Shënime në Blog

Duhen superfuqi për t’u dashuruar gjithë jetën

Një pjesë e mirë e njerëzve që më rrethojnë, mes 40 dhe 60 vjeç janë të ndarë, të divorcuar për arsye të ndryshme. Ky numër është sot më i lartë krahasuar me brezin e prindërve të mi kur çifti nga pikëpamja sociale duhej të qëndronte bashkë. Vërtetë duhen superfuqi: ndodhin shumë gjëra bashkë në çift... nuk ka recetë, por mendoj se elementi më i rëndësishëm është vlerësimi, një bashkues i thellë që nuk dëmtohet.

Duhen superfuqi për t’u dashuruar gjithë jetën

Për t’u dashuruar gjithë jetën, duhen superfuqi. Marko dhe Ana, personazhet e filmit “Superheronjtë” luajtur nga Jasmine Trinca dhe Alessandro Borghi, e kuptojnë shpejtë. Ata janë heronjtë e sotëm, çift që i rezistojnë kohës. Bëhet fjalë për filmin e ri të regjisorit dhe shkrimtarit Paolo Genovese, autor i “Të panjohurit e përkryer”.

“Doja të rrëfeja ndikimet e kohës mbi një çift”, thotë ai.

Si e tregoni këtë çift?
Janë realizuar shumë histori çiftesh, pse na duhet një tjetër? Në 126 vite, kinemaja ka treguar gjithçka. Më parë mund të xhiroje një histori dashurie dhe ta quaje “Love Story”... por dalëngadalë historitë shtresëzohen dhe duhet të gjesh një mënyrë të ndryshme për t’i treguar. Unë kërkoj një mënyrë që mua së pari më bën kurioz. Fabula e filmit “Të panjohurit e përkryer” nuk ishte e re: sa pak e njohim njëri-tjetrin mes çifteve apo miqve, por ideja e celularëve (të vendosur në tavolinë për t'i bërë të ditur të gjithëve përmbajtjen e çdo mesazhi apo telefonate të marrë gjatë një darke,) e aktualizon këtë ide. Për “Superheronjtë” kam kërkuar një këndvështrim të veçantë: kohën. Njëzetë vitet e Anës dhe Markos janë xhiruar si të ishin dy filma në një: dhjetë vitet e para dhe dhjetë vitet e dyta të treguara pjesë pas pjese. Fillohet me nisjen e vitit të dhjetë, të parin nga i njëmbëdhjeti e kështu me radhë... Të vendosur përballë për të treguar se si koha i ndryshon marrëdhëniet: si bëhet dashuri në fillim dhe pas dhjetë vitesh, si grindesh, si ndryshojnë heshtjet, pushimet ku në fillim izolohesh nga bota e pastaj rrethohesh nga miqtë. Nuk ka kthime pas. Të dyja historitë udhëtojnë paralelisht. Për një dyzetëvjeçar historia e maturuar është e tashmja ku nisin kujtimet. Por një njëzetë e pesë vjeçar sheh një histori në fillim dhe filmi projekton se ç’mund të bëhet në të ardhmen.

Ana krijon një sërë novelash grafike në të cilat përfaqëson veten dhe Markon si “Superheronj” që çdo seri përballen me një mision të ndryshëm: punë, moskuptime, miq, zakone, fëmijë...
Një pjesë e mirë e njerëzve që më rrethojnë, mes 40 dhe 60 vjeç janë të ndarë, të divorcuar për arsye të ndryshme. Ky numër është sot më i lartë krahasuar me brezin e prindërve të mi kur çifti nga pikëpamja sociale duhej të qëndronte bashkë. Sot në këtë liri të madhe që jetojmë, e që më në fund lirinë e përjetojnë edhe gratë, kush reziston – dhe që qëndrojnë bashkë jo prej zakonit – e arrin sepse do të rezistojë. Vërtetë duhen superfuqi: ndodhin shumë gjëra bashkë në çift... nuk ka recetë, por mendoj se elementi më i rëndësishëm është vlerësimi, një bashkues i thellë që nuk dëmtohet.

“Superheronjtë” është edhe një roman që ju e keni botuar një vit më parë. Ç’raport keni me filmin?
Gjithmonë i kam shkruar filmat e mi, por te narrativa arrita disi rastësisht me “Dita e parë e jetës sime”. Historia lindi për një film të ndërprerë njujorkez dhe që e mbylla vetëm tani në Itali. Doja ta rrëfeja atë histori për t’ia qartësuar vetës sime. Nuk mund ta xhiroja me kamer, prandaj e xhirova me fjalë e pas skenarit, shkrova edhe librin. Një punë nxitëse. Skenari është një manual udhëzimesh, por 50% e punës bëhet në sheshxhirim, duke bashkuar përbërës të ndryshëm: aktrimin, muzikën, vendndodhjen... nëse nuk bëhet film, mbetet hiç. Një roman ta mundon imagjinatën, të detyron të shkosh deri në thellësi, mund të tregosh edhe historitë e pasme... Një sforcim kreativ që doja ta përsërisja me “Superheronjtë”. Fillimisht shkrova subjektin, trajtesën e parë e më vonë romanin. Në fund fare përfundova skenarin me ide të reja.

