Shënime në Blog

Jeta përtej celularit

Jeta përtej celularit

Nga Ron Srigley/ Një ditë, disa vite më parë, bëra një eksperiment gjatë njërit prej leksioneve të filozofisë. Të gjithë studentët e mi kishin dështuar në një provim të mesit të semestrit. Arsyet ishin të shumta, por kisha ndjesinë se përdorimi i tepërt i celularëve dhe i laptop-ëve në klasë ishte pjesërisht përgjegjës. Kështu që i pyeta vetë ata se cili ishte problemi. Pra, provimi kishte shkuar keq për të gjithë, prandaj ishte e rëndësishme të dinim se çfarë nuk kishte shkuar siç duhej.

Pas një heshtjeje që zgjati paksa, një vajzë ngriti dorën dhe tha: “Nuk kuptojmë se çfarë thonë librat. Nuk i kuptojmë fjalët.” Shtanga dhe pashë studentët e tjerë që murmurisnin. Kështu mendova të bëja një eksperiment të vogël. U ofrova disa pikë ekstra atyre studentëve që do të më dorëzonin celularët për nëntë ditë dhe do të shkruanin se si do të ishte jeta pa të.

12 studentë, rreth një e treta e klasës, e pranoi ofertën.

Pa telefonët e tyre, fillimisht pjesa më e madhe e studentëve ndiheshin të humbur, të çorientuar, të frustruar dhe madje të frikësuar. Pra, ndiheshin sikur u mungonte diçka. Kjo gjë mbështeste narrativën e industrisë celulare, që shihte te shkëputja një ndarje të vërtetë nga bota. Por dy javë më pas, diçka ndodhi.

Pjesa më e madhe filloi të mendonte se celularët e tyre praktikisht po kufizonin marrëdhëniet e tyre me njerëzit e tjerë, duke kompromentuar jetën vetjake dhe në një farë mënyrë duke i nxjerrë jashtë nga bota reale. Ja disa prej pohimeve të tyre: “E besoni apo jo, m’u desh të shkoja te një i panjohur për ta pyetur se sa ishte ora. Ndershmërisht e them, m’u desh shumë kurajë për ta bërë, sepse më pa si të isha e çmendur”, shkroi Janet. “Dikush madje më tha se isha e çuditshme, sepse të gjithë e kanë një celular.” Por Janet përshkroi edhe një fakt të veçantë. “Kur pyesja se sa ishte ora, thuajse të gjithë nxirrnin celularin përpara se të hyja në një marrëdhënie vizive me ta.”

Për shumë të rinj, kontakti direkt njerëzor dhe i pandërmjetësuar, u përjetua si diçka “e paedukatë” në rastin më të mirë dhe “e çuditshme” në rastin më të keq. Pra, sikur duhet të ketë një lloj besimi, lejeje, përpara se të bëhen gjëra të caktuara, për shembull thjesht të telefonosh.

James, një student tjetër, vuri re se: “Një prej gjërave më të këqija dhe më të zakonshme që njerëzit bëjnë sot, është nxjerrja e celularit gjatë një bisede ballë për ballë.” Por shkruante edhe se në këtë mënyrë pati mundësinë të shihte se edhe ai vetë bënte këtë gjë.

Emily vuri re se “shumë persona e përdornin celularin kur ndiheshin në siklet, si për shembull kur ishin në një festë dhe askush nuk fliste me ta”.

Çmimi i kësaj mbrojtjeje nga momentet e vështira është humbja e marrëdhënieve njerëzore, një pasojë që shumica e studentëve nuk e kishin peshuar më parë. Pa telefonin e tij, James u detyrua të shikonte të tjerët në sy dhe të bisedonte. Stewart tha se: “Të qenit i detyruar të hysh në marrëdhënie reale me njerëzit më ka bërë njeri më të mirë, sepse sa herë që ndodhte mund të mësoja ta trajtoja më mirë situatën, e cila është shumë më mirë sesa të shikosh vazhdimisht një telefon”.

Praktikisht të gjithë studentët pranuan se lehtësia e komunikimit ishte një prej avantazheve kryesore e telefonave të tyre. Gjithsesi, 8 nga 12 thanë se ishin ndjerë sinqerisht të lehtësuar se nuk ishin të detyruar t’i përgjigjeshin fluksit të mesazheve dhe postimeve në rrjete sociale.

