Shënime në Blog

E para intervistë si nobelist, Giorgio Parisi përdor studimin mbi zogjtë për të shpjeguar si duhet të jetë shoqëria jonë

Shkenca është në vështirësi, edhe për shkakun se mungon përhapja e kulturës shkencore. Prandaj besoj se shkenca duhet t’u mësohet fëmijëve që të vegjël, sigurisht në mënyrë të thjeshtuar. Nuk mund të habitemi që askush nuk u beson vaksinave me RNA për sa kohë askush nuk e ka vrarë mendjen t’u shpjegojë se çfarë janë.
E para intervistë si nobelist, Giorgio Parisi përdor studimin mbi

Është ky kaosi që keni studiuar gjithmonë? “Në fakt i ngjan shumë”, buzëqesh Giorgio Parisi kur kolegët dhe gazetarët e tërheqin nga xhaketa, në atë që është dita më e çrregullt e jetës së tij, mes dollive, telefonatave dhe përgëzimeve në “Accademia dei Lincei” ku është zëvendëspresident. “Por ka qenë gjithmonë pasioni i jetës sime dhe objekt i kërkimeve të mia që të vendos rregull në kaos”.

Ditë e bukur për shkencën?
Kishim nevojë. Në thelb, është falë shkencës dhe vaksinave që sot ne mund të festojmë së bashku. Shpresoj që çmimi të jetë një sinjal që të kthejë tendencën e kërkimit shkencor italian. Sot ka shumë të rinj që detyrohen të punojnë jashtë vendit.

Si vallë ju keni ndenjur gjithmonë në Itali?
Kam pasur gjithmonë dëshirë të qëndroj dhe kam qenë me fat. Këtu kam pasur mentorë dhe kolegë të shkëlqyer.

Keni shkruar artikuj shkencorë të pakuptueshëm, por edhe përralla për fëmijë.
I kam shkruar për dy fëmijët e mi, kurse sot i lexoj nipit që kështë katër vjeç.

Ju thoni se shkenca u mësohet fëmijëve që në kopsht. Ju i transmetoni diçka nipit tuaj?
Ai është i pasionuar pas dinosaurve. Thotë se kur të rritet, do të bëhet një dinosaur. Por besoj se sot shkenca është në vështirësi, edhe për shkakun se mungon përhapja e kulturës shkencore. Prandaj besoj se duhet t’u mësohet fëmijëve që të vegjël, sigurisht në mënyrë të thjeshtuar. Nuk mund të habitemi që askush nuk u beson vaksinave me RNA për sa kohë askush nuk e ka vrarë mendjen t’u shpjegojë se çfarë janë.

Ju shqetësojnë kundërshtuesit e vaksinimit?
Flasim për një përqindje të vogël njerëzish, që do të ndalet në 10-15%, por që gjithsesi na bën të kuptojmë se kemi një problem. Një shekull më parë mendohej se shkenca do ta bënte më të mirë të ardhmen tonë. Sot nuk e gjejmë më këtë besim. Dyshojmë nëse vërtetë kushtet e jetës do të na përmirësohen dhe me vetëdije ose jo, për këtë ia hedhim fajin shkencës. Është e vërtetë se situata paraqitet kritike nga shumë fronte, por për të dalë nga kjo gjendje, kemi nëvojë për më shumë shkencë, jo për më pak shkencë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për ndryshimet klimatike, që kërkojnë një angazhim më të madh edhe nga ana e Italisë.

Ç’do të ndodhte nëse shkenca do të zbehej?
Jetojmë në një shoqëri të zhytur në teknologji, por harrojmë se teknologjia bazohet në shkencë. Duke e tharë këtë të fundit, rresht se ekzistuari edhe e para. Ose do t’u mbetet vetëm atyre pak vendeve që vazhdojnë të investojnë në dije. Ka një libër Marco D’Eramo me titull “Shamani në helikopter”. Përshkruan një magjistar në Azinë qendrore që praktikon formula të ndryshme magjie, por kjo nuk e pengon të përdorë helikopterin për të udhëtuar nga një vend në tjetrin. Unë besoj se sot eziston një shkëputje midis mjeteve që përdorim dhe njohurive që kemi për to. Kjo e bën shkencën të duket si pseudo-magji. Na kujton situatën e romakëve të lashtë, të cilët huazuan teknologjinë greke pa thithur kulturën e saj shkencore.

Ju përdorni shumë Facebook-un. A nuk mendoni se edhe rrjetet sociale kanë pjesën e tyre të fajit?
Më ka bërë përshtypje një libër i Nate Silver, statisticien i “New York Times”, autor i shumë parashikimeve të sakta mbi zgjedhjet amerikane. Ai tregon se tezat e Luterit nuk do të kishin kurrë një përhapje kaq të madhe nëse nuk do të përkonin me shpikjen e shtypit. Edhe sot gjendemi në një kohë në të cilën informacioni po përjeton një fazë të stërmadhe zgjerimi, pikërisht falë internetit. Ama mbetet e fragmentuar në mijëra copëza dhe krijon kamare që radikalizohen dhe duke përplasen me njëra-tjetrën. Për ta zgjidhur problemin duhet të mësojmë të zgjedhim burimet e kualifikuara dhe të kuptojmë se si formohet konsensusi shkencor. Ai që ka rëndësi nuk është një studim i vetëm ose mendimi i një eksperti të vetëm. Përkundrazi, është grumbullimi i një sërë dëshmish që i shtohen njëra -tjetrës dhe krijojnë një mirëkuptim.

Meqë ra fjala te konsensusi. Mes studimeve tuaja të shumta janë edhe tufat e shpendëve. Ju keni kërkuar të kuptoni se kush e përcakton drejtimin e grupit. A ka të bëjë kjo edhe me atë ç’ka ndodh në shoqërinë tonë?
Në tufë nuk ka një udhëheqës që i urdhëron të tjerët me shkop magjik. Është ndërveprimi midis individëve të ndryshëm që e përcakton drejtimin e grupit. Kjo më ka bërë përshtypje gjithmonë sepse tregon se lëvizjet kolektive janë shuma e tërësisë së historive individuale. Ne kemi vërejtur se kur një numër i caktuar i individëve në qendër vendosin të kthehen, shokët e ndjekin. Nëse ndryshimi i drejtimit përfshin 20-30% të zogjve, e gjithë tufa përfundon duke i ndjekur në drejtimin e ri. Por ka edhe përpjekje të dështuara. Ndonjëherë grupi nuk i ndjek individët që marrin iniciativën. E gjitha kjo ndodh shpejt, në pak sekonda, dhe është e paparashikueshme.

*Giorgio Parisi është fizikan dhe akademik italian, fitues i çmimit Nobel në Fizikë në vitin 2021 për studimin e sistemeve komplekse. Është gjithashtu anëtar i “National Academy of Sciences” në SHBA. Kjo intervistë për “La Repubblica”, e zhvilluar një ditë pas nderimit me çmimin Nobel, u përkthye në shqip nga Erjon Uka.