Nuk ndihem mirë psikologjikisht! Ku mund të kontaktoj?
Pandemia e koronavirusit, e shoqëruar me ankth dhe frikë prej muajsh do të ketë pasoja në shëndetin mendor, në shkallë të ndryshme.
Shkencëtarët nuk kanë më dyshime për këtë dhe bëjnë thirrje për ata që po përjetojnë shenjat e ankthit stresit të shtuar apo forma qoftë të lehta të depresionit për shkak të pandemisë të këshillohen me psikologët dhe mos të neglizhojnë.
Ministria e Shëndetësisë sot, në përditësimin e situatës në vendin tonë, teksa bëri apel për kujdes, dhe ruajtjen e distancimit fizik dhe higjienën personale, duke na kujtuar edhe një herë se virusi nuk ka ikur, u bën apel personave që kanë nevojë për këshillim psikologjk që të telefonojnë në këtë numër: 0800 40-40.
Pjesë nga deklarata e ministrisë së Shëndetësisë:
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon edhe një herë qytetarët të tregohen të kujdesshëm. Ruani distancimin fizik, higjienën personale dhe lani duart sa më shpesh. Evitoni ambientet e mbyllura dhe grumbullimet me shumë njerëz.
Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo shqetësim telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.