Shënime në Blog

Koha e pafajësisë sonë në planet ka mbaruar

Gjatë dy shekujve të fundit kemi filluar të kuptojmë se sa shumë varet jeta në Tokë nga atmosfera. Herder ishte filozofi i parë që kuptoi se ne njerëzit jemi fëmijë të ajrit. Nëse duam të kuptojmë emergjencat ekologjike dhe Covid-19, duhet të rimendojmë për një filozofi të ajrit, për një ekuilibër me atmosferën.
Koha e pafajësisë sonë në planet ka mbaruar

U bë i njohur me "Kritika e arsyes cinike", një vepër goditëse në të cilën Peter Sloterdijk tallet disi me të gjithë traditën filozofike. Me trilogjinë vigane "Sferat" ai më pas rindërtoi një antropologji të kulturës. Ose më saktë “nevojën tonë të dëshpëruar për të ndërtuar brenda salloneve të shtëpisë deri te sferat më të larta politike, hapësira imunitare”. Katastrofat natyrore që shkretojnë planetin dhe Covid-19 me vaksinimet dhe me kufizimet që imponon, janë dy “sfidat më urgjente imunitare”, thotë ai.

Si keni reaguar përballë imazheve të tmerrit ekologjik?
Jemi të ekspozuar ndaj dy ngjarjeve mitologjike: ndaj tërbimit të ujërave dhe, siç pamë në Europë apo në Amerikë, ndaj zjarreve. Përballë këtyre tragjedive nuk ekziston ndonjë hero si në “Flautin Magjik” të Moxartit, por qëndron njerëzimi gjithmonë e më i zemëruar nga katastrofat natyrore dhe virale.

Në “Sferat” ju sintetizoni: politika e klimës është fat...
Sipas Hegelit, pushtimi i mendimit grek qëndronte në bërjen e kozmosit të banueshëm. Në gjurmët e grekëve, jemi mësuar ta identifikojmë kozmosin dhe oikos (koncept grek që i referohet familjes dhe shtëpisë) me shtëpinë tonë. Nga Hölderlin te Heidegger, idealizmi ka besuar se njeriu e banon këtë planet në mënyrë poetike, pra duke ndërtuar shtëpi mbi të. Sapo flasim për "umwelt", për mjedisin, megjithatë, largohemi nga ai vizion grek. Nga pikëpamja ekologjike kozmosi nuk është shtëpia jonë dhe as njeriu nuk është i vetmi person i gjallë që jeton në të.

Sulmet terroriste na trondisin. Përballë katastrofave ekologjike tregojmë indiferencë.
Terrorizmi na trondit sepse ka gjithmonë një autor apo një fajtor. Ndërsa një përmbytje e interpretojmë pothuajse gjithmonë si ngjarje. Në krahasim me paraardhësit tanë të lashtësisë që i perceptonin katastrofat si një paralajmërim nga perënditë, ne jemi më të pandjeshëm. Megjithatë, edhe sot na tregojnë se si ka mbaruar koha e pafajësisë sonë të supozuar në planet.

Sot klimatologët e rimendojnë Tokën si një subjekt shumë të ndjeshëm që reagon me çdo lloj forme katastrofash përballë sjelljes njerëzore...
Gjatë dy shekujve të fundit kemi filluar të kuptojmë se sa shumë varet jeta në Tokë nga atmosfera. Herder ishte filozofi i parë që kuptoi se ne njerëzit jemi fëmijë të ajrit. Nëse duam të kuptojmë emergjencat ekologjike dhe Covid-19, duhet të rimendojmë për një filozofi të ajrit, për një ekuilibër me atmosferën.

Në esenë "Sfida e Gaias", Bruno Latour në vend të kësaj përshkruan luftën midis shkencëtarëve, aktivistëve të gjelbër dhe mohuesve të të gjitha ngjyrave rreth mantelit të hollë të atmosferës.
Lufta që ka nisur tani, ka lindur në momentin kur në Paris, Lavoisier zbërtheu ujin duke treguar se përbëhet nga hidrogjeni dhe oksigjeni, pra nga dy gazra. Çfarë zhgënjimi për njeriun ky zbulim që i tregon se uji nuk është element, por është një gaz që qëndron pezull në ajër. E gjithë tradita filozofike dhe politike, prej Platonit deri te Heideggeri, është një metafizikë e tokës. Ne kemi asimiluar zbulimet e mëdha të Kopernikut, të Galileut dhe të Njutonit, por ende jo një metafizikë të ajrit për të kuptuar realitetin e gaztë të atmosferës.

Nëse do t’i vinim vesh se çfarë thonë Trump, Putin apo Bolsonaro, raportet gjithmonë e më alarmante të klimatologëve nuk janë gjë tjetër veçse lajme të rreme.
Në ish Republikën Demokratike të Gjermanisë ishte e ndaluar fjala angleze “smog”, sepse për ndotjen thoshin “re industriale”. Fakti që ne shkaktojmë miliarda vatra zjarresh dhe e ndosim ajrin me miliona makina, për ata që i mohojnë këto probleme bëhet fjalë vetëm për një re që lëshon shi nga qielli dhe që Toka do të jetë gjithmonë në gjendje ta thithë. Shumë fëminore.

Si është e mundur që të besohet se mbinxehja globale nuk është vepër e njeriut?
Logjika fëminore ashtu si mendimi magjik e zhduk dallimin që qëndron mes veprimit dhe ngjarjes. Në fjalimet që mban Bolsonaro, Erdogani apo Putini, njeriu nuk është kurrë përgjegjës për ndikimin e veprimeve të tij. Politika mohuese i detyron të jetojnë në një përrallë dhe ndjekësit e tyre i shohin këta udhëheqës fëminorë si burra të fortë. Kushdo që mohon ndotjen globale është një metafizikan i Tokës, i bindur se ajri që thithim është një e drejtë e patjetërsueshme e njeriut. Krizat mjedisore dhe Covid-19 na tregojnë se nuk është kështu.

Afganistani ra sërish në duart e talebanëve. Katastrofa e radhës për Perëndimin?
Ndodh që prej vitit 1798, që prej luftërave napoleonike në Egjipt që Perëndimi kërkon të injektojë, në mënyrë traumatike, vlerat e tij në Lindjen e Mesme. Po nga ajo kohë, bota islamike ka reaguar duke u mbyllur në një Islam gjithmonë e më radikal ose duke imituar vlerat perëndimore. Lufta e talebanëve është vetëm akti i fundit i një reagimi konservator islamik dhe na tregon se sa e dështuar është përpjekja për të injektuar me armë idetë demokratike.

Putin, Salvini apo Marine Le Pen: A janë këta sovranistë nipër të cinikut më të madh të të gjitha kohërave, Inkuizitorit të Madh të Dostojevskit?
Këta sovranistë, ashtu si Inkuizitori i Dostojevskit, e dinë shumë mirë se njeriu është rebel, por që nuk e duron dot lirinë e tij. Medalja e artë e neocinizmit i shkon Putinit për argumentin se Alexei Navalny nuk ishte helmuar. Nëse do ta kishim bërë, thotë ish-agjenti i KGB-së, do të kishim pasur sukses. Cinizëm i pastër në politikë.

*Peter Sloterdijk është ndër filozofët dhe teoricienët më të njohur bashkëkohorë gjermanë. Është profesor në Universitetin e Artit dhe Dizajnit në Karlsruhe. Autor i mbi 30 punimeve filozofike dhe publicistike, është nderuar me 12 çmime në Europë. Intervista për Stefano Vastano u përkthye në shqip nga Erjon Uka.