Shënime në Blog

Arratisje nga divani, ose pse nuk duhet nënvlerësuar ideja e udhëtimit me mendje

Një mendim origjinal mund të na largojë nga ato gjëra që personat rreth nesh i konsiderojnë normale. Ose mund të na ndërgjegjësojë për faktin se ndoshta prej shumë kohësh kemi pasur qasjen e gabuar ndaj një çështjeje të rëndësishme të jetës sonë. Nëse do ta merrnim seriozisht një ide, mund të na duhej të përfundonim një marrëdhënie, të linim një vend pune, të hiqnim dorë nga një mik, t’i kërkonim falje dikujt, të rimendonim seksualitetin tonë apo të braktisnim një zakon.
Arratisje nga divani, ose pse nuk duhet nënvlerësuar ideja e

Nga Alain de Botton/ Diku në vitet ’50 të shekullit të shtatëmbëdhjetë, filozofi dhe matematikani francez Blaise Pascal shkroi një prej aforizmave më kundërintuitive të të gjithë kohëve: “I vetmi shkak i palumturisë së njeriut është se nuk mund të qëndrojë i qetë në dhomën e tij”.

Ashtu? Të qëndruarit të qetë në dhomën vetjake a nuk do të duhej të ishte fillimi i një lloji torture psikologjike? Çfarë bie në kundërshtim më të madh me shpirtin njerëzor që duhet të jetojë mes katër mureve, kur potencialisht ekziston një planet i tërë për t’u zbuluar?

Megjithatë idea e Pascal mund të jetë e dobishme sepse sfidon një prej bindjeve tona më të rrënjosura, atë sipas së cilës duhet të shkojmë gjithmonë në vende të reja për të zbuluar gjëra të ndryshme dhe interesante. Po sikur të kishim një thesar brenda vetes? Po sikur në trurin tonë të kemi akumuluar një numër të mjaftueshëm eksperiencash mahnitëse, siguruese dhe interesante për të na mjaftuar për dhjetë jetë? Po sikur problemi ynë i vërtetë të jetë jo ai që nuk na lejohet të shkojmë askund, por që nuk dimë si të shfrytëzojmë më së miri atë që zotërojmë?

Të jesh i kufizuar në shtëpi na ofron një sërë përfitimesh kurioze. Së pari, na fton të mendojmë. Mund të mendojmë çfarë na pëlqen, por pak prej nesh i përkushtohen realisht atij lloji mendimi vetmitar, origjinal dhe të urtë që mund të na rigjenerojë shpirtin dhe të sjellë përparim në jetën tonë. Idetë e reja me të cilat mund të ndeshemi nëse do të udhëtonim në një mënyrë më ambicioze në mendjen tonë të shtrirë në divanin e shtëpisë mund të vënë në rrezik status quo-në tonë mendore.

Për shembull, një mendim origjinal mund të na largojë nga ato gjëra që personat rreth nesh i konsiderojnë normale. Ose mund të na ndërgjegjësojë për faktin se ndoshta prej shumë kohësh kemi pasur qasjen e gabuar ndaj një çështjeje të rëndësishme të jetës sonë. Nëse do ta merrnim seriozisht një ide, mund të na duhej të përfundonim një marrëdhënie, të linim një vend pune, të hiqnim dorë nga një mik, t’i kërkonim falje dikujt, të rimendonim seksualitetin tonë apo të braktisnim një zakon.

Por një periudhë e qetë reflektimi në dhomën tonë i ofron mendjes mundësinë për t’u riorganizuar dhe për të kuptuar vetveten. Bëhet më e thjeshtë t’u japim një emër frikave, pakënaqësive dhe shpresave. Jemi më pak të frikësuar nga përmbajtja e mendjes sonë, më pak të zemëruar, më të qetë dhe i kemi idetë më të qartë mbi drejtimin në të cilin po shkojmë. Me hapa të paqartë, nisim të njohim veten pak më mirë.

Fëmijët e llastuar

Një tjetër gjë që mund të bëjmë brenda dhomës është t’u rikthehemi udhëtimeve që kemi përshkuar. Kjo nuk është e zakonshme. Për pjesën më të madhe të kohës shtyhemi të projektojmë llojë të reja eksperiencash udhëtimi. Idea për t’u kenaqur e për të ripërshkuar një udhëtim me mendje, duket paksa e çuditshme ose tejet e thjeshtuar. Mëkat. Jemi kuratorët e shpërqëndruar të së shkuarës: ngjarjet e rëndësishme që na kanë ndodhur i vëmë në fund të sëndukut të mendjes sonë, e nuk presim t’i shohim kurrë më.

