Shënime në Blog

Kazuo Ishiguro, romani i parë pas Nobelit dhe "sindroma e gjeniut"

Si ndikon “sindroma suedeze” te shkrimtarët që fitojnë Nobelin. Kazuo Ishiguro flet për romanin e parë që boton pas marrjes së çmimit Nobel në vitin 2017: Jo vetëm kaq, por edhe momentet e fundit me të ëmën, kujtimet nga Japonia, frymëzimi nga filmat e Stanley Kubrick dhe se si shkencën e sheh si një lloj Zoti për miliarda njerëz në këtë periudhë të koronavirusit.
Kazuo Ishiguro, romani i parë pas Nobelit dhe "sindroma e

Çfarë ka mbetur nga Nobeli është “e njëjta mënyrë e çorganizuar studimi si më parë, me të njëjtat probleme për të shkruar atë që kam në mendje”. Çmimi “nuk më ka ndryshuar, të paktën për tani”, thotë Kazuo Ishiguro, duke treguar se ka bërë kërkime për të kuptuar nëse do të ndikojë dhe si do të ndikojë çmimi tek ai.

Romani i tij i fundit “Klara dhe Dielli” është i pari që shkrimtari anglez 66-vjeçar me origjinë japoneze boton pasi mori në vitin 2017 nderimin më të madh të letërsisë botërore. Edhe pse Ishiguro kishte fituar në vitin 1989 “Booker Prize”, çmimin më prestigjioz letrar në gjuhën angleze me librin “Dita e mbetur”, i konsideruar si kryevepër nga Salman Rushdie dhe i përshtatur në një film po aq të suksesshëm, është e pashmangshme ta pyesim se çfarë ndjeu atë pasdite të katër viteve më parë kur shkuam për t’i bërë një vizitë në shtëpinë në Londër sapo morëm lajmin e dhënies së çmimit Nobel, së bashku me një grup gazetarësh britanikë dhe të huaj.

Si e mbani mend atë ditë?
Si një surprizë të madhe. As nuk e prisja të fitoja, do të duhej të ishte një mëngjes si gjithë të tjerët. Isha në studion time duke shkruar pikërisht për librin “Klara dhe Dielli”. Pastaj erdhi fundi i botës.

Mendoni se katër vjet më vonë jeni një shkrimtar i ndryshëm?
Është shpejt për ta thënë. Në atë kohë e kisha shkruar një të tretën e “Klara dhe Dielli” dhe e kisha planifikuar të gjithë librin. Është e vërtetë se me Nobelin m’u desh ta ndërprisja për gjashtë muaj romanin, por kur rifillova e dija se si të shkoja në fund. Do të jetë libri i radhës që do ta tregojë nëse kam ndryshuar si shkrimtar.

Ky nderim mund të ndikojë...
Fituesit e çmimit Nobel në fushën shkencore që më rastis t’i takoj shpesh në Londër më kanë folur për një sëmundje të çuditshme ndaj së cilës ata rrezikohen: sindroma e gjeniut. Fituesit e Nobelit, duke qenë se nderohen për një disiplinë shumë të specializuar, besojnë se janë shndërruar në qenie gjeniale dhe fillojnë të bërtasin duke thënë budallallëqe me okë. Kjo është arsyeja pse unë përpiqem t’i përmbahem nënshkrimit të peticioneve ose dhënies së opinioneve: do të doja ta shmangia rënien në të njëjtën sindromë.

Por ama e ndjeni peshën e Nobelit në librin tuaj të ardhshëm?
Po rrëfej se kam bërë një kërkim: Kam parë se çfarë kanë prodhuar shkrimtarët fitues të Çmimit Nobel pasi e fituan atë.

Dhe çfarë zbuluat?
Përgjithësisht ky çmim fitohet në moshë të madhe. Unë isha 62 vjeç, moshë në të cilën zakonisht një shkrimtar ka dhënë shumë, ndonjëherë ka dhënë edhe më të mirën e tij. Por megjithatë zbulova dhe Gabriel García Márquez pasi fitoi Nobelin, botoi “Dashuria në kohët e kolerës”, një prej romaneve të tij më të mëdhenj. Prandaj ruaj shpresa se mund të shkruaj ende diçka të mirë.

Të kthehemi tek e tashmja: pas romanit “Mos më lër të shkoj”, “Klara dhe Dielli” është romani juaj i dytë mbi një të ardhme distopike: e doni fantashkencën?
Nuk lexoj shumë, edhe pse kam shumë respekt për këtë gjini që në mënyrë të padrejtë trajtohet në margjina, megjithëse sot më pak se dikur. Por ama ndjek dhe më pëlqejnë shumë filmat fantashkencë.

I preferuari juaj?
Pa dyshim “2001: Odisea në hapësirë”. Por e adhuroj të gjithë punën e Kubrick. Madje po them më shumë: për mua ka qenë pak a shumë një model. Kam kërkuar tema krejtësisht të ndryshme për romanet e mia, ashtu siç bënte Stanley Kubrick me kinemanë. Pikërisht fantashkenca në “2001: Odisea në hapësirë”, horrori në “The Shining”, e ardhmja distopike në “A Clockëork Orange”, lufta në “Dr. Strangelove” dhe “Full Metal Jacket”, Anglia e shekullit të tetëmbëdhjetë në “Barry Lyndon”...

