Shëndeti

Transfuzionet e gjakut artificial si fillimi i një revolucioni

Transfuzionet e gjakut artificial si fillimi i një revolucioni

Për herë të parë, sasi të vogla gjaku “të kultivuara” në laborator u janë injektuar disa vullnetarëve në një studim klinik britanik që po teston një procedurë të pa provuar më parë. Gjaku artificial u mor nga qelizat burimore të donatorëve, dhe më pas u transfuzua tek 2 njerëz të rritur e të shëndetshëm.

Për momentin synimi është të kuptohet se sa reziston ky lloj gjaku në trup, krahasuar me gjakun “standard” të përdorur në këto procedura. Studimi është pjesë e një nisme të quajtur RESTORE, që po kryhet nga Universitetet e Kembrixhit dhe Bristolit, së bashku me mjekë dhe studiues nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë së Madhe (NHS).

Sigurisht, qëllimi përfundimtar i projektit nuk është të zëvendësojë gjakun e dhuruar bujarisht nga donatorët. Përkundrazi ai synon të sigurojë një teknikë për prodhimin e llojeve ultra të rralla të gjakut që praktikisht nuk mund të gjenden në rastet urgjente.

Edhe nëse ekzistojnë 4 grupe kryesore gjaku – A, B, 0 dhe AB, secili i ndarë në dy kategori të dalluara nga faktori Rh – niveli i përputhshmërisë midis dhuruesit dhe marrësit që kërkohet në transfuzion shkon përtej këtyre nënndarjeve makro – ka njerëz me fenotipe gjaku aq të rralla sa mund të jenë teorikisht të pajtueshme me vetëm një duzinë donatorësh të mundshëm në një vend të tërë.

Studimi u fokusua tek qelizat e kuqe të gjakut, të cilat e transportojnë oksigjenin nga mushkëritë në pjesën tjetër të trupit. Ai nisi me një dhurim normal prej 470 ml gjak, nga i cili u nxorën dhe u ndanë qelizat staminale të afta të shndërroheshin në qeliza të kuqe të gjakut.

Këto qeliza u nxitën të rriteshin në numër të madh dhe të diferencoheshin në laborator, një proces që zgjati 3 javë. Dy pjesëmarrësit e parë në këtë testim, morën ekuivalentin e 1 ose 2 lugë çaji gjak artificial (5-10 mililitra), që është shumë më pak se ai që kalon përmes transfuzioneve normale.

Ndërsa po monitorohen me shumë kujdes, ata po ecin mirë dhe nuk kanë shfaqur shenja të refuzimit të gjakut të ri. Ky testim do të shtrihet tek të paktën 10 vullnetarë të shëndetshëm, të cilët do të marrin të njëjtën sasi gjaku në dy versione, normale apo të krijuar në laborator, për të paktën 4 muaj.

Gjaku artificial do të ketë një tipar “të veçantë”. Ai do të shënohet me një substancë radioaktive, e padëmshme për njerëzit dhe që përdoret shpesh në procedurat mjekësore, e cila do të bëjë të mundur matjen e qëndrueshmërisë së tij në organizëm.

Shkencëtarët dyshojnë se qelizat e kuqe të gjakut të kultivuara në laborator në krahasim me qelizat burimore, jetojnë më shumë në trup sesa gjaku i dhuruar normalisht. Në fakt, ato janë qeliza të sapolindura, po aq të reja dhe të freskëta dhe për këtë arsye më jetëgjata në letër, sesa ato të marra nga gjaku i donatorëve, të cilat janë në mënyrë të pashmangshme në faza të ndryshme të jetës së tyre qelizore.

Qelizat e kuqe të gjakut mbijetojnë zakonisht për 120 ditë përpara se të zëvendësohen nga të tjerat. Një qese tipike me gjak të dhuruar përmban një përzierje qelizash të vjetra dhe të reja, ndërsa ato të marra nga qelizat staminale duhet të rezistojnë plot 120 ditë.

Nëse do të konfirmohet kjo hipotezë, do t’i hapte rrugën dhurimeve më të rralla dhe me sasi më të vogël gjaku për njerëzit që shpesh janë të detyruar t’i drejtohen kësaj procedure. “Nëse gjaku artificial është i sigurt dhe efektiv, ai mund të revolucionarizojë me kalimin e kohës trajtimet për njerëzit me çrregullime të gjakut, si anemia qelizore ose grupet e rralla të gjakut”- shkruajnë autorët e studimit.

Gjithsesi do të duhet kohë përpara se gjaku artificial të bëhet pjesë e trajtimeve mjekësore të miratuara zyrtarisht nga autoritetet. Deri atëherë transfuzioni tradicional i gjakut do të vazhdojë të jetë i mundur falë altruizmit dhe ndjenjës qytetare të atyre që dhurojnë rregullisht. Tani për tani, procedura mbetet shumë e shtrenjtë dhe e gjatë, dhe sasia e gjakut që mund të merret mjaft e kufizuar. Por për të nxitur një ndryshim të madh, duhet të fillohet nga diku.

*Focus, publikuar fillimisht te Bota.al