Shënime në Blog

Çfarë nuk dua të harroj, pas koronavirusit

Çfarë nuk dua të harroj, pas koronavirusit

Nga Paolo Giordano/ Tani jemi duke kërkuar të gjitha lidhjet e padukshme të Covid-19, por ka edhe linja të tjera transmetimi edhe më të padukshme që e kanë sjellë situatën në këtë pikë ku është, në situatën aktuale ku ndodhet Italia. Duhet t’i gjejmë edhe ato. Prandaj po përpiloj një listë me gjithëçka nuk dua të harroj. Çdo ditë shtohet diçka dhe besoj se secili duhet të ketë listën e tij, në mënyrë që kur qetësia të rikthehet t’i krahasojmë, të shohim nëse kemi të përbashkëta dhe nëse është e mundur të bëjmë diçka.

Unë nuk dua të harroj bindjen ndaj rregullave që pashë përreth meje, as habinë time kur e pashë. Sakrificën e palodhur të secilit që po kujdeset për të sëmurët, ashtu edhe për të shëndetshmit, nuk dua as të harroj afrimitetin e kujtdo që këndon netëve nga dritaret. Por për këtë nuk ka rrezik real, do të jetë e lehtë për t’u treguar sepse është fabula zyrtare e epidemisë.

Por nuk dua të harroj as gjithë ato herë, kur në javët e para dhe përballë masave të ndrojtura të marra fillimisht, dëgjova të thuhej shpesh herë “jeni të çmendur”. Vite të tëra të delegjitimimit të çdo kompetence sollën mosbesimin instiktiv dhe gjerësisht të përhapur që u materializua në ato fjalë: “jeni të çmendur”. Një mosbesim që solli vonesa. Vonesa që sollën viktima.

Nuk dua të harroj që deri në momentin e fundit nuk anulova një biletë avioni, edhe kur e pata të qartë se ta bëja atë udhëtim do të ishte diçka tej çdo arsyeje të shëndoshë, vetëm sepse doja të nisesha. Budallallëk i përzierë me egoizëm.

Nuk dua të harroj informacionin e avashtë, kontradiktor, sensacional, emocional dhe jo të saktë që shoqëroi fazat e para të përhapjes, ndoshta ky është dështimi më i dukshëm i të gjithëve. Në një epidemi, informacioni i qartë është parandalimi më i rëndësishëm.

Nuk dua të harroj se si papritur u shua e gjithë sherrnaja politike dhe ishte sikur të më kishin tërhequr veshin pasi zbrita nga avioni në të cilin nuk kisha hipur. Ajo zhurmë e vazhdueshme, vetë-referenciale e sfondit, e cila mbushte gjithçka dhe ndalonte çdo përmbajtje, çdo reflektim, papritmas u zhduk.

Nuk dua të harroj se si emergjenca na bëri të harrojmë brenda një çasti se jemi një shumicë diverse, me nevoja dhe probleme të ndryshme.

Nuk dua të harroj se Europa ishte me vonesë, me shumë vonesë dhe se asnjërit nuk i shkoi në mendje të tregonte së bashku me kurbat kombëtare të përhapjes së sëmundjeve, një kurbë europiane që të na përbashkonte në këtë aventuarë të hidhur, qoftë edhe në mënyrë simbolike.

Nuk dua të harroj se pandemia nuk e ka origjinën në një eksperiment ushtarak sekret, por në raportin tonë të kompromentuar me ambientin dhe natyrën, në shkatërrimin e pyjeve, në shkujdesjen tonë konsumeriste.

Nuk dua të harroj se pandemia na gjeti në pjesën më të madhe teknikisht të papërgatitur dhe shkencërisht në agjërim.

Nuk dua të harroj se nuk isha heroik, as i qëndrueshëm dhe as largpamës për të mbajtur të bashkuar familjen time. Kur ishte e nevojshme nuk dita të ngre moralin e askujt, e as timin.

Kurba e rasteve pozitive do të rrafshohet, ajo kurbë së cilës ia injoronim ekzistencën dhe tani vendos për ne. Do të arrijë pikun që parashikohet, e pastaj do të nisë dishezën. Nuk është urim, por do të jetë pasojë direkte e disiplinës që tregojmë tani, të masave që po ndërmerren, të vetmet efikase dhe moralisht të pranueshme.

Duhet të kuptojmë se disheza mund të jetë më e avashtë se ngjitja dhe se mund të kërkohen angazhime të tjera, ndoshta edhe mbyllje të tjera, emergjenca të tjera dhe disa kufizime duhet të qëndrojnë edhe për ca kohë. Skenari më i mundshëm është ai i përballjes me një alternativë midis një normaliteti të kushtëzuar dhe vigjilencës. Por në një moment do të marrë fund. Dhe rindërtimi do të fillojë.

Do të jetë momenti i rrahjes së shpatullave mes klasës drejtuese, i komplimenteve të ndërsjellta për gatishmërinë dhe seriozitetin e treguar. Forcimi tipik i fuqive që përballë vënies në diskutim të vetvetes, zbulojnë papritur dobishmërinë e lojës në ekip. Ndërsa ne, të hutuar, ne do të dëshirojmë të harrojmë gjithçka. Errësira e madhe që bie. Fillimi i harresës.

Vetëm nëse nuk guxojmë të reflektojmë tani mbi çka nuk duam të rikthehet sërish e njëjtë, secili për veten e më pas për të gjithë. Unë nuk e di se si mund të bëhet një kapitalizëm i tmerrshëm më pak i tmerrshëm, nuk di se si ndërrohet një sistem ekonomik, nuk di si mund të rikrijohet pakti ynë me ambientin. Madje nuk jam i sigurt nëse do të di të ndryshoj sjelljen time. Por di me siguri të plotë se asnjë prej këtyre gjërave nuk bëhet nëse nuk guxojmë të mendojmë.

Të rrimë në shtëpi, për gjithë kohën e nevojshme. Të shërojmë të sëmurët. Të qajmë dhe të varrosim të vdekurit. Por të imagjinojmë edhe për të ardhmen, ta fillojmë që tani. Le të shmangim që e paimagjinueshme të na pushtojë sërish, edhe një herë, në befasi.

Përshtatur në shqip nga Erjon Uka, për Tiranapost.al

Ripostimi i plotë është i ndaluar!