Shënime në Blog

Frenezia e jetëve tona, ku gjithçka duhet bërë me nxitim

Dalja nga pandemia theksoi dëshirën tonë të shfrenuar për të kompensuar kohën e humbur. Na duhet një “slow-biz”: një mënyrë për të jetuar, punuar dhe për t’u vetërealizuar pa nxitim, duke respektuar kohën tonë biologjike.

Frenezia e jetëve tona, ku gjithçka duhet bërë me nxitim

Nga Carlo Bordoni/ Fareed Zakaria është editorialist në “Washington Post”. Në librin e tij “Tregu nuk mjafton” ai pranon se “kemi krijuar një botë që udhëton gjithmonë me marsh të lartë” dhe gjendemi në një “fazë përshpejtimi spektakolar në dy shekujt e fundit”.

Përshpejtimi është fjala kyçe e së tashmes sonë. Duket se koha kalon më shpejt. Sepse nuk ekzistojnë vetëm ata që mendojnë se bota është e sheshtë, por edhe ata që mendojnë se bota është e shpejtë: në fakt, dikush është përpjekur të mbështesë idenë se Toka ka rritur shpejtësinë e rrotullimit në aks, pasi kemi ndjesinë se orët e ditës dhe të natës janë shkurtuar. Bëhet fjalë për ndjesinë se nuk kemi mjaftueshëm kohë. Urgjenca për të qenë në gjendje të bëjmë gjithçka në kohë na shkakton ankthin e performancës që prek çdo sektor, nga puna tek jeta private. Dhe dhurata e kohës, siç kujtonte Jacques Derrida, mbetet sot e mira më e çmuar që mund t’i ofrohet njerëzimit të paduruar.

Idea e përshpejtimit vjen nga kohët e largëta, qëkur makineritë e para turbulluan kohën e jetëve njerëzore, që deri atëherë kishin qenë në sinkron me kalimin e ditëve, të stinëve, me ritmin e natyrës. Makineria, në të cilën futuristët shihnin shpejtësinë si një karakter përfaqësues të realitetit evolucionar, diktoi një hap tjetër.

Të shpejtosh u bë sinonim i “të arrish të bësh” në kuptimin e realizimit, në një kohë që pretendon të zgjidhë çdo detyrë të mundshme, duke e mbajtur të ardhmen brenda një të tashmeje të zgjeruar. Madje është folur për paaftësinë për të projektuar të ardhmen, sidomos tek të rinjtë, për të cilët perspektivat nuk janë zhdukur, por janë përfshirë në të menjëhershmen e sotme.

Pastaj, papritmas gjithçka u ndal. Pandemia ndërpreu qarkun virtuoz si një imazh filmik, i gozhdoi të gjithë në pozicionin që ishin në ditët e para të marsit 2020. Tashmë rënia e infektimeve dhe rihapja graduale kanë shkaktuar një fenomen të rëndësishëm shoqëror: frenezinë për çlirimin nga Covid. E dukshme që nga çështja e kinemasë në Milano e cila në gjashtë të mëngjesit të 26 prillit, kishte shitur të gjitha biletat për hapjen e parë pas nisjes së pandemisë.

Më shumë nga ç’u pa verën e kaluar, ka shenja të një sjelljeje tjetër, më të sigurt në vetëdijen që përparimi me vaksinimet zvogëlon frikën dhe rrit guximin. Megjithëse, siç është e domosdoshme të ndodhë, është më mirë ta ruash gjithmonë kujdesin: valët e reja mund të jenë gjithnjë gati për t’u përhapur. Pavarësisht nga gjithçka, atmosfera që ndihet në ajër është ajo e daljes nga tuneli, e njëjtë si kur çlirohemi nga një konflikt ose prej një gjendje të dhimbshme shtypjeje.

