Shënime në Blog

Jeta ime e dytë

Kam parë njerëz me vokacion fantastik, me një stil të përkryer, por që nuk arrinin të kopsisnin një tregim. Ashtu siç ka njerëz me histori shumë të bukura në kokë, por që s’i përkthejnë dot në fjalë. Fatkeqësisht ka edhe shumë të rinj që janë të varfër në mendime.

Jeta ime e dytë

E pamundur të mos flasësh menjëherë për atë që i ka ndodhur, e pamundur të mos e pyesësh se si ndihet. Alessandro Baricco ka një zë të bukur, të plotë dhe të qeshur. “Nuk mendoja se do të isha në një formë kaq të mirë”.

Tashmë kanë kaluar muaj nga dhënia e lajmit se vuante prej leuçemisë dhe nga transplanti që kreu. Për më tepër, që këtë kohë e ka shfrytëzuar për të parë brenda vetes, e tani kthehet përpara publikut. Në libraritë italiane sapo është botuar një ese me titull “Rruga e rrëfimit”, pak faqe shumë te veçanta, gjetje të mrekullueshme mbi letërsinë dhe sekretet e të shkruarit, që ripërpunojnë nektarin e një leksioni në Shkollën Holden (universitet italian në Torino, i fokusuar në përgatitjen e shkrimtarëve të rinj).

Me lajmërimin e sëmundjes, shpërtheu edhe një valë e pabesueshme dashurie ndaj jush. E prisnit?
Më ka çuditur shumë dhe ishte një ndjesi goxha e bukur. Është e habitshme se si kalojmë një jetë të tërë, edhe profesionale, pa e ditur realisht se çfarë ndikimi kemi. Eksperienca që përjetova më ka bërë disa dhurata dhe patjetër kjo është njëra prej tyre.

Po të tjerat?
Eh, i mbaj për vete! Nuk është rasti për të folur kaq shumë, por realisht për mua ka qenë një eksperiencë fantastike. Tani mund ta them zyrtarisht se jam një njeri me shumë fat.

Jeni rikthyer në librari me një ese të shkurtër. Titulli të bën të mendosh për “Rrugët e këngëve” të Chatwin.
Aludon rreth faktit se rrëfimi është një tao, si gjuajtja me hark apo ceremonia e çajit. Në kuptimin oriental, është një nga ato disiplina fizike që çojnë drejt një përmbushjeje shpirtërore.

Një formë meditimi?
Është një veprim që ka tre përbërës: të parit i japim emrin e historisë, të dytit të fabulës dhe të tretit, emrin e stilit. Kur të tre këta elementë rrjedhin në një fluks të përbashkët, ndodh rrëfimi. Në gjuhën e përditshme shpesh e ngatërrojmë historinë me fabulën, por historia është diçka sferike, është një hapësirë, një kontinent, ndërsa fabula është linja hekurudhore që e përshkon. I vetmi tipar misterioz dhe i paqartë është ai i stilit, pa të cilin rrëfimi mbetet jetim, pa zë.

Rrjetet sociale e kanë çliruar tregimtarinë e masës, a mendoni se është prekur stili prej kësaj, se është rrafshuar?
Stili është diçka e veçantë, por krahasuar me kohën kur unë isha i ri, sot ka më shumë stile. Edhe disa tiktoker kanë një zë krejt të veçantë, komplet autentik.

Po nga radhët e shkrimtarëve, a jua ka marrë zemrën ndonjë kohët e fundit?
Më ka bërë përshtypje romani “Të padukshmit” i Pajtim Statovcit. I ka të gjitha ai roman: fabul, stil, zë.

A mund të mësohet stili në shkollë?
Jo, por shkolla mund të ndihmojë në njohjen e stilit, për ta kënduar më mire atë. Në disa raste mund ta zbusë. Stili është si një lloj kali i egër, duhet kontrolluar sepse përndryshe të hedh përtokë.

Pra përtej çdo gjëje, talenti mbetet një mister.
Kam parë njerëz me vokacion fantastik, me një stil të përkryer, por që nuk arrinin të kopsisnin një tregim. Ashtu siç ka njerëz me histori shumë të bukura në kokë, por që s’i përkthejnë dot në fjalë. Fatkeqësisht ka edhe shumë të rinj që janë të varfër në mendime.

Edhe mes brezave të rinj?
Nuk e keni idenë se sa histori kam lexuar alla Holden, mbi “momentet e paharrueshme të kaluara me gjyshin”. Po si mundet që një i ri në thellësitë e pafundme të mendjes së tij, të gjejë vetëm këtë histori?

Si e shpjegoni?
Mendoj se është defekt i Perëndimit. Dikur, me një grup tjetër, më ra rasti të shkoj për të dhënë mësim në Kolumbi dhe mbetëm pa mend, sepse të rinjtë kolumbianë ishin tregimtarë të shkëlqyer. Në përgjithësi vendet e papjekura, më të varfëra, më aventureske, më të hapura e më të rrezikshme janë plot me histori. Europa është një kontinent shumë i vjetër, disi i llastuar, shumë i sigurt dhe me shumë norma. Ka një edukim demokratik shumë të rëndë, tashmë të trashur nga koha. Natyrisht që zë peshë fakti se këtu kanë qenë njerëzit që shpikën romanin dhe është e vështirë të inovosh kur ke pasur ata baballarë.

