Shënime në Blog

Dëshira e të moshuarve

Dëshira e të moshuarve

Nga Pier Aldo Rovatti/ Zoti e di se sa e dobishme është t’i thurim lavde pleqërisë (dhe Papa sapo na e kujtoi këtë gjë), por nuk është e lehtë në kohët që po jetojmë, kohë vërtetë të errëta për të moshuarit.

Nuk dimë ku t’i strehojmë.

Në shtëpitë e pushimit? Po i mbajmë nën vëzhgim edhe për shkak të vatrave të infeksionit dhe disa situatave shqetësuese, ndaj preferojmë të kthejmë shikimin nga ana tjetër dhe të mos i shohim ata të moshuar të mbledhur së bashku duke pritur fundin.

Mos ndoshta në mungesë të alternativave është më mirë t’i lëmë në shtëpitë e tyre? Varet nga situata, sepse shpesh kështu i dënojmë me një vetmi fatkeqe. Edhe kur ata kanë mundësi të paguajnë një kujdestar duhet vërejtur nëse ka gjithmonë një lidhje emocionale mes tyre.

Pleqëria në shoqërinë e sotme është shndërruar në një peshë që duhet duruar. Një herë e një kohë përfaqësonte një oaz urtësie, sot na shfaqet si ishull i pasivitetit që rritet dita-ditës. Është e vështirë të përshkruash me kthjelltësi se çfarë na shkon nëpër mend, madje edhe në kokat e më të ndjeshmëve, kur mësojmë përqindjen e të moshuarve përmes buletinit ditor të të vdekurve prej pandemisë.

Një siklet shqetësues? Konstatimi i një procesi të pashmangshëm? Një lëmsh mes këtyre dy poleve emocionale? Ndoshta është mirë të mos e shtyjmë më tej këtë hetim, sepse e dimë mirë se ku arrijmë. Sjellja që mbizotëron zakonisht është mbrojtja. Mbrojmë me kujdes pleqërinë, ndoshta edhe duke u përpjekur ta nderojmë sado pak, por mbi të gjitha mbrohemi nga fakti se herët a vonë do të bëhemi pjesë e saj.

“Shih”, themi, “ka kaluar të tetëdhjetat dhe duket si djalosh, maksimumi do t’i jepja gjashtëdhjetë!”. Gjashtëdhjetë? Por a nuk ishte kjo mosha në të cilën dikur quheshin të tjerët të moshuar? “Ke mbetur prapa”, kundërshtohet, “sot në të gjashtëdhjetat je ende i ri së brendshmi, por ndoshta edhe në pamjen e jashtme. Rinia mund të rrojë, nëse ekziston forca dhe vendimi për ta bërë”.

Të reflektojmë një çast mbi këtë “refren” të përhapur, duke lënë mënjanë mendimet mbi mundësitë dhe pabarazitë sociale. E quaj refren jo sepse është një këngë e kotë, por për arsyen e qartë se përsëritet dhe rikthehet gjithmonë. Sa janë ata që të nesërmen e përmbylljes së karrierës së tyre profesionale e nisin duke qeshur periudhën e pensionit? Pak janë në gjendje të shmangin reagimin depresiv që vjen pas ndërgjegjësimit se ka ndodhur një ndryshim.

Sido që arrihet të ndryshohet jeta e përditshme, ndoshta duke përdorur pushimin dhe lirinë për të organizuar kohën e disponueshme, hija e pleqërisë hyn në mendje e në kocka dhe mbetet atje në një formë që duket e pashlyeshme.

Nga ana tjetër, mosha e shtyrë mund të vlerësohet si një faqe e re dhe e rëndësishme në jetën tonë, me kusht që të heqim qafe këtë qëndrim mbrojtës. Nëse kemi sukses, nëse vetëm fillojmë të përpiqemi, do të zbulojmë se i ashtuquajturi “perëndim i diellit” është gjithashtu mundësia e një rifillimi, domethënë të fillojmë ta shohim jetën me tjetër sy.