Alarmi pushoi? Kështu duket, të paktën duke gjykuar nga lokalet e mbushura me njerëz e nga tubimet në natyrë, ku nuk mbetet asnjë tryezë e lirë. Restorante të mbushura me klientë përsëri, stuhi rezervimesh për pushimet verore. Por mbi të gjitha turistët: një specie që papritmas dukej e zhdukur, është rikthyer të shfaqet në qytetet tona të artit. Është pëllumbi pas përmbytjes. Kështu në këtë klimë çlirimi rritet një frenezi e pazakontë shoqërore.

Frenesia, nga greqishtja phrén ("shpirti"), është ajo urgjencë e brendshme e ethshme që na shtyn të lëvizim. Si një burim i fryrë për një kohë të gjatë, i cili gjatë lëshimit merr përpara gjithçka. Mes emocioneve më pak fisnike, pikërisht frenezia – që siç besohej në antikitet e kishte vendin në diafragmë - është ajo që ka më pak të bëjë me arsyen. Substanca e saj është bipolare: prodhuar nga një stimul pozitiv për të lëvizur më shpejt, por shumë e vështirë për t’u kontrolluar për shkak të irracionalitetit të saj, mund të shkaktojë efekte të padëshiruara.

Dhuna e saj, ngarkesa e vrullshme dhe e palogjikshme, e nxit të sfidojë fatin, me një rrezik që nuk llogaritet. Një shembull të kësaj e pamë në tragjedinë e Mottarones (rënia e kabinës së teleferikut, ku humbën jetën 14 persona). Frenezia e rihapjes, padurimi për rikthimin në aktivitet të plotë duke kompensuar kohën e humbur, na ka bërë të anashkalojmë rregullat më elementare të sigurisë. Dëshira për normalitet shndërrohet në anomali. Shpesh për shkak të nxitimit ose shpërqendrimit, dikush heq dorë nga ndonjë pajisje parandaluese ose e çaktivizon atë në moment. Duket një gjest i padëmshëm, i bërë me lehtësinë e dikujt që beson se ka gjithçka nën kontroll, por nuk është kështu.

Fatkeqësitë presin gjithmonë pas cepit. Për t'i shmangur ato, vërente Zygmunt Bauman në “Frika e lëngshme”, duhet të bindemi se e pamundura është e mundur. Se e mundshmja është gjithmonë gati, pa pushuar, e mbrojtur mirë nga petku i pamundësisë. Po ta mendosh mirë, më shumë sesa prej katastrofave natyrore (tërmete, përmbytje), ne jemi gjithnjë e më shumë viktima të katastrofave morale, ato të prodhuara nga njeriu. Nën irracionalitetin e veprimtarisë frenetike, të veshura me spontanitet (një cilësi e modës së lartë, e cila rezulton të jetë joproduktive), shihet një racionalitet instrumental. Një qëllim i fshehur për përfitime vetjake.

Në momente krize rikthehet trashëgimia e një kulture stërgjyshore, pikërisht kur rrota e civilizimit është thyer nga instikti i mbijetesës. Frenezia është një nga simptomat më të dukshme të kësaj trashëgimie. Dyshohet se gjithçka ka mbaruar, me një afat së cilit nuk ia dimë datën. Atëherë paraqitet kuptimi i saj i tërbuar që, edhe nëse nuk është vërtetë i domosdoshëm, justifikohet nga thellësia e pasigurisë. Frenezia lidhet me frikën se mos nuk kemi kohë për të shijuar ndonjë përfitim apo privilegj, nga frika se rregullat mund të ndryshojnë nga një moment në tjetrin.

Si në të gjitha kushtet e pasigurisë, duke marrë parasysh kontradiktën e sinjaleve që morëm edhe gjatë pandemisë, vlen akoma të thuhet se “kush dëshiron të jetë i lumtur le të jetë, për të nesërmen nuk ka siguri”.

Pse frenetikë? Këtë pyeste edhe Renato Zero në këngën “Frenesia” të vitit 1984: “Kush e di nëse është e drejtë të vraposh/ Fiksim frenetik/ Jeta do të na kalojë, kështu/ Dhe pas kaq shumë vrapimi, ne do të mbetemi këtu”, duke nënkuptuar njerëzimin në kthetrat e ankthit në rritje.

