Nga Edward Luttwak/ Pas vitit 1918 gratë reshtën së veshuri korse dhe burrat gradualisht hoqën dorë nga mbajtja e kapeleve të gjata. Të dyja këto kishin qenë gjithmonë jofunksionale dhe të shtrenjta, por nuk u konsideruan të tilla derisa veshjet e zakonshme nxorrën në dritë absurditetin e këtyre “armaturave” tashmë të braktisura.
Çfarë të përbashkëte kanë korsetë dhe kapelet e gjata me botën pas koronavirusit? Disa gjëra janë lehtësisht të parashikueshme sepse janë në proces zhvillimi: blerjet online do të shtohen edhe më shumë me mbylljen e mjaft dyqaneve por edhe qendrave tregtare. Puna në distancë, për të cilën tani punëdhënësit e kuptuan se mund të jetë efektive duke reduktuar edhe kostot e zyrave, mund të rritet. Me zëvendësimin që inteligjenca artificiale do t’u bëjë shumë punonjësve, kërkesa për ndërtesa zyrash do të bjerë edhe më shpejt se kërkesa për qendra tregtare.
Gjithashtu faturat mjekësore amerikane do të merren në shqyrtim: me kufizimin drastik të vizitave fizike mjekësore, rezulton se shumë teste dhe ekzaminime ishin të panevojshme, përveçse për të rritur faturën. Dhe Covid-19 shënon fundin e udhëtimeve ndërkombëtare me pretekstin “pse mos ta bëj” sepse pakkush dëshiron të rrezikojë një karantinë dy-javore, ose sepse perspektiva e hapjes së destinacioneve mund të ndryshojë duke sjellë një mbyllje tjetër.
Por gjithsesi impakti më i madh do të jetë në politikë. Duke kthyer kokën pas, mund ta quajmë koronavirusin pikëllues si “virusin e së vërtetës”. Kudo që është përhapur, virusi ka zbuluar të vërteta të fshehura në lidhje me regjimet politike, tërësinë e shoqërisë dhe institucionet ndërkombëtare.
Gjithmonë e kemi ditur se regjimi partiak në Kinë, nën rregullat autokratike të Xi Jinping, do ta frenonte të vërtetën. Ajo që nuk mund të imagjinonim ishte se pavarësisht eksperiencës së këtij vendi me Sarsin në vitin 2003, liderët e partisë në Wuhan do të fshihnin ardhjen e një koronavirusi të ngjashëm dhe do t’i mbyllnin gojën doktorëve, duke përfshirë edhe të vonuarin Li Wenliang që u përpoq të na paralajmëronte. Ai tani është heroi i të gjithë kinezëve të indinjuar, por partia dëshiron që ata dhe mbarë bota të admirojnë Presidentin Xi, pavarësisht gabimit të tij në mbylljen e vonë të Wuhanit.
Pas Kinës, virusi i së vërtetës ekspozoi servilizmin e Tedros Adhanom Ghebreyesus, kreun e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ai vlerësoi pa kursime “transparencën” e Kinës, teksa përjashtoi Tajvanin nga debatet për bindjen ndaj kërkesave kineze, përkundër afërsisë dhe prekshmërisë së vendit ndaj shpërthimit. Më 14 Janar OBSH tërhoqi vërejtjen se “autoritetet kineze nuk kanë gjetur prova të qarta të transmetimit nga njeriu te njeriu”, e cila ishte literalisht e vërtetë, sepse iu mbyll goja mjekëve që kërkuan një hetim për këtë çështje.
Kur virusi mbërriti në Iran, ekspozoi fanatizmin e verbër të teokracisë së tij. Udhëheqësit e Iranit refuzuan të ndalojnë haxhin e përditshme nga qindra pelegrinë me autobusë nga fshatrat e largëta në të gjithë vendin, shumë njerëz të mbledhur së bashku ditë e natë. Për virusin, pelegrinazhet janë mekanizmi perfekt i shpërhapjes. Edhe teksa zyrtarët e qeverisë po sëmureshin dhe po vdesin, u desh kohë për të kapërcyer kundërshtimin e atyre që këmbëngulnin se faltoret shëronin të sëmurët, jo sëmurnin të shëndetshëm. Deri atëherë ishte vonë.
Në Itali virusi ishte veçanërisht vdekjeprurës për shkak të një kombinimi të jetës private tejmase të shëndetshme dhe një jete publike jashtëzakonisht jo të shëndetshme. Italianët mburren me jetëgjatësinë më të lartë në botë (rreth pesë vjet më shumë se amerikanët, si për burra ashtu edhe për gra), si rezultat i ushqyerjes në mënyrë inteligjente, mbështetjes së fortë të familjes dhe jetës së jashtme. Me një virus veçanërisht të rrezikshëm për moshat e thyera, niveli i vdekjeve në Itali ishte i lartë, por organizimi kaotik i kujdesit shëndetësor, veçanërisht në shtëpitë e të moshuarve, e bëri akoma më të lartë.
