Shënime në Blog

Fshihet diçka pas fjalës “faleminderit”

Burrat që ashtu si Roberto Benigni në Venecia ia kushtojnë çmimin gruas së tyre, në të vërtetë vënë në dukje faktin se ata kanë arritur suksese që nuk janë të mundura për gratë.
Fshihet diçka pas fjalës “faleminderit”

Nga Michela Murgia/ Ka një anekdotë që tregohej në Shtetet e Bashkuara gjatë presidencës Obama. Përgjatë një prej udhëtimeve të çiftit presidencial në shtetet e veriut, tregohej se Michelle dhe Barack ndaluan për të ngrenë në një fast food të madh, ushqim që binte ndesh me fushatat të cilat vetë presidenti promovonte ushqimin e shëndetshëm, ama tregonte se ishte vërtetë i babëzitur.

Për t’i shërbyer erdhi vetë pronari dhe Michelle e njohu. Ai ishte një ish-shok i shkollës së mesme, me të cilin kishte pasur një flirt. Pas një bisede të shkurtër ku të dy kujtuan kohët e vjetra, anekdota tregon se Obama i mbetur vetëm me gruan, i thotë: “Mendo nëse do të ishe martuar me të, sot do të ishe pronare e këtij fast food”. “Nuk e besoj. Nëse do të isha martuar me të”, replikoi Michelle duke qeshur, “sot ai do të ishte President”.

Qoftë e vërtetë apo e trilluar, anekdota ofron një retorikë efikase dhe ma tregoi një grua shumë krenare, duke më sugjeruar që ta përdorja si shembull për të shpjeguar forcën e femrës. Nuk pata kurajën t’i thosha se e kundërta ishte e vërtetë: nëse ka një gjë që tregon kjo histori, është shpjegimi më i mirë i mënyrës se si brenda një sistemi patriarkal janë gratë ato që mbështesin fuqinë e burrave.

Jo rastësisht m’u risoll në mendje kur Roberto Benigni duke marrë në Venecia çmimin “Luani i artë për karrierën”, falenderoi bashkëshorten Nicoletta Braschi gjatë fjalimit të ceremonisë. Rrjedh nga entuziazmi bashkëshortor i Roberto Benigni-t, për vërtetësinë e të cilit sigurisht nuk dyshon askush, por nga pikëpamja e përfaqësimit publik të marrëdhënies burrë-grua fjalët e aktorit riprodhojnë një klishe shekullore: atë të gruas së madhe prapa një burri të madh, ku fjala e cila ndez mekanizmin toksik nuk është "e madhe", por "prapa".

Miti i muzës frymëzuese, një krijesë jashtëtokësore që fshehtasi udhëheq burrin drejt veprimeve epike është një prej bazave thelbësore të imagjinatës patriarkaliste. Tregimi për gruan në hije, që me forcën e saj të heshtur mbështet rrugëtimin ndriçues të partnerit të saj, mbështetet nga dy shtyllat retorike që Benigni, sigurisht në mirëbesim, i shprehu në mënyrë perfekte para mikrofonëve venecianë. E para mund të përmblidhet në frazën “Për çdo gjë të detyrohem ty”. Është boll e zakonshme që burrat të cilët kanë një arritje personale ta deklarojnë publikisht se pa partneren e tyre kurrë nuk do të kishin arritur atje.

Duket si një mirënjohje, por në të vërtetë – sidomos në kontekstin kinematrografik ku gratë kurrë nuk kanë pasur të njëjtat shanse për t’u promovuar njësoj si kolegët apo partnerët e tyre – është shfaqja plastike e mohimit të tij. Në një sistem ku gratë mund të japin dritë, por të mos kenë kurrë dritë, nëse nuk reflektohet, “të detyrohem për gjithçka” është njësoj si të thuash “Unë jam duke përfituar plotësisht atë që në një botë të drejtë duhet të kishim ndarë së bashku”. Nëse ndodh një herë është romantike dhe madje mund të emocionohemi. Por ama nëse ndodh tre herë në ditë në të gjitha fushat e vlerësimit, bëhet e nevojshme të pyesim veten se përse gratë janë gjithmonë ato që falenderohen për çmimet e të tjerëve dhe asnjëherë ato që falenderojnë për çmimet e veta.

Mekanizmi i dytë retorik i kësaj narrative buron nga e para: është ai që tregon gjenialitetin femëror, ose për ta thënë me fjalët e Benigni-t në fjalimin e tij, enigmën e feminitetit sipas së cilës gratë janë krijesa që “kanë diçka të cilën ne burrat nuk e kuptojmë, një fshehtësi pa fund”.

Paragjykimi se gratë janë qenie jashtë normales që veprojnë në mënyra të pakuptueshme, përveçse u shfaqet burrave si një thjeshtësi e organizmave njëqelizorë që qartësisht nuk janë, i çon në një perandori ku ato vetëm mund të frymëzojnë, kurrë të veprojnë. Prandaj, anekdota e përsosur nuk është ajo sipas së cilës një grua e jashtëzakonshme mundëson që çdo burrë që martohet me të shpallet president ose të fitojë Oskarin. E përsosur është historia në të cilën askujt nuk i duket romantike të jetojë në një sistem ku gruaja falenderohet sepse ka mundësuar që burri të arrijë suksese të cilat asaj i janë mohuar.

*Michela Murgia është një shkrimtare, dramaturge dhe opinioniste televizive italiane. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.