Shëndeti

Si përhapet koronavirusi përmes ajrit dhe çfarë rekomandojnë studiuesit

Si përhapet koronavirusi përmes ajrit dhe çfarë

Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej muajsh, se koronavirusi mund të përhapet nga aerosolet, spërklat e vogla të frymëmarrjes që përhapin njerëzit kur flasin ose teshtijnë, të cilat mund të qëndrojnë pezull në ajër për jo pak kohë.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, pranoi publikisht këtë rrezik më 18 shtator. Ato postuan udhëzime në faqen e internet, duke i klasifikuar aerosolet si një nga mënyrat e përhapjes së koronavirusit, dhe duke theksuar se kishte prova në rritje se grimcat e ajrit mund të qëndrojnë pezull dhe të udhëtojnë më shumë se 2 metra.

Por, tre ditë më vonë, ky udhëzim u fshi.

Në një shënim në vend të tij, thuhej se një draft ishte postuar gabimisht, dhe se CDC po punonte ende për përditësimin e udhëzimeve. Ky lloj ndryshimi në qëndrim, mund të shkaktojë konfuzion tek publiku. Në 5 artikuj të botuar së fundmi në “The Conversation” ekspertët shpjegojnë se çfarë janë aerosolet, si mund ta transmetojnë koronavirusin dhe si të mbrohemi prej tyre.

Ç’duhet të dini për aerosolet

Kur flisni ose këndoni, vërshimi i ajrit i prish fijet e mukusit në rrugët tuaja të frymëmarrjes, duke dërguar jashtë spërkla të ndryshme. Spërklat më të mëdha bien shpejt përtokë, ato më të imëtat dhe më të lehtat mund të qëndrojnë pezull në ajër.

Nëse ju jeni të prekur me Covid-19, ato spërkla mund të përmbajnë koronavirus dhe një studim i hershëm sugjeron se mund të jetë infektues nga disa minuta në disa orë. Ekspertët e aerosolit Bajron Erat, Andrea Ferro dhe Godarz Ahmadi nga Universiteti Klarkson, e shpjeguan mekanikën e aerosoleve në një artikull të fundit për “The Conversation”.

Ata diskutuan gjithashtu se çfarë mund të bëjnë njerëzit për të mbrojtur veten e tyre.

“Vënia e një maske në fytyrë për të ulur rrezikun e ekspozimit në ajër, është tepër thelbësore. Zvogëlimi i kohës që kalohet në zona të mbingarkuara apo me ajrosje të dobët është një mënyrë e mirë për të ulur rrezikun e ekspozimit ndaj koronavirusit” ”, shkruajnë ata.

A mjafton të qëndroni 2 metra larg tjetrit?

Këshilla e zakonshme për distancimin social, është të qëndrojmë 2 metra larg të tjerëve. Kjo është një këshillë e lehtë për t’u mbajtur mend, por ajo nuk mban parasysh të gjitha rreziqet e aerosolit, sidomos në ambientet e mbyllura.

Për shkak se njerëzit e infektuar me SARS-CoV-2 mund të transmetojnë sasi të mëdha virusi nuk ka një distancë të sigurt në një dhomë të ajrosur dobët, shkruajnë Erat dhe Ferro, studiues të Universitetit Klarkson Suresh Danijala në një artikull. Rrymat e ajrit nga një ventilator, apo nga sistemi i ventilimit, mund të përhapin më larg se 2 metra spërklat e frymëmarrjes.

Çfarë nënkupton përhapja e virusit përmes ajrit

Mënyra si përhapet koronavirusi në ajër, përbën një sfidë për rihapjen e bizneseve dhe shkollave. Studiuesi i frymëmarrjes Dagllas Rid i Universitetit të Pitsburgut, shqyrtoi disa studime që kanë treguar se si është përhapur virusi, përfshirë këtu një call-center në Korenë e Jugut, një restorant në Kinë dhe një kor muzike në shtetin e Uashingtonit.

“Të dhënat sugjerojnë se transmetimi i virusit përmes ajrit ndodh shumë lehtë, dhe ka të ngjarë të jetë një nxitës i rëndësishëm i kësaj pandemie. Ai duhet të merret seriozisht, ndërsa njerëzit u rikthehen aktiviteteve normale”, shkroi ai.

Problemi me transportin publik

Me uljen e temperaturave, do të jetë më e vështirë të mbahen hapur dritaret për të ajrosur hapësirat e mbyllura, dhe këtu përfshihet transporti publik dhe autobuzët e shkollave. Xhesi Kapeçelatro, inxhinier i mekanikës në Universitetin e Miçiganit, foli për rreziqet e përhapjes së koronavirusit brenda një autobuzi dhe rekomandoi udhëtime të shkurtra, përdorimin e maskave dhe autobusë me sa më pak pasagjerë.

*The Conversation