Frenezia është e shartuar me zakonin për të nxituar, por jo vetëm kaq. Në fakt pandemia na shtyu të vihemi në radhë si për të blerë bukën, ashtu edhe për t’u vaksinuar. Në pritjen në radhë rrjedh vullneti për t’u sjellë në mënyrë të civilizuar, së bashku me urgjencën për të përfituar i pari nga një shërbim apo nga marrja e një malli, për të shmangur rrezikun e mbetjes të fundit në radhë apo madje të përjashtuar. Në kujtesën kolektive rishfaqen frikat e lashta të luftës sedimentare, të cilat frenezia dëshiron t’i heqë qafe sa më parë. Lëvizja është kryefjala dhe nuk ka rëndësi se ku duhet shkuar dhe as përse. Nga monopatinët deri te karrocat, gjithçka duket si një ftesë për të mos ndenjur të palëvizshëm.

Horizonti mbetet i pasigurt. Ndjesia e limitit – për të cilin Remo Bodei na ka dhënë një interpretim mjeshtëror në librin “Limiti” - duket e paqartë, me tipare të padallueshme. Kjo ndodh për shkak të pasigurisë që ka karakterizuar komunikime të caktuara në fushën shkencore, mund të ndodhë për shkak të atyre mesazheve të orës së parë të cilat theksonin padobishmërinë e një pajisjeje, e cila pak më vonë u konsiderua e domosdoshme, por kjo shpërbërje e kufijve është një ftesë për frenezinë. Limiti është një nxitës i fuqishëm i përparimit njerëzor: të dimë se cilat janë limitet tona na bën të vetëdijshëm, teksa shtyhemi t'i kapërcejmë ato në mënyrë që të rritemi.

Jo rastësisht Aristoteli e konsideronte “àpeiron” (limitin) një koncept negativ, të ngjashëm me infinitin, të njëjtin që Jorge Luis Borges e konfirmonte si tejskajshëmërisht të rrezikshëm, pikërisht për mungesën e masës. Kjo sepse nëse vendosim pafundësinë në horizontin e ekzistencës sonë të fundme, çekuilibri që shkaktohet krijon një sëmundje kolektive. Kufizohet me anominë, mungesën e rregullave që shërbejnë pikërisht për të “kufizuar” sjelljen njerëzore. Dhe pa rregulla nuk mbijetohet.

Mes mërzisë, pritjes së ngjarjeve në indiferencën më absolute dhe marrjes së iniciativës, ekziston një vrull i vetëdijes. Lëvizja është mënyra për të kompensuar mungesën e kufijve, për ta përkthyer atë në veprime që duhen ndërmarrë përpara se të shfaqen kufizime të reja. Dhe nëse kufiri është etik, i dobishëm shoqërisht për të dalë nga gjendja e pakicës, mungesa e kufirit - për sa kohë që është e përkohshme - prish një sistem të konsoliduar dhe përgatit ekuilibra të rinj.

Pra frenezia që karakterizon të tashmen tonë është ndoshta parathënie për një kohë të re. Pas “slow food” që na mësoi të ngadalësojmë dhe të kujdesemi për cilësinë e ushqyerjes, do të na duhej edhe një “slow-biz”: një mënyrë për të jetuar, punuar dhe për t’u vetërealizuar pa nxitim, duke respektuar kohën tonë biologjike. Sepse në fund të fundit rrotullimi i Tokës, të paktën për momentin, nuk ndryshon.

*Carlo Bordoni është sociolog dhe shkrimtar italian. Prej shumë vitesh shkruan për “Corriere della Sera”, ndërsa është autor i shumë librave dhe ka bashkëpunuar ngushtë me Zygmunt Bauman. Ky artikull u përkthye nga Erjon Uka.