Shënime në Blog

Jeta ime me Hawking, mikun gjenial

Kur takohesha me Stephen Hawking dukej sikur ai nuk ishte i ndërgjegjshëm se vuante nga një paaftësi, madje një herë më tha se sëmundja e kishte ndihmuar të përqëndrohej, të përqëndrohej mbi fizikën dhe të bëntë diçka në jetën e tij, ndryshe nga mendimet hedoniste që kishte në rini. Sëmundja e ndihmoi të gjente qëllimin e jetës dhe përqëndrimin e nevojshëm për ta realizuar.
Jeta ime me Hawking, mikun gjenial

Bëhet fjalë për një histori fizike dhe miqësie që fillon nga fundi. Protagonisti i saj ka qenë njohësi më i madh i udhëtimeve përpara dhe pas në kohë. Në këtë mënyrë Stephen Hawking hyn në skenë që në faqen e parë, por në fund të rrugëtimit të tij: në kishën “St. Mary the Great”, ndërtesë e shekullit të gjashtëmbëdhjetë në qendër të Cambridge. Është marsi i vitit 2018 dhe mbahet ceremonia funerale e një prej shkëncëtarëve më të njohur e më të dashur në botë, i konsideruar si pasardhësi i Ajnshajnit dhe Njutonit, autor i librave më të shitur si “Nga big bang te vrimat e zeza” dhe protagonist në filmat “The Simpson” dhe “The big bang theory”.

I ulur në kishë është edhe Leonard Mlodinow, fizikan, shkrimtar dhe skenarist amerikan me një karrierë të gjatë në “California Institute of Technology”, autor i librave shkencorë. Në fillimvitet 2000, u kontaktua nga Hawking për të shkruar së bashku e nga bashkëpunimi lindën dy vëllime të suksesshme në të gjithë botën: “Histori e madhe e kohës” dhe “Krijimi i madh”. Tashmë Mlodinow ka botuar një libër të ri që tregon atë bashkëpunim shkencor e kulturor, mbi të gjitha fryt i një mirëkuptimi të shkëlqyer njerëzor: “Stephen Hawking, historia e një gjeniu”.

Pse Stephen Hawking ju zgjodhi pikërisht ju për të shkruar një libër me katër duar?
Stephen jetonte në Angli, por çdo vit vinte në Caltech ku qëndronte dy deri në katër javë. Në atë kohë po kërkonte ndonjërin me të cilin mund të realizonte libra të shkencës së komunikuar, por haste vështirësi në gjetjen e një njeriut të cilit i pëlqente shkrimi, kishte sensin e humorit dhe në të njëjtën kohë t’i pëlqente fizika. Pastaj lexoi dhe ra në dashuri me dy librat e mi të parë, “Dritarja e Euklidit” dhe “Ylberi i Feynman”. Më telefonoi asistenti i tij.

Si e mbani mend takimin e parë të punës?
Natyrisht unë isha nervoz. Ai ishte një yll! Unë isha gjithashtu i shqetësuar se mos nuk arrija të isha në të njëjtin hap me të nga ana intelektuale. Përpos faktit që kisha vështirësi për të komunikuar me një njeri që duhej të bënte një përpjekje aq të madhe për t’u shprehur: në sensor në syze vinte në dukje kontraktimet në faqen e tij duke i përkthyer në klikime të mouse-t, gjë që i lejonte të zgjidhte shkronjat, fjalët apo frazat nga një liste që zhvendosej në ekranin të cilin e kishte përpara. Por nuk u desh shumë kohë që të mësohesha. Prej atij momenti, nisëm të komunikonim shumë natyrshëm.

Cila ishte marrëdhënia e tij me paaftësinë që kishte? E vuante gjendjen ku ndodhej?
Është normale që gjithkush të mendojë se vuante, por unë nuk e kam pasur kurrë këtë ndjesi. Dukej sikur ai nuk ishte i ndërgjegjshëm se vuante nga një paaftësi, madje një herë më tha se sëmundja e kishte ndihmuar të përqëndrohej, të përqëndrohej mbi fizikën dhe të bëntë diçka në jetën e tij, ndryshe nga mendimet hedoniste që kishte në rini. Sëmundja e ndihmoi të gjente qëllimin e jetës dhe përqëndrimin e nevojshëm për ta realizuar.