Po nëse do të ndryshonim paksa hierarkinë e prestigjit dhe të mbështesnim idenë sipas së cilës të kridhesh rregullisht në kujtimet e tua mund të jetë thelbësore për të gjetur mbështetje e për t’u ngushëlluar, si edhe një formë argëtimi më ekonomike dhe fleksibël? Të qëndrojmë në shtëpi duke reflektuar me imagjinatën tonë mbi një udhëtim që kemi bërë në një ishull duhet të na duket po aq prestigjioze sa të shkojmë fizikisht tek ai ishull. Në neglizhimin e kujtimeve tona, ne jemi si fëmijë të llastuar, të cilat nxjerrin vetëm një pjesë të kënaqësisë nga përvojat dhe pastaj i vënë ato mënjanë për të kërkuar emocione të reja. Një nga arsyet pse ne mendojmë se kemi nevojë për kaq shumë përvoja të reja mund të jetë thjesht që ne të jemi të paaftë për të përtypur siç duhet ato që kemi bërë tashmë.

Për t’u përqëndruar më shumë te kujtimet tona, nuk kemi nevojë për asnjë lloj teknologjie. Me siguri as për një aparat fotografik. Ekziston një në mendjen tonë që është gjithmonë i ndezur dhe regjistron gjithçka që kemi parë.

Pjesë të mëdha të eksperiencave janë ende në kokën tonë, të paprekura dhe të gjalla dhe presin që ne të pyesim veten: "Ku kemi shkuar pasi u zbritëm me avion?" ose "Si ishte hera e parë që hëngrëm mëngjes?". Përvojat tona nuk zhduken vetëm për shkak se nuk ndodhin më para syve tanë. Ne mund të qëndrojmë në kontakt me pjesën më të madhe të asaj që na ka pëlqyer thjesht në sajë të artit të rimendimit. Flasim pa fund për realitetin virtual, por nuk kemi nevojë për ndonjë pajisje. Ne tashmë kemi makinerinë më të mirë për realitetin virtual në kokën tonë. Saktësisht në këtë çast ne mund të mbyllim sytë dhe të eksplorojmë momentet më të bukura, ngushëlluese dhe ato më formuese të së kaluarës sonë.

Priremi të udhëtojmë të shtyrë prej idesë se qartësisht një skenë reale mund të jetë më e bukur se një mirazh mendor që mund ta kemi teksa qëndrojmë në shtëpi. Por ka diçka në funksionimin e mendjes sonë që do të bënim mirë ta merrnim në konsideratë kur ankohemi se nuk mund të shkojmë askund. Gjithmonë do të ketë diçka tjetër që e turbullon atë përvojë të bukur, diçka kaq mashtruese dhe dërrmuese për të anuluar disi qëllimin për të cilin kemi lënë shtëpinë tonë: vetë ne. Nuk mund të bëjmë gje tjëtër veçse ta marrim veten në çdo destinacion që duam të vizitojmë. Dhe kjo do të thotë të kemi me vete shumë prej atij bagazhi mendor që na sjell një problem kaq të padurueshëm çdo ditë: të gjithë ankthin, keqardhjen, konfuzionin, ndjenjën e fajit, zemërimin dhe dëshpërimin.

Asgjë prej këtyre nuk ndodh kur në pak minuta imagjinojmë një udhëtim. Në fantazi, mund të kënaqemi me pamje mahnitëse. Por aty, në tempullin e artë apo në malin e mbuluar nga bredhat zbulojmë se ekziston kaq shumë “unë” sa na prish gjithë pamjen. Në thelb, qëndron një ironi tragjikomike: lodhja e tmerrshme për të shkuar fizikisht në një vend të caktuar nuk na sjell detyrimisht më afër esencës që kërkojmë. Edhe pa e bërë këtë, mund të shijojmë gjëra më të mira që çdo vend mund të na i ofrojë thjesht duke menduar.

Çarçafët rozë

Le të marrim një tjetër francez, me një filozofi të krahasueshme me atë të Pascal. Në pranverën e vitit 1790, një shkrimtar 27-vjeçar i quajtur Xavier de Maistre u mbyll në shtëpi dhe vendosi të studionte mrekullitë dhe bukuritë e gjithçkaje që kishte afër. Rrefimin e titulloi “Udhëtim përreth dhomës sime”. Libri është një histori mrekulluese pa fillim e pa fund.

De Maistre mbyll derën dhe vesh pizhamat rozë dhe blu. Pa pasur nevojë të përgatisë valixhen, udhëton përmes divanit, të cilin e sheh me tjetër sy. Admiron këmbët elegante dhe risjell në mendje orët e këndshme të kaluara në mesin e jastëkëve që ëndërrojnë për suksesin dhe dashurinë. Pastaj sheh shtratin e tij. Duke përftuar pikëpamjen e një udhëtari, mëson ta vlerësojë edhe atë objekt. Ndjen mirënjohje për netët e këndshme që ka kaluar dhe është krenar për faktin se çarçafët janë thuajse të kombinuara me pizhamat e tij. "I këshilloj çdokujt të marrë çarçafë rozë dhe të bardhë", shkruan ai, sepse ato janë ngjyra që nxisin fantazitë e këndshme dhe të qeta.