Ky potencial nuk korrespondon me mençurinë e humbur që i atribuohej të vjetërve: ata nuk u mësojnë më të rinjve se mund të qëndrohet në breg të lumit për të vëzhguar ujin që rrjedh përmes tij, por është para së gjithash zbulimi i rëndësisë së një kalimi që na bën të kuptojmë se si duhet të jetojmë në kundërshtim me mitin mbizotërues të plotësisë.

Mund ta quajmë shansin për të qenë në gjendje të “jetojmë në distancë”, një “art” - nëse duam ta themi kështu - që do të na lejonte të frenonim fiksimin me atë rininë e përjetshme e cila do të ushqehej vetëm me një zell për sukses individual.

E kishte parashtruar këtë Simone de Beauvoir në esenë “Mosha e tretë”, tashmë na e tregon edhe psikanalisti Francesco Stoppa në “Mosha e dëshirës” duke paraqitur adoleshencën dhe pleqërinë të kapërcyera mbi njëra-tjetrën dhe si mosha të “krizës”, periudha në të cilat secili prej nesh gjendet përballë mundësisë për të “rinegociuar” marrëdhënien e vet me jetën dhe me identitetin personal.

Si aspekte thelbësore të një “arti të vendosjes”, në lidhje me të cilën ne sot dukemi plotësisht analfabetë, dalin përvoja “të kohës” dhe përvoja të jetuara të "dëshirës" shumë larg nga ideja e qartë e dëshirës që të gjithë kemi në mendje dhe që kultura bashkëkohore (nga filozofia te psikoanaliza) përhap me bollëk.

Prandaj, lavdërimi i pleqërisë do të kishte të bënte mbi të gjitha me dekompozimin e sekuencës drejtëvizore që na çon në mënyrë progresive nga fillimi në fund, nga lindja deri në vdekje, sikur mes së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes të tërhiqej një vijë vazhdimësie pa pangesa dhe pa gabime.

Jo, gjërat nuk janë kështu dhe jo vetëm sepse rruga karakterizohet nga pengesa dhe këto ndryshojnë gjithmonë këtë vazhdimësi lineare të supozuar. Pleqëria mund të na bëjë të kuptojmë se e kaluara dhe e ardhmja janë gjithmonë të lidhura me njëra-tjetrën në një lëmsh ??që është vendimtar për idenë tonë të jetës.

Plaku është i vetëdijshëm për rëndësinë e rrezikut si një element thelbësor i vetë jetës dhe kështu ai mund të na mësojë të heqim magjinë e një afati kohor që legjitimon progresin tonë të errët dhe pothuajse gjithmonë katastrofik.

Do të ishte edhe më befasuese të pranonim se mosha e vjetër jo vetëm që nuk është zhdukje e dëshirës, ??por përkundrazi, na bën të zbulojmë funksionimin e saj të vërtetë. Normalisht ne sillemi sikur dëshira të ishte mungesa e diçkaje dhe shtytja e lidhur për ta zotëruar atë.

Por nuk është aq e thjeshtë, siç na tregon psikanaliza më vigjilente. Përvoja që vjen nga mosha e vjetër mund të na shpjegojë se dëshira nuk plotësohet përmes një objekti sepse prodhohet falë një lloj rrëshqitje të vazhdueshme të subjektivitetit.

Me pak fjalë, përpjekja e të moshuarit për të rinegociuar marrëdhëniet e tyre me jetën do të nxjerrë në pah boshllëqet në qenien njerëzore, dhe për këtë arsye nevojën për të "banuar" atë distancë që e krijon atë. Nëse do të donim t’i jepnim një emër kësaj karakteristike thelbësore e cila pleqëria - megjithë shtrëngimet e saj dhe pjesërisht falë tyre - na ndihmon të identifikojmë, mund ta pagëzonim si "prekje njerëzore", që është gjesti që na përket më së afërmi falë aftësisë sonë për t'u marrë me distancën, përfshirë edhe fundin e jetës.

*Pier Aldo Rovatti është pedagog dhe filozof italian, themelues i Shkollës së Filozofisë së Triestes. Veprën e tij ia ka kushtuar mendimit, ndërsa është bashkëpunëtor me shumë revista dhe gazeta italiane, ndër të cilat “L’Espresso” dhe “La Repubblica”. Shkrimi u shqipërua nga Erjon Uka.