Shënime në Blog

Jeta nuk është mëkat dhe dhimbja nuk na bën më të mirë

Jeta nuk është mëkat dhe dhimbja nuk na bën më të

Ezio Bosso mendimet e tij i shkroi në copëza të ndara, por nëse do të ishte gjallë ndoshta kurrë nuk do t’i botonte në një libër sepse ishte shumë perfeksionist. Një vit pas vdekjes së tij, publikohet libri me reflektimet mbi jetën, muzikën dhe sëmundjen. Disa pjesë mund t’i lexoni më poshtë.

Nga Ezio Bosso/ Prezantoj veten time për publikun gjerman.

Ka një thënie të vjetër të afro-amerikanëve: “Nuk mund të kontrollosh atë që thuhet për ty. Por duhet të kujdesesh që të paktën ta shkruajnë siç duhet emrin tënd”. Edhe pse shpesh herë emri im shkruhet keq – Enzo, Enzio, Ezzio – mendoj se është një koncept shumë i bukur. Nuk është i lehtë, ju siguroj. Sepse kjo sjell edhe kujtime të dhimbshme, pasi është e vështirë të zgjedhësh se çfarë është thelbësore dhe çfarë jo. Atëherë kur je i vetëdijshëm se gjithçka është e tillë, mbi të gjitha frymëmarrja.

E pastaj sepse unë shkruaj vërtetë keq. Por për një gjë jam i sigurt. Çdo gjë që kam bërë, çdo gjë që kam arritur dhe kam marrë, ekziston falë konceptit të famshëm të të fituarit vetë në çdo hap të vogël dhe nga fakti i pamohueshëm se kam qenë më fat, edhe pse kush sheh karrigen time me rrota apo trupin tim me paragjykim tenton të mos e mendojë një gjë të tillë.

E mbi të gjitha nga nevoja për muzikë në jetën time. Nga dëshira e përhershme për muzikë, sot mund ta pranoj se edhe unë jam ndjerë i dëshiruar prej saj gjatë gjithë kohës. Familja ime nuk ishte e pasur dhe unë kam lindur në një zonë të klasës punëtore në Torino në vitet 1970. Ky është çelësi për të hyrë në një pjesë të asaj që ka përcaktuar karrierën time. Pse, do të pyesni? Sepse mentaliteti i një punëtori, veçanërisht në Italinë Veriore, ndaj fëmijës së tij ishte vetëm për të qenë në gjendje t'i jepte një të ardhme pak më të mirë se e tija, për ta bërë atë të studionte.

Sëmundja nuk bën asnjë më të mirë.

Është si një lum karstik, për pak kohë zhduket, të duket i zhdukur, pastaj rishfaqet jo edhe aq shpesh nga armiqtë, por pikërisht nga miqtë, edhe nga ata që thellë-thellë të duan. Të inatos kjo gjë. Më vjen inat. Unë mendoj në mënyrë racionale, i them vetes se nëse për shekuj jemi përpjekur të bëhemi më të mirë, jemi lidhur me zinxhirë, kemi fshikulluar veten, kemi agjëruar, hequr dorë nga të mirat në jetë, atëherë është e pamundur të zhduket kjo ide që dhimbja shpengon, na përmirëson, na bën qenie superiore, sikur jeta, të cilën ne aq shumë e nderojmë, të ishte një mëkat.

E kush jam unë për të mohuar një bindje të rrënjosur në mijëravjeçarë, për të thënë se kjo dhimbje na bën nervozë dhe askush nuk është më i mirë nëse vuan. E kundërta madje. Dhimbja, ashtu si frika nuk përmirëson asnjë, e sigurisht as mua. Ky keqkuptim i përsëritur zvarritet pas meje, i thënë apo i pathënë, madje ndonjëherë njerëzit nuk e kuptojnë as se po e thonë, i shpëton me lehtësinë e zakonshme të një përshëndetjeje kur thonë “Ciao!”.

Pastaj për disa armiq, dhimbja duket si një privilegj. Ka sukses sepse vuan. Kafshëri. Minim i asaj që bëj. Asnjë respekt për veten tonë. Por pastaj, edhe aty, kushdo që nuk është mirë e ekspozon veten, për njoftime për shtyp të njerëzve, të "artistëve" që flasin për sëmundjen në vend se të flasin për atë që bëjnë. Lista është e gjatë. Marshojnë. Atëherë pse duhet të jem ndryshe nga ata. Ekziston një logjikë, një logjikë e keqe. Por mbetet logjikë.

Muzika na bën të bukur.

Sa do të doja të thoja se muzika na bën të bukur. Unë për shembull jam i shëmtuar, por kur dirigjoj bëhem bukurosh. Edhe vetë ndihem i bukur, tejkaloj komplekset e gjendes sime, siç shpesh herë them, duke kapërcyer veten time edhe estetikisht. Kam arritur në përfundimin se kur një dirigjent është i bukur, në dirigjim bëhet edhe më i zoti për t’u dëgjuar, sepse në atë bukuri të marrë nga braktisja e vetes në krahët e muzikës, te kapërcimi i vetvetes, tashmë ekziston simptoma e një qasjeje korrekte.

*Ezio Bosso ishte kompozitor dhe dirigjent italian, i ndarë nga jeta në moshën 48-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë neurodegjenerative. Përkthyer në shqip nga Erjon Uka.