Mendoni se në të ardhmen do të jetojmë me të vërtetë në një botë si në atë të “Klara dhe Dielli”, në të cilën androidë të quajtur Miq Artificialë do t’i bëjnë shoqëri qenieve njerëzore?
Pjesërisht kjo është e tashmja jonë. Robotët që na bëjnë shoqëri janë pas qoshes dhe inxhinieria gjenetike lejon të formohen fëmijët siç dëshirojnë prindërit: nuk bëhet vetëm për arsye gjenetike.

Dhe kjo është një perspektivë që ju pëlqen apo ju tremb?
Të dyja. Mendoj se teknologjia po i mundëson mjekësisë mposhtjen e sëmundjeve më të tmerrshme, siç po tregon edhe vaksina kundër Covid. Por pyes veten se ku do të ndalemi kur të jetë e mundur të krijojmë qenie të modifikuara gjenetikisht, jo vetëm më të shëndetshme, por edhe më të bukura, më të forta, më të zgjuara se qeniet njerëzore normale, dhe kjo më shqetëson.

Marrëdhënia midis robotit Klara dhe vajzës të kujton disi atë midis alienit dhe fëmijës te "Princi i Vogël" i Saint-Exupéry.
Nuk e njoh mirë atë libër. Por njoh historinë e Winnie Pooh. Ka një moment shumë të trishtueshëm kur miku i tij njeri Christopher Robin rritet dhe kupton se ndoshta nuk do të qëndrojë përgjithmonë duke luajtur në pyll me arushin. Diçka e ngjashme ndodh në romanin tim. Është simboli i marrëdhënies së çdo fëmije dhe lodrës së tij, e destinuar të ndërpritet kur i vogli rritet.

Dielli në titull presupozon një Zot. Jeni besimtar?
Nuk jam, edhe pse kam respektin maksimal për këdo që beson. Kam më pak simpati për organizatat që janë krijuar përreth feve, por unë e pranoj se nevoja për të besuar në diçka të mirë dhe të fuqishme është pjesë e rëndësishme e shpirtit njerëzor. E pamë këtë me pandeminë.

Koronavirusi ju shtyu drejt besimit?
Jo, më shtyu drejt shkencës. Gjatë kësaj pandemie, edhe ajo u bë një lloj Zoti i mirë dhe i fuqishëm për miliarda njerëz. Paradoksi është se vinim nga disa vite në të cilat e vërteta shkencore dukej e mohuar nga çështje si Brexit apo Trump, falë të cilëve zuri vend idea sipas së cilës gjithsecili mund të kishte të vërtetën e tij dhe kush bërtiste më shumë kishte të drejtë. Covid-i i riktheu të dhënat shkencore në piedestalin që meritonin. Sigurisht, edhe kundër koronavirusit ka nga ata që mohojnë provat, por ata janë një pakicë e vogël. Kur në lojë janë jeta ose vdekja, ekzistojnë kufizime në besimin ndaj gënjeshtrave, ndërsa kur dikush dëshiron të besojë se Trump-i i fitoi zgjedhjet presidenciale kundër Biden, do të jetë e pamundur të ndryshojë mendje.

Pse ia keni kushtuar këtë libër kujtimit të nënës suaj?
Sepse vdiq në kohën kur po e mbaroja. Në netët e fundit isha ulur pranë shtratit të saj, me shënimet e romanit mbi gjunjë për të qëndruar zgjuar. Pastaj, kur e përfundova, gruaja ime më tha se Klara kishte diçka të përbashkët me nënën time, madje me të gjitha nënat: Dashurinë pa kushtëzime dhe altruiste për një krijesë tjetër.

Ju keni qenë fëmijë kur prindërit ju sollën nga Nagasaki në Angli. Çfarë ka mbetur nga Japonia brenda Kazuo Ishiguros?
Gjuha, të cilën e kam folur gjithmonë me mamanë dhe babanë tim, edhe pse jo në mënyrë krejtësisht të saktë. Kujtimet e prindërve për bombën atomike, që i kam përfshirë në tregimin tim të parë: brezi im, edhe pse lindi një dhjetëvjeçar pas Luftës së Dytë Botërore, e shihte të largët, e hidhte vështrimin drejt së nesërmes. Dhe kur kthehem në Japoni e shoh kaq të ndryshme nga kujtimet e mia prej fëmije, aq sa nuk e njoh. Më duket një vend i huaj. Ndihem pothuajse më pranë Italisë, gruaja ime dhe unë shkojmë atje aq shpesh dhe me aq dëshirë sa ajo ka mësuar italisht: mezi presim të kthehemi, sa më shpejt që të jetë e mundur të udhëtojmë përsëri pa kufizime dhe pa frikë.

*Kazuo Ishiguro është shkrimtar anglez me origjinë japoneze, fitues i çmimit Nobel për letërsinë në vitin 2017 me motivacionin “sepse, në romanet e tij me forcë të madhe emocionale, ai zbuloi humnerën që qëndron në themel të ndjenjës sonë iluzore të lidhjes me botën”. Në shqip janë botuar pesë romane të tij. Kjo intervistë për Enrico Franceschini u përkthye në shqip nga Erjon Uka.