Shënime në Blog

Arti im është politika

Secili është qenie politike nëse jeton brenda shoqërisë. Kjo është gjithashtu e vërtetë në ambientin e artit: duhet menduar se çfarë duhet shprehur, si duhet shprehur dhe se kujt i duhet shitur arti. Është një proces politik në çdo fazë të tij. Kushdo që thotë të kundërtën, gënjen.
Arti im është politika

Dielli i fortë i emigrimit të tij portugez i kujton atë të shkretëtirës së Gobit, ku ka kaluar fëmijërinë në ekzil. Kur e pyet nëse është kjo etapa e fundit, nëse shpirti i ka gjetur përfundimisht paqe të qëndrueshme në këtë zonë rurale dhe të qetë, ku vlerëson artin e të jetuarit, Ai Weiwei buzëqesh: “Jam udhëtar i vazhdueshëm”. Biografia e tij, “1000 vite gëzime dhe pikëllime”, e nisur në vitin 2011 teksa ishte në burg, lexohet si një letër e hidhur dashurie për vendin e tij, Kinën.

Para së gjithash, libri rrëfen historinë e babait tuaj, Ai Qing, poet dhe intelektual kinez. Pse kjo zgjedhje?
Kina nuk mund të kuptohet pa njohur luftën e brezit të babait tim. Njëzetë vitet e para të jetës sime i kam kaluar me të. Ishte një princ i poezisë kineze, në majë të listës së miliona intelektualëve që Mao i dërgoi në kampet e riedukimit për të pësuar revolucionin kulturor. Kushtet tona ishin të vështira. Jetonim brenda një vrime të gërrmuar në tokë, e them pa ekzagjerim. Por babai im ishte gjithmonë i qetë dhe paqësor, e mbronte ndjesinë e estetikës edhe kur pastronte tualetet. Teksa rrija pranë tij, nuk e kisha kuptuar. Vetëm duke shkruar këtë libër u ndërgjegjësova se për mua, babai im ishte një shenjt.

Në këto faqe ka shumë dashuri për Kinën, pavarësisht se çfarë keni pësuar ju dhe babai juaj prej regjimit autoritar.
Kurrë nuk do të arrij ta kuptoj plotësisht dashurinë e babait për vendin e tij dhe banorët e Kinës, pavarësisht ndëshkimeve dhe poshtërimeve që i kanë bërë. Edhe kur studionte në Paris, ishte i bindur se po ndihmonte Kinën. Unë e admiroj dhe hera-herës më vjen turp nga vetja që s’jam si ai. Por e dua thellësisht vendin tim dhe kulturën e atdheut tim.

Historia përsëritet. Në vitin 2011 ju u arrestuat dhe u burgosët për tetëdhjetë e një ditë. Si e përjetuat burgosjen?
Më rrëmbeu shteti. Është diçka qesharake dhe shqetësuese në të njëjtën kohë, isha krejtësisht i shkëputur nga bota. Nuk mund të telefonoja avokatin apo qoftë familjarët e mi për t’u thënë se isha gjallë. Ata që më morën, më thoshin vazhdimisht se kur të dilja prej andej, pas dhjetë a pesëmbëdhjetë vjetësh, djali im, i cili në atë kohë ishte dy vjeç, nuk do të më njihte. Aty kuptova se nuk isha vetëm dhe se pasojat e veprimeve të mia do t'i paguante bashkë me mua edhe familja.

Mendoni se ju shpëtoi fama juaj ndërkombëtare?
Nuk di t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Nuk e di se ç’mund të mendojë një regjim autoritar për një individ të vetëm. Dhe forca e regjimit qëndron pikërisht në faktin që nuk e tregon kurrë këtë gjë.

Nëse do të donit, mund të ktheheni në Kinë?
Po, mundem. Mamaja ime, me të cilën flas çdo ditë, më thotë: biri im, të dua shumë, por mos u kthe.

