Shënime në Blog

Dy marrëdhënie të reja aspak utopike

Dy marrëdhënie të reja aspak utopike

Nga Erjon Uka/ Ballkoni. Mendoj se do të jetë kjo ndër fjalët kryesore për të kujtuar situatën që po kalojmë, sikundër do të jetë pjesë e nostalgjisë. Shpejt, kur u pa se pandemia e kishte seriozisht dhe karantina ishte e pashmangshme, ballkonët reshtën së qeni vende që shfrytëzoheshin si hambarë për objekte të rëndësisë së tretë në shtëpi, si vende për të nderur veshjet a si hapësira prej nga mund të shkundej tapeti, sepse pjesa më e madhe e jona as e çonim ndër mend ta kalonim kohën e lirë aty. Por ato u rikthyen sërish vende qetësie. Ballkoni u kthye në, siç Albin Kurti e tha në mesazhin drejtuar kosovarëve, vendin e vetëm që mund të dalim jashtë kur nuk mund të dalim jashtë.

Me një tavolinë, disa karrige, vazo, me një riorganizim të shpejtë të hapësirës, ballkonët tashmë përfaqësojnë vende ku kalohet koha e lirë, ku pihet kafeja, ku merren edhe reze dielli, ku bëhen ushtrime a ku lexohet një libër, ku më në fund njihet se kush është komshiu ngjitur. Ose thjesht ku qëndrohet, duke iu falur qetësisë dhe ajrit që duket sikur po e thith nga maja e Dajtit. Dhe duket sikur disa gjëra thjesht kthyer në gjendjen natyrore. Megjithëse, fatkeqësisht, nuk mendoj se do të zgjasë shumë. Por, ia vlen që të provojmë të vendosim disa balanca të reja.

Së pari, vlen për t’u vendosur një marrëdhënie e re me natyrën jashtë nesh, pra me atë që zakonisht e quajmë mjedis. Nuk është një koncept i ri, pasi që në 1995 Michel Serres me anë të librit të tij “Kontrata natyrore” kërkonte vendosjen e një kontrate të re natyrore, të ngjashme me kontratën sociale, mes njerëzve dhe Tokës. Historia jonë është shpesh e njohur si historia e konflikteve njerëzore. Historia përfshin shumë luftëra që kanë diktuar fatet e njerëzimit, por aty duhet të përfshihet edhe dhuna e pakontrolluar e njerëzimit mbi Tokën.

Vetë filozofi francez Michel Serres, që u largua nga jeta tre vite më parë, mendonte se mbijetesa jonë varet nga masa në të cilën njerëzit bashkohen dhe veprojnë në nivel global, në një Tokë të konceptuar tashmë si një entitet. Kjo nuk është se ka qenë diçka e paditur, pasi diskutimet për ndryshimet klimatike e për vështirësitë e arinjve polarë kanë kohë që qarkullojnë. Por nëse për shumicën e publikut këto fakte kanë qënë të largëta dhe dukeshin ndodhi të një botë që nuk na përkiste ne, tashmë kemi mundësinë të bëjmë dallimin.

Si në ekperimentet shkencore, le ta konsiderojmë “detyrimin” për qëndrim në shtëpi një konstante që ta përjashtojmë nga eksperimenti: A nuk ndihemi mirë me ajrin më të pastër? Me më pak makina? Me qetësinë që shpërhapet me rënien e muzgut? Të njëjtën qetësi si ne po e përjeton edhe korja e Tokës, e cila për shkak të mungesës së lëvizjeve të përditshme të trenave, autobusëve, ngritjes së avionëve dhe lëvizjes së makinave, po dridhet më pak. Për shembull në Bruksel u pa një ulje prej 30%-50% e zhurmës sizmike të ambientit që kur vendi filloi të zbatojë mbylljen e shkollave dhe të bizneseve. Në Athinë, ku situata ishte aq problematike sa thuhej se ishin dëmtuar edhe monumentet e trashëgimisë kulturore, ndotja e ajrit ka rënë me 50% nga mesi i marsit deri në mesin e prillit. Milano ka pasur një ulje të ndotjes së ajrit mes 30% dhe 40%. Një banor në Punjab thoshte se për herë të parë në tridhjetë vite mund të shihte qartë Himalajet. Ky është eksperimenti më i madh që ka ndodhur ndonjëherë në këtë fushë, do të duheshin miliarda dollarë për ta kryer dhe asnjë nuk do ta dëshironte, por thjesht ndodhi. Dhe rezultatet shihen me sy të lirë.

