Shënime në Blog

E ardhmja e nipërve të zotit Keynes

Nëse arrijmë të krijojmë pasuri të madhe pa krijuar vende pune për të gjithë, si mund të mbështetemi te një numër i mjaftueshëm konsumatorësh, e më pas te një numër i konsiderueshëm punonjësish me paga të qëndrueshme, një element i domosdoshëm ky për të mos shkatërruar mekanizmin ekonomik?
E ardhmja e nipërve të zotit Keynes

Nga Rudy Gnutti/ Pasi prezantova “In the same boat” [film dokumentar] në shumë vende të botës, i shoqëruar nga ekonomistë me përkatësi të ndryshme ideologjike, unë vazhdoj të kem shumë dyshime dhe pak siguri. Sidoqoftë, një gjë më duket e qartë: teknologjia po ndryshon botën, por pothuajse në të gjitha fushat, duke filluar nga ekonomia, sociologjia apo psikologjia, është e vështirë të përshtatemi.

Protagonistët e “In the same boat” si Zygmunt Bauman, Jose Mujica, Mariana Mazzucato, Rutger Bregman apo Dani Raventos, vënë në dyshim ndikimin që ka zhvillimi teknologjik në jetën tonë: a duam të jetojmë duke e deleguar pjesën më të madhe të punës te “makineritë”? A jemi gati të përballemi me ndryshime të tilla sistemike?

Sot bota përballet me zgjedhje epokale: pandemia, siç është tashmë e dukshme, ka përshpejtuar ritmet. Rruga që po ndjekim do të shënojë të ardhmen e brezave pasardhës. Ka shumë qeveri dhe organizata ndërkombëtare që kanë arsyetuar dhe po mendojnë për këto çështje: Cila është mënyra e duhur? A na duhet planifikim afatshkurtër? Cili është qëllimi përfundimtar, vizioni afatgjatë?

Për të gjetur një situatë të ngjashme duhet të kthehemi në vitin 1930, midis dy luftërave, kur Perëndimi po kalonte një moment kritik: bota ishte zhytur në një humnerë pas krizës ekonomike të vitit 1929, papunësia dhe mjerimi kishin gjunjëzuar gjithë sistemin, nacionalizmat dhe populizmat paralajmëronin një të ardhme të pasigurt.

Në Angli dhe më gjerë, të gjithë sytë u drejtuan drejt një karakteri brilant që mendonte jashtë skemave dhe e konsideruan që atëherë si një prej ekonomistëve më të rëndësishëm të shekullit: John Maynard Keynes me revolucionin e tij teorik, që shpejt fitoi emrin e “revolucionit Keynesian”.

Keynes, me një formulë shumë të thjeshtë, shpjegoi se për të dalë nga kriza shteti do të duhej të investonte në të gjithë sektorët. Me një efekt domino kjo do të riaktivizonte punën dhe si pasojë konsumin i cili, nga ana tjetër, do të riaktivizonte prodhimin. Kjo ishte receta e tij, rruga e tij, propozimi i tij afatshkurtër, i menjëhershëm. Por, cili ishte propozimi afatgjatë? Ku duhej të na çonte kjo zgjedhje?

Keynes e shpjegoi këtë në vitin 1930 në një ese pak të njohur me titullin “Perspektivat ekonomike për nipërit dhe mbesat tona”. Në 100 vjet, pra në vitin 2030, bota falë teknologjisë do të ndryshojë rrënjësisht, na thotë Keynes, makineritë do të zëvendësojnë punën njerëzore dhe të gjithë do të marrin përfitime prej kësaj situate të re. Ne do të punojmë 3 orë në ditë, para arritjes së qëllimit përfundimtar: zhdukja totale e asaj që ai e quante “problemi ekonomik”.

Sot, rruga është e njëjta që propozohej nga Keynes, shteti do të jetë investitori i parë që do të shtyjë pjesën tjetër, por kujdes, ne nuk jemi në kilometrin 0, nuk jemi më në vitin 1930, tani jemi afër arritjes së qëllimit të vitit 2030, kështu që karakteristikat e së njëjtës rrugë kanë ndryshuar plotësisht. Por cilat janë këto ndryshime që udhëheqësit tanë, shpresojmë, se po i marrin parasysh tashmë?

1. Teknologjia ka avancuar jashtëzakonisht shumë, është aq efektive sa shumë prej punëve, përfshirë ato intelektuale, u janë deleguar tashmë makinerive. Nëse shteti investon sot, nuk do të thotë siç mendohej në vitin 1930 që automatikisht krijon punë të mjaftueshme për të gjithë. Kjo do të varet nga sektori.

2. Ka një element më urgjent që as Keynes nuk e kishte parashikuar: si ta shfrytëzojmë këtë motor me kapacitet të plotë duke përdorur burime natyrore sikur të jenë të pafundme, kur gjithçka tregon të kundërtën? Çdo aktivitet ekonomik, sado i qëndrueshëm të jetë, gjithmonë shkakton një ndikim të pakthyeshëm në mjedis.

3. Nëse arrijmë të krijojmë pasuri të madhe pa krijuar vende pune për të gjithë, si mund të mbështetemi te një numër i mjaftueshëm konsumatorësh, e më pas te një numër i konsiderueshëm punonjësish me paga të qëndrueshme, një element i domosdoshëm ky për të mos shkatërruar mekanizmin ekonomik?

A mund të krijojmë gjithnjë e më shumë produkte dhe shërbime të reja për të arritur punësim të plotë? Do të ishte një zgjidhje, por pika e dytë që trajtuam më sipër, që bën fjalë për problemin e qëndrueshmërisë së mjedisit, na e ndalon ta bëjmë këtë.

Bizneset kanë gjithnjë e më pak nevojë për punëtorë, por vetë këto biznese nuk mund të bëjnë pa konsumatorë. Ky është thelbi real i çështjes: të mos prishim zinxhirin pa hequr dorë nga përfitimet e mëdha të rritjes teknologjike.

Dikush beson se gjendemi përballë metaforës së jorganit shumë të shkurtër për këmbët tona. Por nuk është kështu, sepse jetojmë në një botë gjithmonë e më të pasur. Prandaj absurditeti është se jorganin e kemi të madh, por mbulojmë vetëm kokën, teksa pjesa më e madhe e trupit mbetet zbuluar. Nga njëra anë ngrijmë së ftohti, por nga ana tjetër jorgani shumë i madh fillon të na mbysë. Pikërisht ajo që Keynes shkruajti në vitin 1930: “Po vdesim nga rritja shumë e shpejtë, jo nga mungesa”.

Në Europën e vitit 1930 absolutizmat e shtynë botën në Luftën e Dytë, e cila përfundoi me 60 milion vdekje. Sot, në vitin 2021, liderët botërorë duhet të merren edhe me diçka jashtëzakonisht më të madhe: ndryshimi i klimës me pasojat që mund të jenë edhe më dramatike.

*Rudy Gnutti është shkrimtar, regjisor dhe producent. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.