A ka kuptim bojkoti diplomatik i Shteteve të Bashkuara?
Është krejtësisht i shkëputur nga realiteti. Sot Perëndimi po përpiqet të shpëtojë fytyrën, por në të kaluarën nuk i ka kritikuar sa duhet shkeljet e të drejtave të njeriut nga ana e Kinës. Kompanitë amerikane dhe europiane, bota e biznesit, bankat zvicerane, të gjitha varen thellësisht nga aksesi në tregun kinez. Ndërkohë, falë modelit efektiv të vendimmarrjes bazuar në kapitalizmin shtetëror, Kina thuajse ka arritur të bëhet fuqia më e madhe në botë.

Ju denonconi shkeljet e të drejtave të njeriut edhe në Perëndim. Në vitin 2017, dokumentari juaj për emigrantët, "Human Flow", tregoi një anë shumë të errët të shoqërisë sonë.
Por historia na tregon se gjithmonë ka pasur luftëra, uri dhe emigrantë. Dhe ne jemi pjesë e këtyre fatkeqësive njerëzore. Për shembull kur u shesim armë palëve ndërluftuese. Shumë vende europiane sot i refuzojnë refugjatët, edhe pse pikërisht qytetarët e këtyre vendeve ndonjëherë janë gjetur në të njëjtën situatë në të shkuarën. Është natyra njerëzore: egoiste, mediokre dhe neglizhente. Askush nuk dëshiron të pranojë përgjegjësitë e tij.

Ju nevrikos kjo gjë?
Jo, por zhgënjehem shumë kur shoh kushtet e jetës së atyre familjeve, të atyre fëmijëve që mund të jenë fëmijët tanë. Përballë këtij realiteti, nuk jam naiv, por përpiqem t’i jap zë përmes artit tim.

Arti i tij është jashtëzakonisht politik. A mund të ishte ndryshe?
Është një pyetje filozofike. Secili është qenie politike nëse jeton brenda shoqërisë. Kjo është gjithashtu e vërtetë në ambientin e artit: duhet menduar se çfarë duhet shprehur, si duhet shprehur dhe se kujt i duhet shitur arti. Është një proces politik në çdo fazë të tij. Kushdo që thotë të kundërtën, gënjen. Pjesa më e madhe e punës sime është një deklaratë e qartë politike dhe unë ndihem krenar për të. Nuk më intereson nëse njerëzit më konsiderojnë ose jo artist.

E megjithatë veprat tuaj janë të vlerësuara...
Janë të ekspozuara në muzetë më të rëndësishëm. Në krahasim me artistët e mëdhenj bashkëkohorë, megjithatë, unë shes shumë pak në tregun e artit. Jam shumë më popullor te publiku i gjerë. Njerëzit më duan sepse me artin tim i jap zë njerëzimit, tregoj gëzimet dhe hidhërimet. Nuk do të mund të pikturoja një kanavacë abstrakte, ku pjesa e sipërme dhe e poshtme e së cilës janë të paqarta, megjithëse mund të më bëjnë të fitoj miliona dollarë. Është diçka që ha diskutim.

Fotografi, pikturë, skulpturë, video... ju mbështeteni në shumë rryma. Çfarë e përcakton zgjedhjen tuaj?
Forca dhe bukuria e jetës janë të paparashikueshme. Të gjithë kemi kuriozitet, imagjinatë, pasion. Nuk mund të jem skllav i vetëm një mjeti. Nuk jam unë që zgjedh, janë ato që më zgjedhin mua. Pa këtë shumëllojshmëri mbështetjesh do të isha i paplotë.

Titulli i autobiografisë suaj është “1000 vjet gëzime dhe pikëllime”. Cili është gëzimi më i madh i jetës suaj?
Fakti që jam gjallë (tregon fotografinë që e përdor si sfond të celularit, kur ka jetuar me babanë e tij si refugjat). Kur shoh këtë foto, shkund kokën dhe i them vetes se është e pabesueshme që kam mbijetuar.

*Ai Weiwei është artist, dizajner, aktivist dhe regjisor kinez. Intervista për “El Pais” u përkthye në shqip nga Erjon Uka.