Shënime në Blog

Jeta nuk varet nga rastësitë

Jeta nuk varet nga rastësitë

Nga Ilham Kadri/ Shumë kohë më parë, gjyshja ime më thoshte se vajzat në Marok kanë dy rrugë: të shkojnë nga shtëpia atërore në shtëpinë e bashkëshortit, ose në varr. Falë saj gjeta rrugën e tretë, arsimin. Ajo ishte analfabete, por kjo gjë nuk e pengoi të më mësonte dashurinë për librat dhe, në më besofshi apo jo, libri i parë që lexova në shkollë ishte “Hirushja”. Është e vërtetë! Fakti që jam një CEO grua, me kombësi marokene më sjell shpesh ndër mend idenë se historia ime është një shembull klasik i shprehjes “nga skamja në pasuri”, pikërisht si Hirushja. Por historia ime është paksa ndryshe.

Fëmijëria ime, edhe pse e thjeshtë, ishte plot me dashuri dhe gëzim. Jam rritur duke besuar verbërisht se jeta nuk varet nga rastësitë, por nga arsimimi, nga aftësia për të mësuar dhe për të marrë përsipër përgjegjësitë. Tre janë hapat thelbësorë në jetë: të gjesh elementin dallues brenda vetes, të krijosh rrugëtimin personal dhe në fund, të dëgjosh zërin brenda teje.

Mësuesit më thoshin se isha e ndrojtur dhe e avashtë. Disa herë kam ndërruar shkollë. Kur isha rreth 13 vjeç, mësuesit thanë se mund të kisha një formë disleksie. Nga sot, dhe pavarësisht se të flas përpara një publiku për mua është rutinë, kam gjithmonë ndjesinë se po humbas fjalët. Për shumë kohë e kam pasur të vështirë të flas, por vetëm me kohën kuptova se dobësia ime mund të kthehej faktikisht në veçantinë time, në pikën time të forcës. Të njohësh vetveten do të thotë të respektosh edhe rrënjët e tua.

Kam jetuar në 13 qytete të ndryshme në katër kontinente, në kryqëzimin e botës afrikane, europiane, amerikane, arabe dhe unë besoj fort se rrugëtimi personal dhe profesional formohet nga ekosistemi ynë shoqëror.

Diversiteti prodhon rezultate më të mira, nëse ka përfshirje. Kështu që mbroni atë që jeni. Në fillim të karrierës sime drejtova një ekip njerëzish që shpiku tapën e parë plastike të verës. Ia arrita falë pasionit tim: shkencës. Fillimisht si inxhiniere mekanike, me një bursë studimi lashë Casablanca-n për të përmbyllur doktoraturën në Francë, duke punuar deri në 16 orë në ditë. Kuptova rëndësinë e mësimit përmes gabimeve, fuqinë e vendosmërisë, të kuriozitetit, të të menduarit jashtë skemave klishe. Gjyshja më inkurajoi të angazhohesha sa të mundesha për kauza që i kisha për zemër.

Vëmendja ndaj qëndrueshmërisë u krijua në shtëpinë time, me ruajtjen e ushqimit dhe ujit të pishëm. Kur m’u ofrua puna e parë si Drejtoreshë e Përgjithshme, më quanin “Zonja e Ujit”, isha gruaja e parë që firmosi një marrëveshje në Arabinë Saudite për impiantin e parë të shkripëzimit të ujit, pa përdorur lëndë djegëse. Si ishte e mundur? Duke e jetuar jetën në gjithësinë e saj, jo vetëm si një shëtitje, siç thoshte Amelia Earhart.

Prandaj mos u kënaqni, ndiqni ëndrrat tuaja edhe nëse do të duhet të përballeni me rreziqe. Dhe sapo gjeni atë që ju bën unikë, dëgjoni zërin tuaj. Nuk është e lehtë të përfaqësosh një minorancë dhe nuk është e lehtë të jesh një grua. Si drejtuese kompanie, jam përballur me një lloj rezistence kur njerëzit mendonin se isha shumë e re, shumë femërore apo shumë e guximshme.

Burrë apo grua qofshi, do të duhet të përballeni me shumë “jo”. Do të takoni njerëz që do të kërkojnë t’ju dekurajojnë. Ose edhe më keq: të dyshoni në vetvete. Do të ndiheni në faj, veçanërisht kur mëmësia do t’ju vërë në kushtet e vështira për të rritur fëmijët dhe për të zhvilluar karrierën tuaj. Në fillim të karrierës në Diversey, kam themeluar “Hygieia Network”, një rrjet ndërkombëtar për gratë që punojnë në sektorin e pastrimit. Kështu arrita t’i bëja homazh edhe gjyshes sime që bënte këtë punë. Ishte një mënyrë për të bërë diçka më të madhe se vetja.

Në këtë vit të ri akademik, krijoni komunitetin tuaj. Gjeni metorët që do t’ju ndihmojnë në rrugën tuaj dhe mbështetësit që mund të flasin për ju, në mungesën tuaj. Dhe pastaj bëhuni ju mentor dhe mbështetës të të tjerëve. Zgjidhni më të mirët në ekipin tuaj, edhe nëse janë më të mirë se ju. Kur isha Chief Digital Officer ndihesha një “emigrante dixhitale”. Kam marrë leksione, kam mësuar, por rrethohesha edhe nga nativë dixhitalë më ekspertë dhe më të rinj se unë. Gjatë ditës bëni më shumë nga sa ju kanë kërkuar. Kjo ndjenjë komuniteti më ka shtyrë që të krijoj në fillim të këtij viti “Solvay Solidarity Fund” që në pak muaj mblodhi 12 milionë euro në përgjigje të emergjencës COVID-19. Për mua, ky është mesazhi: puna ime e sotme nderon kujtimin e gjyshes sime, modelit tim të parë, një heroinë e padukshme.

Më nxiti të gjej rrugën e tretë, të ndërtoj një fondacion bamirës dhe të jetoj jetën time në potencialin e saj të plotë. Cili është mesazhi për ju? Mos harroni se asgjë nuk është e pamundur.

Gjeni atë që ju veçon dhe kini ëndrra të mëdha. Edhe nëse ëndrra juaj është shumë e madhe: nuk ka rëndësi realizimi i ëndrrës, por ka rëndësi rruga që ju bën ta realizoni. Ndërkohë, duke mbajtur mend se jeni unikë, do të arrini në destinacion duke pasur ndikim mbi botën.

*Ilham Kadri është sipërmarrëse franko-marokene, e specializuar në fushën makromolekulare. Është CEO e Solvay, një kompani belge e produkteve kimike. Kjo pjesë është një lectio magistrals drejtuar studentëve të “Libera Università Internazionale degli Studi Sociali Guido Carli” në fillim të vitit akademik. U përkthye në shqip nga Erjon Uka.