Sado hokatare të duket, vepra e De Maistre është fryt i një intuite të hollë: kënaqësia që marrim nga vendet e reja që vizitojmë, varet më shumë nga qasja mendore me të cilin udhëtojmë se sa nga vetë destinacioni. Nëse do të mundnim të aplikonim të njëjtën sjellje edhe në dhomat tona, do të zbulonim se këto destinacione nuk do të ishim më pak mahnitëse sesa tokat e huaja.

Indiferenca e të pasurit

Pra, cili është qëndrimi mendor i udhëtarit? Përftimi i përshtypjeve, vlerësimi dhe mirënjohja janë ndoshta tiparet kryesore. Dhe mbi të gjitha, ne nuk kemi nevojë për një udhëtim në një vend të largët për ta pasur këtë mentalitet. Një shëtitje është udhëtimi më i shkurtër që mund të bëjmë. Në lidhje me pushimet, ngjan si një bonsai krahasuar me një pyll të tërë. Por edhe nëse është vetëm një ndërthurje tetë minutëshe rreth izolimit ose disa momente të kaluara në një park aty pranë, shumë prej temave të mrekullueshme të udhëtimit gjenden të pranishme në një shëtitje.

Gjatë një shëtitjeje mund të shohim një lule. Është ekstremisht e pamundur të admirojmë një lule teksa fluturojmë për në një kontinent tjetër. Aty ekzistojnë shumë gjëra më të mëdha, mjeshtërore dhe më interesante se sa këto shfaqje të vogla dhe delikate të natyrës. Gjithsesi është e vështirë të qëndrosh indiferent ndaj luleve gjatë një pandemie që na imponon kufizimet e lëvizjeve, kur bota është zvogëluar kaq shumë dhe kur ndihet kaq shumë trishtim. Lulet nuk duken më një zbavitje e vogël prej një fataliteti të madh, por një kënaqësi e vërtetë në një litani problemesh, një arratisje e vogël shprese në një det vështirësish.

Ose gjatë një shëtitjeje në rrethina, ne mund të shohim një kafshë të vogël: një rosë ose një iriq. Jeta e tyre vazhdon plotësisht e pavarur nga e jona. Është krejtësisht e dedikuar për qëllimet e veta. Zakonet e specieve të tyre janë të pandryshuara për shekuj. Edhe nëse e shohim me kujdes, ato nuk kujdesen për të ditur se kush jemi. Një rosë është e lumtur të marrë një copë bukë si nga një kriminel, si nga një gjykatës i Gjykatës së Lartë, qoftë nga një miliarder po ashtu edhe nga një i varfër me kallam. Individualiteti ynë pezullohet dhe në disa situata kjo mund të jetë një lehtësim i madh.

Gjatë ecjes sonë në izolim, çështjet me të cilat kemi humbur kontaktin - fëmijëria, një ëndërr e çuditshme që kemi parë, një mik që nuk e kemi dëgjuar për vite, një projekt i madh që ne kemi ri-propozuar për të ndërmarrë – vijnë sërish në vëmendjen tonë .

Në terma fizikë pothuajse po lëvizim, por po kalojmë hektarë në territorin mendor. Pak më vonë jemi përsëri në shtëpi. Askush nuk e ka vënë re mungesën tonë, dhe ndoshta as e kuptuan se ishim jashtë. Megjithatë, ne jemi thellësisht të ndryshëm: një qenie lehtësisht më e plotë, më vizionare, më e guximshme dhe imagjinare nga personi që ne ishim më parë dhe që vendosëm me mençuri të dilnim për një udhëtim modest.

Një ditë ne do të rimarrim plotësisht liritë tona. Ne mund të endemi përsëri në mbarë botën. Nuk mund të jetë rastësi që shumë nga mendimtarët e mëdhenj të botës kanë kaluar periudha jashtëzakonisht të gjata në dhomat e tyre.

Heshtja na ofron mundësinë të vlerësojmë më shumë atë që ne zakonisht e shohim pa vërejtur dhe për të kuptuar atë që e kemi perceptuar, por nuk e kemi përpunuar ende. Ne gjithashtu na është dhënë privilegji për të qenë në gjendje të udhëtojmë nëpër brendësi të panjohura, ndonjëherë shqetësuese, por në thelb të mrekullueshme.

Alain de Botton është shkrimtar dhe filozof zviceran. Artikulli i shkruar për “Financial Times” u përkthye nga Erjon Uka.