Por përtej marrëdhënies me natyroren jashtë nesh, ka edhe një marrëdhënie me natyroren brenda nesh që duhet stabilizuar. Kush më shumë e kush më pak, në ndonjë prej këtyre javëve mund të ketë ngritur pyetjen: Pse bëj unë atë që bëj, kundër asaj që trupi im kërkon? Dhe megjithëse ajo “Pse-ja” tremb, në këtë rast nuk ka asnjë lidhje me krizën ekzistenciale. Por lidhet vetëm me gjëra të vogla të jetë së përditshme, që na dëmtojnë. Qëndrojmë zgjuar deri vonë për të mbaruar një detyrë a për të përfunduar një projekt, duke shkatërruar orën e brendshme biologjike. Organizata Botërore e Shëndetësisë (tek e cila gjithsesi duhet të jemi disi më dyshues pas menaxhimit të dobët të situatës së Covid-19) thotë se nevojiten 7 deri në 10 orë gjumë në ditë për një jetë të shëndetshme, ndërkohë që Gallup tregon se sot njerëzit flenë një orë më pak se në vitin 1942 dhe se japonezët, amerikanët dhe anglezët mestararisht flenë më pak se 7 orë në ditë. Nga ana tjetër punojmë pa pushim në zyrë, në qëndrime që na dëmtojnë, duke ngatërruar edhe regjimin e vakteve. The Economist para pak muajsh tregonte se dhimbjet e qafës dhe problemet e shpinës rënditeshin ndër sëmundjet më të shpeshta të gjeneratës sonë. Kërkojmë gjithashtu të jemi gjithë kohën online, të përditësuar me gjithë sa ndodh, qoftë edhe për forcë zakoni e më e rënda është se kjo konsiderohet si një gjë thuajse normale. Ndërkohë, varësia nga video lojërat është konsideruar zyrtarisht sëmundje, dhe shumë shpejt e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me rrjetet sociale. Dhe secili mund të rendisë këtu shumë e shumë veprime të tjera, që janë anti-natyrale, që pa kuptuar çdo ditë po na transformojnë.

Por a ka qenë kështu gjithmonë? A nuk kanë vuajtur edhe skllevërit që kanë vdekur duke mbajtur pesha? A nuk kanë vuajtur punëtorët prej 16 orëve punë në ditë? A nuk kanë korrur bujqit fushat në temperatura të larta e pa ujë? Po, edhe këto kanë qenë jonatyrore, por nuk duhet të kënaqemi që thjesht i kemi bërë më të sofistikuara pasojat e antinatyrores, sepse fjala bie, kush do ta vinte dorën në zjarr se 8 orë pa ujë janë më keq se ankthi i plotësimit të një projekti brenda afatit?

Historia është e mbushur me raste konfliktesh, mes njerëzve, mes Tokës dhe njerëzve, mes njerëzve dhe Tokës. Por ekziston një shans, për ta zbutur këtë konflikt dhe për t’iu afruar më shumë qenies natyrore. Javier Marias mund të ketë të drejtë kur thotë se as frika dhe as ankthi nuk e bëjnë njeriun më të mirë, duke parashikuar se gjithçka mbas kësaj situate do rikthehet si më parë. Po nëse krijohet vetëdije?

Sot besoj se të gjithë ne, e kemi një vetëdije më shumë se sa avantazhe do të sillte vendosja e një marrëdhënie të tillë, me natyrën jashtë nesh dhe me natyroren brenda nesh. Por edhe nëse kjo na duket shumë më e madhe se ne, më globale, më e paarritshme, të paktën kemi shansin që të vazhdojmë të ruajmë ballkonet. Shndërrimi i tyre nga shfrytëzimi si magazina në hapësira pushimi siç është dhe qëllimi i projektimit, është një shembull se çfarë qetësie mund të na japë një rikthim te natyrorja.