Shënime në Blog

Fjalori i çuditshëm i koronavirusit dhe qeveria që na trajton si fëmijë

Fjalori i mësuar gjatë karantinës dhe marrëdhëniet e qeverisë së Boris Johnson me anglezët. Frymëzimi i orëve të vona dhe të vërtetat e hidhura që duhen thënë. Shkrimtari anglez Ian McEwan tregon mbylljen e tij në shtëpi gjatë pandemisë.

Fjalori i çuditshëm i koronavirusit dhe qeveria që na trajton

Nga Ian McEwan/ Fjalori i Brexit është pluhurosur në harresë. Tani duhet të merremi me terma të rinj. Deri te “rrafshimi i kurbës” arrijmë të gjithë, por ç’më thoni për “fomite”, një fjalë që djali im i madh me profesion virolog, i shpjegoi të gjithë familjes që në fillim të epidemisë? Është një objekt ose një sipërfaqe mbi të cilën një agjent infektues si koronavirusi mund të qëndrojë në pritë për të infektuar dikë dhe ai dikush mund të jeni pikërisht ju. Mund të jetë doreza e kutisë së postës, macja e fqinjit, topi i tenisit, të gjithë kandidatë të mundshëm. Por këtë gjë ju e dinit tashmë.

Por ç’mund të më thoni për zarfin lipidik, predha e jashtme e disa viruseve? Mësuam me lehtësim të madh se zarfi i koronavirusit tonë shkatërrohet lehtësisht me ujë dhe sapun. Por lajmet e mira nuk përfundojnë këtu: ky virus ka një gjenom të përbërë nga filamente të veçuara ARN-je që është shumë më i madh ose më i gjatë se thuajse gjithë të tjerët. Viruset ndryshojnë në mënyra thuajse të rastësishme, me një shpejtësi të habitshme. Kurse ky, përkundrazi, duhet të ruajë stabilitetin e gjenomit të tij të rëndë dhe nuk mund të transformohet lehtësisht në ndonjë version edhe më të pakëndshëm të vetes.

Një lajm më pak i mirë është që me përhapjen graduale nëpër botë dhe me mundësitë e infektimeve që shumëfishohen në mënyrë eksponenciale, mund të jetë me fat dhe të jetë në gjendje të ndryshojë. Në fund, është edhe imuniteti i masës, ose imuniteti i tufës. Për të krishterët, që e pëlqejnë termin dele të tufës, nuk ka asnjë problem, por gjithë ne të tjerët ofendohemi disi kur epidemiologët ose politikanët na përkufizojnë në këtë mënyrë. Pse mos të quhet “rezistencë popullore”? Shumë zjarrvënës si përkufizim? Nevojitet ndërhyrja e një poeti.

Ishte viti 1950 kur për herë të parë u instaluan mikrofonët në Dhomën e Deputetëve. Nga ai vit, do të duheshin edhe tridhjetë e tetë vite të tjera përpara se debatet parlamentare të fillonin të transmetoheshin në radio. Me shumë mundësi, sot do të skuqeshim nëse do të dëgjonim arsyet se pse disa mbështesnin tezën se do të ishte më mirë që të na ndalohej ne qytetarëve të ndiqnim në kohë reale debatet parlamentare. Por zakoni i politikanëve tanë për t’i trajtuar zgjedhësit si fëmijë, nuk del as me shpirtin. Shumë prej nesh u trembëm kur dëgjuam se kryeministri ynë u shtrua papritur në spital, dhe më pas u dërgua në terapi intensive për shkak të një problemi të rëndë, u tha nga numri 10 në Downing Street, me “humor të mirë”.

E dinim mire që në këto kohë humori i mirë mund të kurohet në mënyrë efikase në shtëpi. Frika për të përhapur “alarm dhe dëshpërim” është një nga trashëgimitë më të bezdisshme që na ka ardhur nga përvoja jonë e Luftës së Dytë Botërore. Ka ardhur koha që të gjithë të rritemi, përfshi edhe zyrën e shtypit të qeverisë. Debati i ardhshëm parlamentar mbi vazhdimin ose ndërprerjen e politikës së izolimit apo hapjen me shumë gjasa të shkollave në shtator duhet të transmetohet në televizion. Nuk duam thjesht të themi fjalën tonë, duam të përfshihemi. Dhe ne jemi tashmë të përfshirë, në një mënyrë të veçantë. Nëse ka një kontradiktë midis ekonomisë dhe shëndetit, dëgjojmë këmbanat e ndryshme të alarmit. Është një temë e rëndësishme. Nëse ka mospërputhje në mendimet e ekspertëve, ne mund t'i trajtojmë ato.

Nëse Boris Johnson, lumturisht i rikthyer në detyrë, injoron disa ose të gjithë kolegët e tij, durim. Në dhjetor ia dhamë ne mundësinë që ta bënte. Jemi në gjendje të kuptojmë në mënyrë të bollshme divergjencat mes politikanëve, pikërisht siç jemi në gjendje të kuptojmë tërësisht përgjegjësitë kolektive të ekzekutivit. Në këtë krizë ka rreziqe, dikush në drejtim të qeverisë vendos t’i ndërmarrë. Dhe pikërisht kjo është çështja: rreziqet janë tonat.

