OBSH, thirrje Ukrainës të shkatërrojë çdo patogjen të rrezikshëm që mban në laboratorë
Ndërkohë që Rusia vazhdon pushtimin e saj ndaj Ukrainës, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka 'rekomanduar fuqimisht' Ministrisë së Shëndetësisë në Ukrainë që të shkatërrojë dhe të sigurohet që i ka shkatërruar 'patogjenët me kërcënim të lartë' që mund të jenë brenda laboratorëve të shëndetit publik për të parandaluar çdo rrjedhje të mundshme.
Rekomandimi i OBSH-së u raportua fillimisht nga Reuters. Më pas OBSH e konfirmoi lajmin edhe për CNN, përmes një email-i.
Pushtimi rus i Ukrainës i vë objektet e shëndetit publik automatikisht në rrezik ndaj një dëmtimi të mundshëm. Ngjashëm me vendet e tjera, shkencëtarët në Ukrainë ndonjëherë kryejnë kërkime që përfshijnë patogjenë për të kuptuar më mirë biologjinë e tyre, si përhapen dhe si mund të shkaktojnë sëmundje te njerëzit.
Rusia, përmes ministrit të Jashtëm Lavrov akuzoi dje Ukrainën se po krijon në laboratore armë kimike dhe biologjike për llogari të Amerikës. Diçka që është përgënjeshtruar nga presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.