Gjeli i Gabriel Garcia Marquez, fillesat e realizmit magjik
Në vitet ’60 në Meksikë bëhen bashkë tre emra të letërsisë latine: Gabriel García Márquez, Carlos Fuentes dhe Juan Rulfo. Një histori letrare dhe kinematografike, e cila vjen edhe një herë në vëmendjen e publikut pas zbulimit të një dorëshkrimi.
Nga David Marcial Perez/ I lodhur nga gazetaria dhe me shpresën se mund të përftonte më shumë kënaqësi nga pasioni i tij për kinemanë, Gabriel García Márquez mbërriti në Meksikë më 1961. Prej katër vitesh Carlos Fuentes ishte martuar me një aktore, Rita Macedo, ishte mik i afërt me Luis Buñuel dhe kishte hedhur hapat e parë në kinema duke shkruar skenarë të filmave me metrazh të shkurtër. Nga ana tjetër, Juan Rulfo kishte xhiruar një film me María Félix dhe kish shkruar skenarë. Industria e ardhshme e filmave meksikanë jo vetëm tërhoqi tre gjigantët e letërsisë, por edhe i bëri të punonin bashkë.
Projekti u poq në atë qëGarcía Márquez e quante “Kështjella e Drakulës”, selia e prodhimit të Manuel Barbachano. Aty, gjatë takimeve që zhvilloheshin në gjysmëerrësirën e kryeqytetit meksikan, i ftuar nga bashkëkombasi i tij Alvaro Mutis, i sapoardhuri ra në kontakt me Carlos Fuentes. Në vitin 1963 Gabo nisi të punonte si skenarist duke u bazuar në një tekst të Juan Rulfos “Gjeli i artë”, një roman i shkurtër mbi fatalitetin dhe fatin në botën e panaireve dhe lojërave të fatit.
Filmi do të dilte më 1964 dhe skenari që njihej i përkiste të njëjtit vit. Deri tani. Por djali i regjisorit Roberto Gavaldón ka gjetur në arkivat e familjes një tekst të ri që mban datën dhjetor 1963. I blerë nga Fondacioni Rulfo, dorëshkrimi do të botohet për herë të parë në një libër të titulluar “Juan Rulfo dhe kinemaja”. Skenari përbëhet nga 68 faqe, ka një kopertinë të verdhë dhe mban emrat e dy autorëve: Gabriel García Márquez dhe Carlos Fuentes, të njëjtat emra që shfaqen edhe në skenarin përfundimtar por të renditur ndryshe.
“Fakti që emri i tij shfaqet i pari, na tregon se autorësia fillestare e tekstit të gjetur është e García Márquez, ndërsa skenari i dytë mund të jetë më shumë i Fuentes. Bëhet fjalë për dy tekste goxha të ndryshëm”, shpjegon Douglas J. Weatherford, profesor në Brighan Young University of Utah, ekspert i marrëdhënieve të Rulfos me kinemanë dhe autori i parë i librit që pritet të botohet.
Teza e tij bazohet në disa veçori që i përkasin stilit të Gabos, përfshirë edhe ngjashmëri me romanin e tij të dytë që shumë shpejt do të publikohej në Kolumbi, “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë”. Këto veçori nuk shfaqen as në romanin e Rulfos, as në skenarin e dytë: theksimi i fuqive mbinatyrore të protagonistes dhe të gjelit luftëtar, apo ekzistenca e një qyteti fantazmë që të kujton Comalan në roman.
Autorësia thuajse eksluzive e çmimit Nobel kolumbian përforcohet edhe nga komenti në një prej skenave, ku citohet “përshtatësi”, në njëjës. Teksti i shtypur me makinë shkrimi mban edhe një shënim dore me tipare të rrumbullakëta. Kërkuesit ia atribuojnëGarcía Márquez, hipotezë që konfirmohet edhe nga Fondacioni me emrin e tij: “García Márquez vinte nga një eksperiencë si korrespondent në Neë York dhe në Meksikë kërkonte një punë më të qëndrueshme në botën e kinemasë, e cila e kishte mrekulluar që në fëmijëri. Punoi si kritik për shtypin kolumbian e madje mori leksione regjie, skenari dhe montazhi në Qendrën Eksperimentale të Kinematografisë në Romë”, thotë Jaime Abello, drejtor i Fondacionit.
Pikërisht këto dialogje që i riu Gabo kishte shkruar me kaq kujdes, paradoksalisht ishin arsyeja e ndërhyrjes së Fuentes në projekt. Producenti Barbachano mendonte se ishin shkruar në stil “kolumbian” dhe i kërkoi një dore të dytë që t’i rishihte.
Kur García Márquez mbërriti në Meksikë, nuk kishte dëgjuar ende për Juan Rulfon, deri sa një natë miku i tij Alvaro Mutis, duke ngjitur në këmbë shtatë katet e banesës së tij meksikane, e bëri të zbulonte “Pedro Paramo”, romanin kult të Juan Rulfos. “Asgjë nuk më kishte tronditur aq shumë, nga nata kur lexova Metamorfozën e Kafkës”, do të shkruante në një artikull për nder të tij në vitin 1980. Në qoftë e vërtetë apo vetëm një ekzagjerim lajkatar, një Gabo tashmë në majën e letërsisë botërore e shprehte kështu admirimin e tij ndaj Juan Rulfos./ Botuar në gazetën spanjolle “El Pais”, përkthyer në shqip nga Erjon Uka.