Shëndeti

Pneumologu: Rritja e temperaturave mund ta frenojë koronavirusin, por…

Pneumologu: Rritja e temperaturave mund ta frenojë koronavirusin,

'Nuk kemi të bëjmë me një grip, por me një virus që ka shkallë të lartë vdekshmërie'. Këtë deklaroi mjeku i njohur pneumolog Perlat Kapisyzi i cili tërheq vëmendjen e qytetarëve që të bëjnë kujdes.

“Nuk është grip. Nëse pandemitë e gripit e kanë mortalitetin nga 0-1% deri në 2-3% Covid-19 thuhet deri tani që e ka vdekshmërinë 2%, 3%”.

I pyetur se sa rrezik ka që të shëruarit të infektohen sërish, doktori tha se shanset janë të vogla, por ekziston si mundësi.
“Gjasat janë të vogla që një pacient i shëruar të marr sërish virusin. Gjasat janë mbas një kohe që i lejon virusit të pësojë një mutacion. Ashtu si gripi, ne e marrim një vit, por mund ta marrim sërish vitin tjetër nëse ka ndodhur një mutacion”, theksoi doktori.

Lidhur me diskutimet për efektin që mund të kenë temperaturat e larta tek koronavirusi ai tha temperaturat mund ta frenojnë por duhet të jemi të kujdesshëm dhe të ruajmë distancimi social:

“Shpresat janë, por shpresat nuk janë që ‘të presim ishallah po ngrohet koha’. Teoria e ngrohjes se kohës është si ajo që ‘o Zot më ndihmo të më bjerë lotaria’ edhe pse nuk blinte lotari. Temperaturat mund ta frenojnë, por ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të fortë në vendimmarrje për sa i përket kufizimit dhe distancimit social. Sigurisht dhe higjienës personale”, – tha mjeku në intervistë për RTSH.