Në një vend ku ministrat, zyrtarët rajonalë, nëpunësit e lartë civilë dhe gjyqtarët të famshëm për letargjinë paguhen shumë më mirë sesa homologët e tyre të huaj, mjekët e Italisë paguhen shumë pak. Ekzistojnë qendra të shkëlqyera mjekësore në veri të Italisë, por në shumë spitale dhe shtëpi të moshuarish, veçanërisht në jug, mjekët dhe infermierët e zellshëm ndihmohen shumë pak nga asistentët, stafi dhe madje teknikët që nuk arrijnë të punojnë, ose madje edhe nuk shfaqen në punë, duke ditur punët janë të sigurta. Veçanërisht në jug, një zonë e cila vuan nga papunësia e lartë, punësimet në sistemit shëndetësor kontrollohen nga politikanët lokalë, të cilët ua rezervojnë të afërmve dhe mbështetësve elektoral. Pasi politikanët dhe bashkëpunëtorët e tyre marrin gjithçka që munden, nuk mbetet shumë për ventilatorët.
Çfarë të vërtetash zbuloi virusi në Amerikë, që deri tani ka numrin më të lartë të të vdekurve në rang global? Vetëm dy të vërteta, të dyja lehtësisht të dukshme. E para është që Shtetet e Bashkuara nuk janë një shtet i bashkuar, por një federatë. Shtetet kanë përgjegjësi për shëndetin publik, kështu që politikat variojnë. E vërteta tjetër është kundërshtarët e presidentit Donald Trump nuk kënaqen duke e sulmuar për gabimet e tij të njëpasnjëshme por e kritikojnë për virtytet e tij të pakta, kryesisht për perspektivën e tij për të parë rreziqet e zinxhirëve të furnizimit që shtrihen në Kinë dhe optimizmin e tij të pakufishëm.
Optimizmi është në të vërtetë një mall shumë i nevojshëm pasi përballemi me një të ardhme në të cilën një vaksinë mbetet shpresa. (Pas dekadash përpjekjesh ende nuk ka vaksina ndaj HIV ose hepatitit C) Ilaçi në dukje i diskredituar i imunitetit të tufës, me gjithë viktimat e tij, ofron ende alternativën e vetme për mbyllje të përhershme ose të ripërsëritur.
Pasgoditjet politike të pandemisë mund të ndihen që tani. Bashkimi Europian është dobësuar dhe ndoshta nuk do të rikuperohet më kurrë si më parë: kur kërcënimi u bë i dukshëm, kufijtë kombëtarë u mbyllën praktikisht brenda natës. Në Itali, ku nuk mbërriti kurrë përkrahja e BE-së, Kina dhe madje Rusia u lavdëruan për dërgimin e ndihmave. Kamionët e ushtrisë ruse me material mjekësore në Piazza del Duomo të Milanos morën duartrokitje (virtuale) të zjarrta.
Suksesi i Kinës është një mirazh. Taivani, Hong Kongu, Singapori dhe Koreja e Jugut e tejkaluan Kinën në zbutjen e virusit pa mbyllur me çekan dyert e apartamenteve për të përforcuar karantinën. Ky është një fakt i kuptuar mirë në të gjithë botën, si dhe brenda klasës së arsimuar në Kinë, duke gjykuar nga përçmimi në mediat sociale ndaj përpjekjeve të partisë për të kërkuar merita për zbutjen e katastrofës të cilën fillimisht u përpoq ta fshihte.
Asnjë prej Bashkimit Europian, Amerikës apo Britanisë nuk do të matet nga pengesat e tyre për të reaguar ndaj virusit. Ata do të maten nga sa shpejt ekonomitë dhe kulturat e tyre do të rikuperohen nga mbylljet e gjata dhe të shpeshta. Është një provë e vlefshme e cilësisë së përgjithshme të qeverisjes së tyre, si dhe e fleksibilitetit të tyre shoqëror, i cili varion shumë. Ishte e njëjta gjë pas krizës financiare.
Por, në ndryshim nga kriza financiare, këtë herë asnjë vend nuk do të dalë i pandryshuar sepse secili ka ekuivalentët e tij të kapeleve të larta dhe korseve, disa të vogla, disa të mëdha. Politikanët që i mbrojnë ende do të dështojnë. Tani për tani Kina po rimëkëmbet më shpejt, por fluturimi masiv i kapitalit kinez drejt Amerikës tregon një histori tjetër.
*Edward Nicolae Luttwak është ekonomist, politolog dhe publicist amerikan, i njohur për studimet dhe publikimet e tij mbi strategjitë ushtarake të politikës së jashtme dhe si këshilltar strategjik i qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.