Shëndeti

Si të kuptosh nëse mund të jesh riinfektuar? Epidemiologu tregon rastin dhe për sa dyshohet në Shqipëri

Si të kuptosh nëse mund të jesh riinfektuar? Epidemiologu tregon

Pas më shumë se një viti nën pandemi, virusi mbart ende të panjohura për shkencëtarët. Ka qytetarë që e kanë kaluar koronavirusin por dyshojnë se mund të jenë riinfektuar. Për këtë ka folur epidemiologu Artan Simaku. Në një intervistë për 'Euronews Albania' ai tregoi tre kriteret se kur një person mund të quhet i riinfektuar:

“Çështja e riinfektimit është një çështje akoma e paqartë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë komunitetin shkencor. Nuk jemi të sigurt nëse janë riinfektime apo jo, por dyshohet se janë riinfektime.

Terminologjia më e saktë është se dyshohet për riinfektim. Që nja rast të quhet riinfektim duhet të plotësojë tri kushte kryesore; ekzaminimi si herën e parë duhet të jetë kryer nga tamponi, personi të jetë negativizuar nga bërja e tamponit të pare, dhe të ketë kaluar një periudhë kohe rreth 90 ditë, dhe pas testit të rezultojë pozitiv, këto janë tri kriteret kryesore, që një rast të quhet riinfektim”.

Epidemiologu tha se në Shqipëri dyshohet për 20 raste të riinfektuarish.

“Të dyshuar për riinfektimet janë rreth 20 raste. Ne kemi dërguar mostrat në laboratorin e referencës dhe presim rezultatet”.

Ndërkaq, ai bëri apel kryesisht për të rinjtë që të tregojnë kujdes dhe të zbatohen masat:

“Ka një trend në ulje të moshës së prekjes nga Covid-19. Kjo është një nga arsyet pse u bë mësimi online në këto mosha. Virusi ka të panjohura dhe trendi është me rritjen e incidencës në këto mosha. Kujdesi duhet maksimal dhe është gjëja që ne kemi në dorë. Masa më e rëndësishme është respektimi i rregullave të thjeshta”.

*Tiranapost.al.