Shënime në Blog

Katër ditë në javë për të rimarrë në dorë jetën tonë

Katër ditë në javë për të rimarrë në

Nga Juliet Schor/ Prej viteve ’80 merrem me punën dhe kurrë më parë nuk kam vërejtur diçka të ngjashme me atë që po ndodh sot. Ankthi, i ushqyer edhe prej pandemisë, po rritet në gjithë botën. Në Shtetet e Bashkuara, më shumë se gjysma e punonjësve deklarojnë se ndihen të stresuar në pjesën më të madhe të ditës. Dorëheqjet kanë kapur nivele rekord. Njerëzit po sfiliten.

Si përgjigje ndaj kësaj, një numër gjithmonë e në rritje kompanish, po ofrojnë një javë katër ditore, 32 orë, por me pagesë sa për pesë ditë. Tashmë nuk është më një ide e re, por pandemia e përshpejtoi. Punëdhënësit kanë kuptuar se nëse mund të rimendojnë se ku e kryejnë punën punonjësit e tyre, mund të rimendojnë edhe se sa ditë kalojnë në punë.

Tingëllon goxha mirë, por a është realiste? Në të vërtetë, po. Ndryshe nga politikat që favorizojnë një pjesë në kurriz të një pjese tjetër, java me katër ditë mund t’u japë përfitime punonjësve, kompanive, shoqërisë, dhe mund të jetë edhe një rrugë për të përballuar ndryshimet klimatike.

Por para së gjithash, të flasim për vendin e punës. Thuajse për një dekadë, kompanitë dhe qeveritë kanë eksperimentuar orare më të shkurtra pa shkurtuar pagat. Megjithëse rezultatet mund të variojnë nga një eksperiencë në tjetrën, kërkimet tregojnë se njerëzit janë më pak të stresuar, e vlerësojnë më shumë vendin e punës dhe kanë një cilësi më të lartë jetese jashtë punës. Në pjesën më të madhe të rasteve, janë produktivë në katër ditë po aq sa në pesë. Nga ana tjetër, kompanitë mund të korrin avantazhe për shkak të të ardhurave më të larta të faturuara, si edhe të kenë një basen më cilësorë kandidatësh për punë. Më pak “burnout” redukton kostot shëndetësore, gabimet dhe shërbimin e dobët. Bashkë me kolegët po studiojmë eksperiencat me katër ditë pune në Shtetet e Bashkuara dhe në Irlandë, si edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Zelandën e Re dhe Australinë. Kemi mijëra punonjës që po marrin pjesë.

Healthwise, një shoqëri edukimi, nuk ka pritur fillimin e procesit tonë. Në qershor, punonjësit e saj u dorëhoqën masivisht. Në gusht, implementuan një javë me katër ditë. Gjashtë muaj më vonë, CEO Adam Husney tregoi se njerëzit janë shumë më të lumtur dhe s’kanë qenë kurrë më parë kaq produktivë. Janë reduktuar raportet, janë rritur të ardhurat dhe pikët e kënaqësisë së klientëve janë të jashtëzakonshme. Punonjësit e Healthwise i kalojnë të premtet duke bërë aktivitete familjare apo duke u marrë me sport. Një mama e fëmijëve të vegjël tha se tashmë mund t’i dedikohet kujdesit ndaj vetes dhe pedikyrit pa u ndjerë në faj. Java me katër ditë mund të ndihmojë në kujdesin personal dhe në menaxhimin e stresit të përditshëm që shkaktohet nga racizmi sistematik, seksizmi apo dallimet klasore.

Një pjesë thelbësore e këtij modeli është se në këmbim të dhurimit të një dite të lirë, njerëzit janë të gatshëm ta shfrytëzojnë të gjithë produktivitetin e tyre në katër ditë. Pra, megjithëse po kalojnë më pak kohë në punë, nuk po bëjnë më pak punë. Përbërësi kryesor i kësaj recete është riorganizimi i punës, duke eliminuar aktivitetet më pak produktive. Mbledhjet janë objektivi primar. Pjesa më e madhe e kompanive reduktojnë frekuencën, kohëzgjatjen dhe numrin e pjesëmarrësve. Në Healthwise, njerëzit kursejnë kohë duke u dërguar mesazhe kolegëve dhe jo duke telefonuar, gjë që përfshin në mënyrë të pashmangshme disa biseda sociale. I kanë zhvendosur detyrat personale, si takimet me mjekun, në ditën e pushimit. Dhe po, ritmi i punës në zyrë vjen duke u rritur. “Të jemi të ndershëm”, tha njëri, “nuk bëj shaka apo shoh Facebook, gjë që e kryeja më parë”. Por njerëzit janë përshtatur dhe preferojnë ta marrin kohën e tyre joproduktive si një ditë të plotë pushimi sesa të copëzuar në fragmente.

Të ngjashme kanë rezultuar edhe iniciativat e qeverisë. Në vitin 2015, qyteti i Reykjavik dhe më pas qeveria islandeze filluan të ofronin javë pune me 36 dhe 35 orë për më shumë se 2500 punonjës. Rezultatet kanë qenë të jashtëzakonshme. Stresi fizik dhe mendor u ul, ndërsa etika e punës, kënaqësia në punë, ekuilibri punë-jetë, nivelet e energjisë e çdo element tjetër u përmirësua. Produktiviteti dhe cilësia e shërbimit mbetën të njëjta ose të përmirësuara dhe evidenca ishte neutrale për sa i përket të ardhurave. Sot, rreth 85% e të gjithë punonjësve islandezë kanë të drejtën për këto orë. Qeveritë e Spanjës dhe Skocisë kanë shpallur testime javore katër-ditore në të cilat do të subvencionojnë pagën e ditës së pestë.

