Shënime në Blog

Dinosauri i kinemasë

Jam rritur pas Luftës së Dytë Botërore, në një moment kur shtetet po përpiqeshin të rindërtoheshin dhe kur ashtu si sot kishte miliona refugjatë, që siç të gjithë e dinë, i kam shumë përzemër. Atëherë thuhej: kurrë më konflikte dhe dhunë. E pamë se si shkoi kjo punë.

Dinosauri i kinemasë

“Jam një dinosaur i lumtur”. Për befasinë e të gjithëve, kështu e përkufizon veten Richard Gere, që shton se është edhe “budist, pacifist dhe dëshirëplot për të kaluar sa më shumë kohë të jetë e mundur me fëmijët”. Flet për kinemanë, për karrierën, luftën dhe fenë, në një moment që filmi kult “An Officer and a Gentleman” i cili në vitin 1982 e projektoi si një yll në industrinë kinematografike, mbush 40 vjeç.

A ishte ky filmi i kthesës?
Jo, drejtimin e karrierës ma dha “Days of Heaven” që në vitin 1978 më hapi dyert e kinemasë. Nuk do ta mendoja se “An Officer and a Gentleman” do të kishte kaq shumë sukses, në atë kohë nuk e ndjeja veten më të mirë se aktorët e tjerë. Kur regjisori Taylor Hackford më dha skenarin e filmit, i kërkova ta bënte më të fortë, më realist sepse më dukej shumë romantik. Pastaj filmi i pëlqeu të gjithëve, edhe Bernardo Bertolucci e pëlqeu, megjithëse kishte një rezervë politike.

Dinosauri i kinemasë

Cilën?
Ai më tha se kishte vlerësuar çdo gjë në film, përveç skenës kur ushtria hyn në fabrikë mes duartrokitjeve të punëtorëve.

A keni menduar ndonjëherë për të xhiruar vazhdimin e “Pretty Woman”, një tjetër sukses i madh i juaji i vitit 1990?
Është folur me regjisorin Gary Marshall për këtë gjë, por projekti nuk shkoi kurrë deri në fund edhe për shkak të vështirësisë në gjetjen e historisë së duhur. Ai film, me të cilin papritur u identifikuan kaq shumë njerëz, lindi nga një magji e paprogramueshme, njësoj si dashuria.

Dinosauri i kinemasë

A do të vdesë kinemaja nga programet e filmave me pagesë?
Askush nuk mund ta parashikojë të ardhmen, por as unë që e konsideroj veten një dinosaur që gjatë pandemisë ndenja në shtëpi, nuk mbaj mend herën e fundit që kam parë një film në sallën e kinemasë. Covid-19 vetëm sa e përshpejtoi ndryshimin që po ndodhte. Transmetimi i filmave në platformat televizive mund t'u japë një audiencë shumë të madhe filmave të vegjël të pavarur, por nëse do të zhdukeshin plotësisht kinematë, do të humbiste ndjenja e komunitetit. Dhe kjo do të ishte e tmerrshme.

Nuk tundoheni për të kaluar në regjisurë?
Asnjëherë nuk lodhem së qeni një trazovaç në sheshxhirim, sepse di shumë gjëra... Por nuk e kam ndjerë kurrë nevojën për të kaluar prapa kamerave sepse kam pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë bashkëpunimi me të gjithë regjisorët.

Për ju që jeni mik personal i Dalai Lamës, çfarë do të thotë të jesh budist?
Kurrë nuk kam pritur të ndikoj në besimin e ndokujt, por ama uroj që çdo qenie njerëzore ta arrijë lumturinë duke ndjekur rrugën vetjake. Lutem që të gjitha fetë e botës të jenë të lidhura mes tyre në emër të komunitetit dhe përkatësisë.

Çfarë mendimesh ju lindin nga situata aktuale në botë, me luftën që po zhvillohet në Ukrainë?
Jam rritur pas Luftës së Dytë Botërore, në një moment kur shtetet po përpiqeshin të rindërtoheshin dhe kur ashtu si sot kishte miliona refugjatë, që siç të gjithë e dinë, i kam shumë përzemër. Atëherë thuhej: kurrë më konflikte dhe dhunë. E pamë se si shkoi kjo punë. Edhe pse jam pacifist, besoj se në këtë botë relative ku jetojmë duhet të mbrojmë dhe të ndihmojmë Ukrainën. Duke menduar edhe për Kinën që ka një plan ekspansionist në afatgjatë, besoj se NATO dhe BE janë të vetmet institucione që kërkojnë të aplikojnë shtetin e së drejtës.

Sipas jush, çfarë duhet bërë për të ndaluar thellimin e dhunës?
Sigurisht nuk duhen urryer rusët, ama duhen trajtuar si fëmijë të cilëve u kujtohet me vendosmëri se disa gjëra s’mund të bëhen. Sulmi ndaj Ukrainës i bashkoi të gjithë kundër Putinit, pikërisht diçka që ai nuk e donte. Për të shmangur luftën globale, në vendet tona të lira dhe demokratike ne duhet të zgjedhim liderë me një ndjenjë përgjegjësie. Dhe të përgatitemi për një sezon angazhimesh dhe sakrificash financiare.

Në ç’gjendje shpirtërore ndodheni sot?
Jam i lumtur që kam rifilluar të udhëtoj pas pandemisë. Më mbushet zemra kur shoh kaq shumë njerëz të buzëqeshur.

Nëse do të mundeshit, çfarë do të ndryshonit në jetën tuaj?
Meqë nuk mundem, nuk e mendoj fare. Jam i lumtur për gjithë sa kam bërë dhe e konsideroj veten me fat.