Shënime në Blog

Fuqia e përshëndetjes “mirëmëngjes” për një të panjohur

Përçmimi, indiferenca, arroganca klasore, racore, hierarkike janë kamzhikë të civilizimit që duke imponuar poshtërimin u pengojnë viktimave të njihen në tërësinë e cilësisë njerëzore.
Fuqia e përshëndetjes “mirëmëngjes” për

Nga Edgar Morin/ Fjala “të jetosh” përmban një kuptim të dyfishtë. I pari, është të jesh në jetë, të ekzistosh, gjë që siguron organizimin tonë biofizik, që mban gjendjen tonë si qenie të gjalla përmes rezistencës që i bën degradimit vdekatar: të marrësh frymë, të ushqehesh, të mbrohesh. Në këtë kuptim, të jetosh do të thotë të mbahesh në jetë, pra të mbijetosh.

I dyti kuptim i fjalës të jetosh qëndron në të jetuarit e jetës me mundësitë dhe rreziqet e saj, me mundësitë që të ofron për gëzim e për vuajtje, me lumturitë dhe trishtimet e saj. Mbijetesa është e nevojshme për jetën, por një jetë e reduktuar në mbijetesë nuk është më jetë.

Është zbulimi i parë që kam bërë, kur isha dymbëdhjetë vjeç, duke parë ekzistencën mjerane të lypsarëve në “Opera për tre grosh”. Më vonë dhe gjithmonë e më qartësisht, nuk kam reshtur së kundërshtuari mjerimet e pafundme dhe të panumërta njerëzore, ku të mbijetoje në nevojë, në varfëri, nën shtypjen e poshtërimit ishte nën-jetesë, edhe më keq se mbijetesa.

Kjo është një prej tragjedive më të thella dhe më të përhapura njerëzore: jetë të shenjtëruara dhe të dënuara me mbijetesë. Është një prej detyrave kryesore të një politike humaniste: të krijojë kushte që mundësojnë jo thjesht mbijetesën, por jetesën.

Të jetosh do të thotë t’u gëzohesh mundësive që ofron jeta, gjë që e kam kuptuar kohë pas kohe.

***

Nuk më kujtohet më se kur e kam kuptuar qartësisht se përtej kënaqjes së nevojave vetjake materiale (ushqyerja, veshja, zotërimi i burimeve financiare, garantimi i mbrojtjes), qenia njerëzore ndjen një nevojë esenciale me karakter të përbotshëm, që unë vetë e kam provuar personalisht si edhe e kam konstatuar në marrëdhëniet e mia me të tjerët: nevoja ose dëshira për njohje.

Hegeli ka qenë i pari që e ka konceptuar këtë dëshirë, nisur nga dialektika e tij për mjeshtrin dhe skllavin, e më gjerësisht në idenë se “vetëdija e arrin kënaqësinë vetëm në një vetëdije tjetër”.

Përçmimi, indiferenca, arroganca klasore, racore, hierarkike janë kamzhikë të civilizimit që duke imponuar poshtërimin u pengojnë viktimave të njihen në tërësinë e cilësisë njerëzore.

Të skllavëruarit, të shfrytëzuarit, e ndjejnë akoma edhe më shumë nevojën për t’u njohur kur trajtohen si nën-njerëz apo si objekte. Axel Honneth në librin e tij “Lufta për njohjen” duke u nisur nga Hegeli interpreton konfliktet njerëzore nën perspektivën e një “kërkese për njohje”.

Nga ky këndvështrim duket se shumë protesta, zemërime dhe revolta popullore, si për shembull lëvizja e jelekverdhëve, përfshijnë te pjesëmarrësit e tyre, sigurisht jo në mënyrë të njëtrajtshme, ama pa diskutim nevojën për t’u njohur në tërësinë e cilësisë së tyre njerëzore, gjë që quhet dinjitet.

Kjo nevojë për njohje shfaqet në mënyrë specifike në miqësi dhe në dashuri. Të duhesh do të thotë të konsiderohesh një qenie e dashur; të admirohesh do të thotë të njihesh si një njeri i mirë. Të jesh i vlerësuar kënaq nevojën e vetëvlerësimit, shtylla mbajtëse e së cilës është njohja nga ana e të tjerëve.

“Mirëmëngjesi” i zakonshëm ndaj një të panjohuri apo një fqinji është shenjë elementare e njohjes: “Ti ekziston dhe unë të njoh si qenie njerëzore”, ndërsa zhdukja e kësaj përshëndetjeje anonime përfaqëson degradimin e sjelljes sonë konsideruese ndaj të tjerëve.

Burrat dhe gratë të trajtuar vetëm si objekte statistikore reshtin së qeni të njohur si qenie njerëzore. Mund edhe të themi se primati sasior i teknokratëve dhe ekonokratëve, që zbehin humanitetin e njerëzve në shifra, nuk bën gjë tjetër veçse mbithekson nevojën antropologjike të së drejtës për njohje.

*Edgar Morin është filozof dhe sociolog francez, i lindur në Paris më 1921. Vepra e tij voluminoze përbëhet kryesisht nga analiza e fenomeneve kulturore në marrëdhënie me mjetet e komunikimit masiv dhe nga epistemologjia e shkencave humane, që ka kulmuar me veprën “Metoda”. Së fundi ka shkruar librin “Të ndryshojmë rrugë” kushtuar koronavirusit dhe “Mësime nga një shekull jetë”, prej nga është shkëputur edhe pjesa e mësipërme. Përkthyer në shqip nga Erjon Uka.