Si po na ndryshojnë këto ditë? Edhe vetë koha po tjetërsohet. Po transformohet në një rrafshinë të gjerë përreth nesh, po rrallohet, ndoshta është në pikën kur mund t’i bjerë të fiktë. Javën e kaluar po punoja, ishte rreth mesnatës. Kisha në mendje një përsonazh që në mëngjes, duke ndenjur në dhomën e tij, shpërqëndrohet nga një zhurmë që vjen nga jashtë. Shkruaja për “zogjtë grinden në qepalla”. Por e kuptova direkt se nuk ishte miell nga thesi im. E dija se ishte rresht i një të famshmi, por aty për aty nuk po e gjeja dot. Shkova të rrëmoja mes rafteve, në sektorin e pozisë, dhe nxora “Selected Poems”, një përmbledhje nga “Penguin”.

Isha shumë i sigurt se vargu ishte i një poezie të D.H. Lawrence, “The End of Another Home Holiday”. Por nuk ishte kështu. Gjithsesi u ula për t’i hedhur një sy një duzine kandidatësh të mundshëm, mes të cilave poezia që e shkroi në pragvdekje “Bavarian Gentians”, dhe një tjetër të pazakonte për Laërence, “Meeting among the Mountains”. Rilexova një ese të bukur të James Fenton mbi poetin. Më pas ktheva të shihja ç’kishte nën kopertinë dhe ishte emri im, kolegji që shkoja, (liceu publik “Woolverstone Hall” dhe viti (1965).

Cili tjetër poet më pëlqente në atë vit? Vetëm Yeats. Dhe në fakt ishte aty, në përmbledhjen me poezi të vitit 1965. “Trishtimi i dashurisë”, 1925, dhe vargu i tij i parë: “Gjëmimi i një harabeli në qepalla”. Vetja ime gjashtëmbëdhjetë vjeçare (papritur ndjeva nostalgji) kishte kopjuar një version paraardhës, të vitit 1892, që në atë kohë më pëlqente më shumë. Dhe më pëlqen më shumë edhe sot. Kishte kaluar ora tre e mëngjesit, por pak rëndësi kishte. Tashmë jetojmë jashtë kohe. Prapa shpinës sime, hynte një ajër i ngrohtë nga dritarja e hapur. Hëna po zhdukej. Mund ta gjeja atë varg të Yeats në Google brenda pak sekondave. Por përkundrazi, zgjodha të kaloja orë me poezi dhe kujtime në një peizazh mendor pa kohë.

Dhe të vijmë në lëmin e fundit që dua të analizoj. Serologjia: ekzaminimi i plazmës së gjakut për të kërkuar antikorpet. Qeveria na premton një test që do të arrijë të zbulojë se kush e ka kaluar sëmundjen dhe që normalisht ka fituar imunitet. Do të jetë lejekalimi jonë për të dalë nga shtëpia dhe për të kërkuar punë.

Pikërisht në optikën e marrëdhënieve me të rritur që janë të aftë për të kuptuar dhe që kanë dëshirën për t’i kursyer vetes pengesa të tjera, qeveria duhet ta thotë në mënyrë të qartë se gjithmonë e më shumë shkencëtarë konfirmojnë se për të pasur një test të besueshëm është shumë e vështirë: gabimisht kanë rezultuar shumë pozitivë, dhe ç’është akoma më e rëndë, gabimisht kanë rezultuar shumë negativë. Shumë persona që kanë pasur simptoma nuk kanë antikorpe individualë, ka një sërë testesh që tregojnë imunitetin karshi koronaviruseve të tjerë që shkaktojnë simptomat e ftohejeve të lehta dhe nuk duhet ende se sa zgjat ky imunitet. Fjalët e Larry Brilliant, epidemiologu i famshëm për zhdukjen e lisë së dhenve, të fusin të dridhurat: “Kjo paketë e ARN-së me zarfin e yndyrshëm... do të ketë durimin të qëndrojë në pritje gjersa të gjithë individët e mundshëm të infektohen.”

Të gjithë njerëzit dhe institucionet meritojnë respekt thjesht për faktin se kanë tejkaluar shekuj. “The Rosetta Stone”, “Hereford Mappa Mundi”, “The Spectator!”. Rreth 2,200 botime më parë, kam lexuar si një parodi shkatërruese një intervistë të një shkrimtari të ri dhe të harlisur. Çfarë budallai pompoz! U squlla, por u ndjeva i nderuar dhe që atëherë jam përpjekur të jem i kujdesshëm. Kështu që në fund të këtij shkrimi them faleminderit shumë “The Spectator!” dhe urime për 10,000 numrat e tu.

*Artikull i Ian McEwan në revistën e përjavshme angleze “The Spectator”. Ian McEwan është ndër shkrimtarët më të lexuar anglezë, fitues i çmimit “Man Booker Prize” dhe një prej 100 personaliteteve britanike me më shumë ndikim. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.