Shëndeti

Studimi/ Fëmijët e transmetojnë koronavirusin po aq sa të rriturit

Studimi/ Fëmijët e transmetojnë koronavirusin po aq sa të

Organizmi i fëmijëve ndonëse është rezistent nga pasojat e virusit COVID-19, është po aq transmetues i tij sa edhe i të rriturve. Ky ka qenë përfundimi i studimit disa-mujor të kryer në Universitetin e Washington-it në Seattle, SHBA.

Ekipi i studuesve në fjalë ka publikuar gjetjen e tyre në revistën akademike për pediatrinë “JAMA Pediatrics” , ku përshkruhet sesi kanë studiuar organizmin e 555 personave të infektuar me koronavirus, 123 prej të cilëve ishin nën moshën 18 vjeç. Rezultatet laboratorike treguan qartë se fëmijët në masë më të madhe nuk shfaqin asnjë simptomë dhe e neutralizojnë virusin shumë më shpejt. Nga të studiuarit vetëm 7% e fëmijëve shfaqën simptoma, ndërkohë që më shumë se 80% e të rriturve ishin simptomatikë, qoftë edhe me pasoja të lehta si kollë, apo dhimbje gryke etj.

Por, përgjatë kohës më të limituar që fëmijët janë të prekur nga virusi, ata kanë po aq mundësi ta transmetojnë tek të tjerët sa të rriturit.

“Fëmijët që mbartin virusin kanë aq gjasa ta përhapin sa edhe të rriturit. Në përgjithësi, simptomatikës kanë edhe më tepër mundësi transmetimi, por ndryshimi fëmijë- i rritur është shumë i vogël.”- shkruhet mes të tjerash në studim.

Kjo gjetje kontribon në debatin aktual në lidhje me vaksinimin e fëmijëve kundër COVID. Ndonëse pesë shtete të BE e kanë aprovuar si praktikë dhe autoritet shëndetësore kanë vërtetuar se fëmijët nuk kanë rrezik të shtuar nga marrja e vaksinave, ende ka shumë kundërshti nga skeptikë dhe komunitetet e prindërve. Gjithashtu, kreu i OBSH e ka konsideruar “një katastrofë morale”, që shtetet e zhvilluara të vaksinojnë dhe fëmijët që përgjithësisht janë rezistentë përkundrejt virusit, ndërkohë që shumë shtete të varfëra kanë mungesa të theksuara vaksinash që kanë pamundësuar dhe imunizimin minimal të punonjësve në sektorin e shëndetësisë.

Tiranapost.al