Tamam në skenën e parë, aty ku flisni për funeralin, ju shkruani: “Hawking ishte një njeri thellësisht shpirtëror”. Ku besonte ai?
Nuk besonte në ekzistencën e shpirtit apo në jetën pas vdekjes. Por në personalitetin njerëzor. Ai mendonte se ne ishim pjesë e natyrës ashtu si të gjitha kafshët dhe vetë Toka.

Cilat janë meritat e Hawking si shkencëtar?
Përtej teorive të tij, kishte një hapje të madhe mendore. Nëse kundërshtohej nga rezultatet eksperimentale apo nga matematika, ishte gjithmonë i gatshëm t’i rishikonte bindjet e tij. Mbi të gjitha ai mendonte në mënyrë gjeometrike përsa i përket marrëdhënieve të objekteve në hapësirë në vend se të mendonte në mënyrë ekuacionare. Kjo gjë e bënte unik në radhët e fizikanëve.

Po meritat e tij në komunikim?
Në vitet ’80, kur Stephen shkroi “Nga big bangu të vrimat e zeza” nuk ekzistonin shumë libra të shkencës së komunikuar, ndërsa ajo pjesë tregu ishte shumë e vogël. Ishte pioner edhe në këtë gjë: tregoi se edhe shkencëtarët më kërkues mund të shkruanin libra bazuar në imagjinatën e njerëzve. Sot duket diçka normale, por atëherë nuk ka qenë.

Hawking ishte një ikonë, një personazh pop. Sa ka kontribuar kjo në suksesin e librave të tij?
Kur u publikua libri i tij nuk ishte i njohur. Libri e shndërroi në yll. Pastaj natyrisht që rritja e famës ushqente edhe kërkesën për librat e tij. Dhe më pas kërkesa për librat konsolidoi famën e tij.

Që kur ishte gjallë, jeta e Hawking është treguar në libra biografikë si për shembull ai i shkruar nga gruaja e parë Jane Wilde, libër që shërbeu si bazë për filmin “Teoria e gjithçkaje”. Por ju shkruani se “shumë detaje të jetës së tij nuk përputhen me atë që përshkruhen në filmat që i janë dedikuar”. Cilat detaje?
Për shembull idea e rrezatimit të vrimës së zezë (një prej teorive të para që përpunoi Hawking) nuk i erdhi kur teksa shihte zjarrin duke ecur. Është trillim i pastër.

Kur e kuptuat se ishit miku i tij?
E kuptova se ishim bërë miq gjithmonë e më të afërt kur asistentja e tij Judith më tha se isha një prej miqve të tij më të mirë dhe se Stephen mezi priste të më takonte.

A ju ka treguar ndonjë ëndërr?
Ëndrrën për të udhëtuar në hapësirë. Richard Branson i kishte premtuar një “shëtitje” në anijen që po ndërtonte, por Stephen nuk jetoi mjaftueshëm për të dalë në orbitë.

Çfarë ju mungon nga Stephen Hawking?
Një qerre më gjëra. Risjell në mendje me shumë dashuri ditët e punës me të dhe netët kur këndonim së bashku. Ishte burim frymëzimi.

Dhe çfarë keni mbajtur prej tij?
Më tregoi se me vullnet të fortë mund t’i rezistosh gjithçkaje. Pasi e njoha, kuptova se hallet e jetës, cilatdo qofshin, janë gjithmonë shumë të vogla dhe mund të përballohen me forcë dhe me humor.

*Leonard Mlodinow është fizikan, matematikan, skenarist dhe shkrimtar amerikan. Stephen Hawking ishte fizikan teorik, kozmolog dhe autor i librave të shkencës së komunikuar, i njohur mbi të gjitha për punimet dhe zbulimet e tij në fushën e vrimave të zeza. Kjo intervistë për Luca Fraioli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.