Sa peshë ka shkrimi në një film?
Nuk mund të ekzistojë i vetëm, por skenari është gjithçka. Kërkon kohë. Historia duhet të jetë e përcaktuar fillimisht, më pas duhet lënë të qetësohet, të rishihet, të rafinohet e pastaj të ndryshohet. Këtë e kam kuptuar në vitet e fundit. Fazën e shkrimit e konsideroj si moment ballafaqimi, të cilin e ndaj me skenaristët e zanatit dhe të tjerë që kontribuojnë vazhdimisht në filma të veçantë.

Ana dhe Marko. Emrat e protagonistëve janë një homazh për Lucio Dalla-n?
Doja t’i jepja një motivim të fortë, por thjesht për t’i mbajtur mend më kollaj emrat gjatë shkrimit të tekstit, zgjodhëm si emra të përkohshëm ata të këngës së Dalla-s, personazhe emblematikë të një historie dashurie, si Romeo dhe Zhuljeta. Pastaj nuk i ndryshuam më. Në film doja t’i bëja vërtet homazh Dalla-s, që e dua shumë: të përdorja sërish këngën “Anna e Marco” do të ishte shumë didaktike, prandaj zgjodha këngën “Disperato erotico stomp”.

Në Ponza, Ana dhe Marko kërcejnë gjatë pushimeve të tyre të para dhe pas dhjetë vitesh sërish me miqtë. Muzika luan një rol të rëndësishëm në film?
Ka një rol të rëndësishëm në jetën time dhe në të gjithë filmat e mi, ashtu si për shumë të tjerë. Mund të ndodhë që në një copë jetë mund të mos ketë muzikë, por një jetë e tërë domosdoshmërisht do ta ketë patjetër një kolonë zanore, të ketë këngë që të bëjnë të qeshësh apo të qash. Vëmendja ndaj muzikës është edhe më e madhe në libër, ku mund të fusja çdo titull, mjaftonte ta shkruaja. Nuk kisha buxhet mjaftueshëm, por edhe në film shfrytëzova mundësi të mëdha.

Si protagonistë keni zgjedhur Jasmine Trinca dhe Alessandro Borghi.
Nuk mendoj kurrë për aktorët kur shkruaj sepse rrezikoj ta shtyp personazhin. Ngarkesa e jashtëzakonshme emocionale e Jasmine ishte perfekte për “Superheronjtë”. Ndërsa me Alessandro-n kemi qenë disa herë në kontakt. Më pëlqeu të përdorja një aktor të jashtëzakonshëm në një personazh të ri, të cilin publiku nuk e pret nga pamja, nga mënyra e të folurit... Bëmë një studim të thellë. Përveç kësaj, ashtu si unë, Alessandro është i fiksuar pas kohës.

Për Markon koha nuk ekziston...
Ai mendon se nuk ka të shkuar dhe të ardhme, por ekzistojnë vetëm çastet që jetojmë. Por në fund thotë se asgjë nuk është e vërtetë dhe këtë e kupton kur për të dhe për Anën koha nis vërtetë të mungojë. E perceptojmë kohën si të pafundme, por nuk është e tillë: për shkak të fillimit të një sëmundjeje që e ndërpret në mënyrë të papritur, ose për arsye të tjera, deri në vdekjen nga pleqëria. Më dukej i rëndësishëm një reflektim për kohën e kufizuar të jetesës, veçanërisht në raport me një çift.

Një reflektim që ka lindur para pandemisë, por që duket shumë aktual.
Pandemia është apoteza e efektit të kohës mbi çiftet, shumë i ka djegur, të tjerë i ka detyruar ta dendësojnë kohën.

Pas “Superheronjtë” do të vijë “Dita e parë e jetës sime”, ku një personazh misterioz i dhuron protagonistëve, të cilët janë të bindur se kanë arritur fundin, një javë kohë për të zbuluar se si mund të ishte bota pa ta.
Duhej të ishte një film në anglisht, por pandemia bllokoi gjithçka. E kam ambientuar në Romë dhe kam pasur një kast të mrekullueshëm aktorësh: Toni Servillo, Valerio Mastandrea, Margherita Buy... që i kanë mishëruar personazhet fiks siç i kisha imagjinuar. Jemi në fazën e fundit të montazhit.

Duhen superfuqi për t’u dashuruar gjithë jetën
Romani "Dita e parë e jetës sime"

Një histori universale si “Të panjohurit e përkryer” që arriti rekordin duke u xhiruar 22 herë në vende të ndryshme. A është i tillë edhe “Superheronjtë”?
Një film është i përbotshëm nëse flet një gjuhë që të gjithë mund ta kuptojnë. Edhe nëse bëhet fjalë për një histori në një kontekst të veçantë kulturor si “Parasite” i flet të gjithëve dhe trajton tema dhe emocione absolute.

*Paolo Genovese (Romë, 1966) është një nga regjisorët italianë më të rëndësishëm. Me “Të panjohurit e përkryer” (2016) fitoi çmimin David di Donatello për filmin dhe regjinë më të mirë. Në shqip është botuar romani “Dita e fundit e jetës sime”. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.