
Kjo gjendje njihet si neurocisticerkoza, e cila mund të shkaktojë simptoma neurologjike kur kistet e larvave zhvillohen në tru.