A bëjnë pjesë në këtë proces edhe kultura e fshirjes dhe acarimi i korrektësisë politike?
Kontrolli despotik i gjuhës nuk i bën mirë tregimtarëve. Në vazhdën e kohës, demokracia në Europë ka ndërtuar një model edukimi që minimizon në maksimum rreziqet. Sakrifikohen doza lirie për të ndërtuar qytetarë të butë. Çdo lëvizje e paduruar demonizohet apriori. Ndërkohë që shkrimtarët duhet të jenë të egër, brutalë, të pavarur, të lirë, cytës, të bezdisshëm.

Ajo energji që perceptohej në autorë si Beppe Fenoglio?
Ishte i jashtëzakonshëm në krijimin e trilleve, shumë më modern se të tjerët që shkruanin në kohën e tij. Kur ia prezantoi Einaudit (shtëpi botuese) “La paga del Sabato”, Vittorini dhe Calvino ia refuzuan me pretendimin se ishte shumë kinematografik. Dhe kjo i thotë të gjitha. Fenoglio ishte 30 vjet përpara. Në Itali na është dashur të presim për brezin tim, të Sandro Veronesit dhe Susanna Tamaros që kinemaja të infektonte në mënyrë pozitive letërsinë. Fenoglio ka një stil fantastik, një gjuhë që nuk ekziston, në mënyrë dialektore të paqartë, të drejtpërdrejtë. Zëri i tij njihet menjëherë, ashtu siç ndodh me Cormac McCarthy apo Thomas Bernhard ku sheh disa gjëra që të vjen t’i kopjosh. Më ka ndodhur edhe mua. Por mungesa e tij e suksesit lidhet shumë me paaftësinë e piemontezëve për marketing. Ajo e tija ishte një formë e ndrojtur agresiviteti. Tek ai shoh veten, edhe antropologjikisht.

A s’ngjan pak e besueshme që ju s’dini ta promovoni veten?
Mund të duket e çuditshme, por sinqerisht mendoj se po. Kam bërë shumë gjëra, por kam folur pak. Për shembull, nuk kam shkuar te çmimi “Strega”. Kur isha i ri, më kërkuan të bëhesha pjesë e jurisë për të votuar dhe u përgjigja me një “jo, faleminderit”. Nuk kam dashur të marr pjesë, nuk është mënyra ime. Është veçori e piemontezëve që të bëjnë zanatin e tyre pa u shqetësuar për shoqërinë letrare. Ndoshta është një përzierje e arrogancës dhe e ndrojtjes, një rebelim i ngjyrosur me frikë.

social media jeni pak aktiv.
Hapa profilin në Instagram për një vit, gjatë shkrimit të “The Game”, por me mbarimin e eksperimentit, e mbylla me lumturinë më të madhe. E mbroj jetën time.

Ama sëmundjen e njoftuat në rrjete sociale.
Sigurisht, herë pas here ke ndonjë lajm të madh dhe e jep. Por nuk është ky ritmi im. E kam shumë të fortë ndjenjën e privatësisë, të konfidencialitetit që ruaj.

Kjo është arsyeja që nuk keni shkruar “auto-fiction”?
Libri i vetëm në të cilin kam treguar histori që i përkasin botën sime familjare është “Emmaus”, që më kushtoi goxha lodhje. Në pjesën tjetër kam shkruar për veten në mënyrë indirekte.

Po si lexues, si i gjykoni ata që tregojnë për veten?
Emmanuel Carrère është i madh, është një shkrimtar që e adhuroj, ia kam zili lojën e frazat, vitalitetin, por duhet të them që hera-herës teksa i lexoj librat, më vjen turp për të.

A do ta tregoni ndonjëherë sëmundjen?
Ndoshta pas njëzetë vitesh do të shkruaj historinë e një postieri vjenez në vitin 1921, dhe aty brenda do të mund të gjendet edhe ajo që përjetova. Ku i dihet.

Në esenë tuaj të fundit, citoni Jean Lacan. A është të shkruarit edhe një proces psikoanalitik?
Zakonisht mendohet se shkruajmë vetëm atë që kemi përjetuar duke e censuruar. Në të vërtetë, tregojmë pjesën tonë të munguar, atë që nuk kemi qenë në gjendje për ta bërë. Shkruajmë për faqen e bardhë të ekzistencës sonë, shkruajmë të ardhmen. Është një rit i përditshëm, si joga, si frymëmarrja. Kërkon një kurë, një ngadalësi dhe durim. E kështu mund të mësohet, siç mësohet gjuajtja me hark.

*Alessandro Baricco është shkrimtar, skenarist dhe regjisor italian. Librat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë, si edhe në shqip. Është fitues i shumë çmimeve letrare, ndër të cilat “Premio Viareggio” apo “Premio Cesare Pavese”. Intervista për Raffaella De Santis u përkthye në shqip nga Erjon Uka.