Shëndeti

Pfizer po bën një vaksinë të re, enkas për të luftuar variantin Delta të Covid

Pfizer po bën një vaksinë të re, enkas për të

Pfizer & BioNTech kanë njoftuar se po punojnë për të zhvilluar një version të ri të vaksinës anti-Covid, një variant që synon të mbrojë nga Delta. Kompania është gati të nisë provat klinike të vaksinës, në gusht.

Ç`është Delta?

Delta është një variant shumë ngjitës që është përhapur në gati 100 vende të botës. Prezent është edhe në vendet fqinje dhe rajon, por në Shqipëri nuk janë konfirmuar ende rastet e para. Delta, varianti indian me mutacion të dyfishtë i Sars Cov 2 është shumë më ngjitës. Studiuesit besojnë se mjaftojnë 5 deri në 10 sekonda për t`u infektuar, nëse qëndron pranë dikujt që është pozitiv.

Varianti Delta besohet të jetë rreth 60% më ngjitës se Alpha, versioni britanik. Ende nuk është e qartë nëse është më i rrezikshëm, por përhapja më e shpejtë bën të preken më shumë njerëz dhe për pasojë të ketë më shumë të shtruar.

Po në lidhje me dozën e tretë?

Pfizer dhe BioNTech gjithashtu raportuan rezultate premtuese nga studimet që bënë për dozën e tretë të vaksinës. Një përforcues i dhënë gjashtë muaj pas dozës së dytë rrit fuqinë e antitrupave kundër virusit bazë dhe varianteve dytësore. Efikasiteti rritet gati 10-fish.

Efikasiteti i vaksinës mund të bjerë gjashtë muaj pas imunizimit. Plus mutacionet që dalin herë pas herë, ndaj lind nevoja i një doze të tretë.

Si është përgatitur vaksina e re?

Vaksina e re do të synojë tërësinë e proteinave spike, në krahasim me një pjesë, që janë përfshirë në variantin e deritanishëm të dozave.

Po të vaksinuarit deri tani me dy doza normale të Pfizer BioNTech sa të mbrojtur janë nga Delta?

Ekipi i punës ka analizuar mostrat e gjakut nga 59 persona pasi kishin marrë dozat e para dhe të dyta të vaksinave. Mostrat e gjakut nga vetëm 10% e njerëzve të imunizuar me një dozë të vaksinave AstraZeneca ose Pfizer-BioNTech ishin në gjendje të neutralizonin variantet Delta dhe Beta në eksperimentet laboratorike.

'Një dozë e vetme e Pfizer ose AstraZeneca ishte ose e dobët ose aspak efikase kundër varianteve Beta dhe Delta', përfunduan studiuesit. Por një dozë e dytë rriti efikasitetin në 95%.

*Artikulli i New York Times u përshtat në shqip nga Tiranapost.al