Shënime në Blog

Seksi që s’na pëlqen

Ashtu si gomari që nuk dinte cilin bar të zgjidhte, atë në të djathtë apo atë në të majtë, kur të dy ishin njësoj të ngrënshëm, edhe ne ngecim përballë ofertës së tepërt. Përtej një pragu të caktuar, na shkaktohet neveri.
Seksi që s’na pëlqen

Një nga paradokset e kësaj kohe është se flasim vazhdimisht për seksin, por bëjmë më pak seks nga sa mendojmë. Nuk është një konkluzion, ka të dhëna dhe kërkime që fotografojnë seksualitetin e lodhur të Perëndimit. Luigi Zoja është një psikanalist që preferon ta hedhë larg vështrimin, i cili nuk mjaftohet me këqyrjen e patologjive individuale, por shqyrton të gjithë shoqërinë. Si jungian kozmopolit, me një përvojë në Institutin Jung në Zyrih dhe në Shtetet e Bashkuara, ka shkruar librin “Rënia e dëshirës” për të treguar një nga fenomenet më interesante dhe më të pabesueshme të mijëvjeçarit të ri. Një epokë sa e lirë aq edhe e frikshme.

A janë vetëm të rinjtë që janë prekur nga kjo “sindromë e zbrapsjes”?
E gjithë shoqëria në përgjithësi, por tek të rinjtë është më e dukshme. Nisin të bëjnë seks gjithmonë e më vonë dhe mes tyre vihet re rikthimi i fuqishëm te masturbimi. Vite më parë mendohej se kjo psikosteni, një lodhje e shpirtit që reflektohet në trup, kishte të bënte kryesisht me Lindjen, por tashmë është e qartë se fenomenin e hikikomorit, fëmijëve japonezë që izolohen nga jeta shoqërore, po e hasim në një shkallë globale.

Ku u rrëzuam, çfarë ndodhi?
Kemi rënë në "zhgënjimin e botës", për të përdorur formulën e Max Weber. Kur gjithçka reduktohet në një fenomen mekanik, ajo që vjen është humbja e interesit. Rritet numri i fëmijëve që e urrejnë trupin e tyre dhe nuk mund të jetojnë në mënyrë të qetë një jetë seksuale që kërkon të rikuperojë konceptin e lashtë të erosit dhe të shkojë përtej mekanikës së thjeshtë.

Një herë e një kohë, Erosi shkruhej me gërmë të madhe, ishte Zot.
Shndërrimi me gërmë të vogël ka qenë i pashmangshëm, bën pjesë në procesin e laicizmit të modernitetit. Nuk ka kthim prapa, por ndoshta mund të përpiqemi të rifitojmë respektin për marrëdhënien dhe vetë dashurinë. Këtë gjë, Tinderi nuk e lejon.

Po sugjeroni se duhet shënjestruar seksi?
Telefonat inteligjentë apo mjetet e tjera si aplikacionet e njohjeve online krijojnë më shumë eksperienca mendore se sa fizike, abstrakte dhe jo konkrete që në fund i lënë të gjithë të pakënaqur. Takimet që nuk përkthehen në aventura erotike por mbeten virtuale ku koha shpërdorohet me okë. Nuk e shohim tjetrin në realitet, por shohim vetëm se sa i “publikueshëm” është imazhi i tij, se sa mirë na duket nga përtej ekranit. Ky është një keqinterpretim i erosit, lindja e të cilit është një fenomen i brendshëm personal dhe jo diçka e jashtme për t'u treguar. Problemi është se modelet tani po kërkohen në internet dhe se miratimi merret nga komuniteti i internetit.