Peter: “Duhet ta pranoj, ishte bukur pa telefon përgjatë gjithë javës. Nuk ishte e nevojshme të përgjigjesha për çdo mesazh dhe nuk u ndjeva keq qe nuk iu përgjigja telefonatave sepse nuk gjendesha aty për t’i injoruar.”

Emily tha se arriti “të flinte më paqësisht pas dy netëve të para”. Studentë të ndryshëm shkuan përtej dhe pranuan se komunikimi me të tjerët ishte në të vërtetë më i lehtë dhe më efiçent pa telefonët e tyre. Stewart: “Në të vërtetë i bëja gjërat më shpejt, sepse në vend se të prisja përgjigjen nga dikush (që as nuk e di nëse i lexojnë mesazhet e tua), i telefonoja dhe kështu vazhdoja direkt me veprimin tjetër”.

Thuhet shpesh se disa mjete na bëjnë më produktivë. Por për studentët, telefonët kanë shkaktuar efektin e kundërt. “Shkrimi i një dokumenti pa telefonin tim pranë rriti produktivitetin me thuajse dyfishin”, pranoi Elliott. “Je i përqëndruar në një detyrë, dhe nuk duhet të shqetësohesh për asgjë tjetër”.

Eksperienca e studentëve të mi me telefonat celularë ndoshta nuk është shteruese apo statistikisht e vlefshme. Por është e qartë se këto pajisje i kanë bërë të ndihen më pak të gjallë, më pak të ndërlidhur me njerëzit e tjerë dhe me botën dhe më pak produktivë. Gjithashtu i bëjnë më të vështira kryerjen e shumë detyrave, me fjalë të tjera, telefonat nuk i ndihmuan. Ose të paktën, jo në gjithçka.

E bëra këtë ushtrim për herë të parë në vitin 2014. E përsërita vitin e kaluar në institucionin më të madh ku jap mësim. Këtë herë, shtysa nuk ishte dështimi i një provimi: ishte dëshpërimi im për eksperiencën shkollore në tërësinë e saj.

Këtu dua të jem i qartë, kjo nuk është diçka personale. Kam shumë pasion, por studentët janë të frikshëm. Një ditë prej dite, 70% e tyre ishin ulur para meje duke bërë pazar, duke dërguar mesazhe, duke luajtur, duke parë video dhe madje seriale televizive. Dhe këtë nuk e bëjnë vetëm studentët “e këqinj”, por edhe ata “të mirët”. Dhe më e keqja është se askush nuk përpiqet ta fshehë.

Ku është problemi? Askush nuk kërkon ta eliminojë celularin nga bota, por duhet të peshojmë një fakt. Për shumë studentë, edhe aktivitetet më të thjeshta, si marrja e autobusit apo e trenit, porositja e drekës, ngritja në mengjës apo gjetja e vendodhjes, ishin veprime që kërkonin ndihmën e celularit. Sa më shumë që telefoni bëhej pjesë e kudondodhur e jetës së tyre, frika e tyre e qëndrimit pa celular rritej. Ishin nervozë, të humbur, pa pajisjet e tyre.

Të rinjtë mendojnë se jeta pa telefonat celularë është më e thjeshtë dhe më e vërtetë, por mund të mos jenë më në gjendje t’i bëjnë ballë botës dhe shoqërisë. Disa ditë më pas, ndiheshin më mirë dhe u mësuan lehtësisht, por të gjithë mendonin se gjërat po shkonin mirë vetëm për një periudhë të shkurtër kohe. Dhe fakti është se ndoshta konstatimi është i vërtetë. Nuk mund të shpresohet se mund të konkurrojmë në mënyrë efikase në jetë pa një burim të lehtë komunikimi si telefoni ynë.

A e dimë se si këto mjete po e ndryshojnë sjelljen tonë? Me shumë mundësi jo. Është ky rasti të fillojmë të studiojmë efektet.

*Ron Srigley është shkrimtar dhe akademik, i cili bashkëpunon me Los Angeles Review Books, The Walrus dhe MIT Technology Review. Ky artikull u përkthye në shqip nga Erjon Uka.