Një nga arsyet e këtyre sukseseve është se me kohë më të shkurtra pune, çdo orë në përgjithësi bëhet më produktive. Norvegjia dhe Danimarka, dy vendet europiane me orët më të shkurtra mesatare të punës prej rreth 1,380 të tilla, kanë produktivitet të habitshëm. Franca dhe Gjermania janë të ngjashme. Anasjelltas, vendet si Mbretëria e Bashkuar dhe Italia kanë produktivitet shumë, shumë më të ulët. Shtetet e Bashkuara udhëheqin historikisht botën në produktivitet dhe ndoshta do të kishin performancë më të mirë tani nëse orët e tyre të punës nuk do të ishin aq të larta. Ndërsa kompanitë e teknologjisë përbëjnë grupin më të madh duke adoptuar orë më të shkurtra katër-ditore. Kompanitë në sektorin bankar, të PR, të marketingut dhe dizajnit, organizatat jofitimprurëse, ato të mallrave të konsumit dhe zinxhirët e restoranteve po aplikojnë po ashtu javën katër ditore.

Por është edhe e vërtetë se të bësh 100% të punës në 80% të kohës, nuk është diçka që mund të kryhet kudo. Disa dekada më parë, prodhimi u përshpjetua. Shumë instruktorë dhe asistentë të fluturimeve duhet të ngadalësojnë, jo të intensifikojnë. Natyrisht, edhe punonjësit e shëndetësisë të vijës së parë, duhet të punojë më pak, jo më shumë.

Këtu na udhëzon një tjetër përpjekje e qeverisë. Në vitin 2014, qyteti i Goteborgut në Suedi u ofroi infermierëve gjashtë orë pune në ditë. Siç pritej, shëndeti dhe mirëqenia e përgjithshme e infermierëve janë përmirësuar, po ashtu edhe produktiviteti dhe kujdesi ndaj pacientëve. Por në këtë proces ata punësuan staf të ri për orët që nuk mbuloheshin. Zbulimi befasues ishte se pagesa më e ulët e raporteve mjekësore dhe përfitimet e papunësisë ndihmuan në kompensimin e atyre pagave shtesë.

Rasti suedez ngre një pyetje më të madhe, më ekzistenciale. Sa kohë duhet t’i kushtojmë punës? Në shumë shtete, vendet e punës po bëhen më shumë angazhuese, jo më pak. Ka zënë vend ideja se edhe vendet e pasura duhet të shtrëngojnë rripin po ashtu. Por në të vërtetë, duhet të shkojmë në drejtim të kundërt sepse dixhitalizimi dhe inteligjenca artificiale ofrojnë mundësinë për të reduktuar kohët e punës. Pas lodhjes së pandemisë, ne duhet të dyfishojmë nivelin e rivendosjes së cilësisë së jetës dhe strukturës sonë sociale, veçanërisht në vendet e pasura ku tashmë prodhojmë mjaftueshëm që të gjithë të kenë një standard të mirë jetese.

Ky rrugëtim ka një avantazh të mëtejshëm në përballimin e krizës klimatike. Me një javë prej katër ditësh, dukshëm do të ketë më pak lëvizje. Nëse përdorim rritjen e produktivitetit për të vazhduar reduktimin e orëve të punës me vetëm disa pikë përqindjeje në vit, mund të krijojmë një dinamikë afatgjatë dekarbonizimi. Hulumtimet që kam bërë unë dhe të tjerët e kanë provuar vazhdimisht këtë tendencë në të gjitha vendet, në të gjitha shtetet, në të gjitha familjet.

Një prej arsyeve është se kur njerëzit janë të stresuar, priren të zgjedhin mënyra udhëtimi ose aktivitete ditore më të shpejta dhe ndotëse. Përkundrazi, kur njerëzit kanë më shumë kohë dhe jo detyrimisht pará, priren të zgjedhin mënyra lëvizjeje që ndosin më pak. Por arsyeja kryesore ka të bëjë me përmasat e ekonomisë. Me vendimin për të punuar më pak, shtetet zgjedhin që të mos e zgjerojnë prodhimin në maksimum, duke emetuar më pak gazra të dëmshëm. Historitë e suksesit të lidhura me karbonin si Gjermania dhe Danimarka kanë veçantinë e një orari më të ulët vjetor. Edhe Franca dhe Vendet e Ulëta kanë nivele të ulëta karboni dhe kohe pune.

Java katërditore është pararojë për një mënyrë të re jetese dhe pune. Dhe po, ne do të kemi nevojë për ndihmën e qeverisë nëse duam të shkojmë përtej kompanive inovative që tashmë i ndjejnë përfitimet. Mund ta kuptojmë se të gjithë e meritojnë të drejtën e kohës së lirë. Dhe kjo sjell në pamje të plotë logjikën e të ardhurave bazë universale. Sepse pa mbështetje financiare, të ardhurat e ulëta nuk mund ta përballojnë ditën e pestë të lirë.

Këto ditë flitet shumë për të ardhmen e punës dhe mundësitë që ajo ofron. Por këtu ka diçka më shumë se sa mundësia. Kemi një imperativ. Një imperativ për të përballuar sfidat e kohës sonë. Pandemia, sfilitja dhe depresioni, pabarazitë racore dhe të të ardhurave, kriza klimatike. Një javë katër-ditore trajton secilën prej tyre.

*Juliet Schor është ekonomiste dhe sociologe në “Boston College”. Hulumtimet e saj fokusohen në koordinimin midis punës, shoqërisë së konsumit dhe ndryshimit të klimës. Autore e bestsellerit “The Overworked American”, ajo aktualisht po studion provat katër-ditore që zhvillohen në mbarë botën.