A mendoni edhe ju si Bauman se po paguajmë pasojat e një konsumizmi çnjerëzor?
Siç shkruaj në libër, ne jemi viktima të sindromës hiper-Buridan. Ashtu si gomari që nuk dinte cilin bar të zgjidhte, atë në të djathtë apo atë në të majtë, kur të dy ishin njësoj të ngrënshëm, edhe ne ngecim përballë ofertës së tepërt. Përtej një pragu të caktuar, na shkaktohet neveri. Robin Dunbar, një neuroshkencëtar dhe paleoantropolog në Universitetin e Oksfordit, ka vendosur një kufi kontaktesh përtej të cilit ne e humbasim marrëdhënien personale. Për Dunbar pragu është rreth 150. Nëse kjo është e vërtetë, ata mijëra "miqtë" që kemi në Facebook, janë të rremë. Ne jetojmë në flluska që s’kanë emocione të vërteta.

Sa kushtëzohet seksi nga interneti?
Me dobësimin e rolit të modeleve tradicionale ku përfshihen sigurisht familja dhe shkolla, pikat e reja të referencës, edhe në lidhje me seksualitetin, janë filmat pornografikë apo influencuesit. Është e qartë se bëhet fjalë për parametra të paimitueshëm, që në fund gjenerojnë vetëm zhgënjim. Videot pornografike, në të cilat mashkulli ka një ereksion të përhershëm dhe gruaja është e nënshtruar dhe kurdoherë e disponueshme, janë pjesë e rikthimit të maskilizmit të kohëve më parë.

Ky fenomen ka të bëjë vetëm me sferën seksuale apo edhe me atë sociale dhe politike?
Neopopulizmi i stilit Trump, Bolsonaro, Putin përputhet me këtë machismo mjaft të papërpunuar. Ky këndvështrim mund të shërbejë për të shqyrtuar edhe thërrmimin e së majtës politike. Do të ishte interesante të kuptonim se si mbrojtja e shtresave margjinale, transgjinorëve apo homoseksualëve e ka dobësuar të majtën në sytë e njerëzve. Është e qartë se këto janë sulme të rreme dhe se shoqëria sigurisht nuk kërcënohet nga minoritetet që mbeten ende të parëndësishme në përqindje, por ama po fiton personifikimi i armikut. Fiton nevoja për të vënë në dukje "të keqen". Pastaj ka edhe një element tjetër për t’u vlerësuar. Njerëzit ngrenë pikëpyetjen se përse vazhdojnë të flasin për atë 1%, dhe jo për probleme më serioze si papunësia.

Po ju vetë si e shihni?
Liria që arrin çdo minoritet është një fitore e madhe, por dobësimi i identitetit gjinor po krijon një lloj çorientimi. Mes të tjerash, pasigurisë psikologjike që është përhapur masivisht po i shtohet një tjetër lloj pasigurie në nivel hormonal, endokrinologjike. Për t'i qëndruar një studimi të fundit, numri i spermatozoideve në lëngun seminal mashkullor është përgjysmuar në këto pesëdhjetë vite.

A nuk është rrjedhshmëria seksuale një erë lirie, një kundërvënie ndaj modeleve të vjetra patriarkale dhe shoviniste mashkullore?
Problemi është se gjithçka po ndodh shumë shpejt dhe fëmijët kanë një ndjenjë pasigurie. Feministja Alice Schwartz, në një program televiziv, u hodh ashpër kundër ligjit të ri zviceran që ua beson përcaktimin e seksit edhe të miturve pa pasur nevojë për certifikim mjekësor dhe ul moshën minimale për zgjedhje në 14 vjeç. Nuk është rastësi që krahas kalimeve nga një seks në tjetrin, janë shtuar edhe kërkesat për kthime pas. Kur zgjedhjet bëhen shumë herët, ka rrezik pendimi, por kthimi pas është i pamundur dhe rritet shpërqëndrimi.

*Luigi Zoja është psikanalist, sociolog dhe shkrimtar italian, me një karrierë ndërkombëtare kryesisht në Zvicër dhe në SHBA. Librat e tij janë përkthyer në 14 gjuhë të ndryshme, ndërsa kontribuon rregullisht në gazeta dhe revista. Intervista u përkthye nga Erjon Uka.