Shënime në Blog

Leïla Slimani: Nuk ekziston Islami i unifikuar

Leïla Slimani: Nuk ekziston Islami i unifikuar

“Diktatorët e dinë mirë: duke arsimuar njerëzit, shtojnë rrezikun e rrëzimit të tyre.” Artikujt e Leïla Slimani, të përmbledhura në “Djalli është në detaje”, kanë hyrë tani në gjurmët e pamfletëve të mëdhenj francezë. Në një kohë kur shumë flasin për indiferencën e intelektualëve, shkrimtarja e lindur në Rabat në vitin 1981, fituese e çmimit Goncourt, nuk i druhet marrjes së pozicioneve të sikletshme, të denoncojë abuzimet dhe hipokrizitë, të marrë pjesë në manifestime siç bëri pak muaj më parë pas arrestimit të gazetares marokene Hajar Raissouni, duke ndikuar në lirimin e saj.

“Kur nisa të shkruaja, kuptova se kisha jetuar më shumë kohë në Francë se në Marok. Kisha marrë distancën e mjaftueshme nga vendi im. Për një shkrimtar, ndonjëherë, është fat të jetosh larg”, thotë Leïla Slimani.

“Ekzistojnë më shumë myslimane sesa marka automjetesh”, shkruani ju në libër. Bëhet fjalë për një kompleksitet që nuk duam ta shohim?
Në Perëndim flitet për myslimanë, arabë, për Islamin si një botë e vetme. Edhe unë prezantohem si një shkrimtare magrebe por mes një gruaje marokene, tuniziane dhe algjeriane ekzistojnë të njëjtat dallime si mes një italianeje, francezeje dhe gjermaneje. Dhe pastaj në mesin e myslimanëve ka nuanca dhe ndarje të pafundme, për shembull midis sunitëve dhe shiitëve, dhe pastaj gjithashtu brenda sunitëve, etj.

Ju akuzoni ambiguitetin e Perëndimit, që shfrytëzon ose ushqen ndasitë mes vendeve myslimane.
Le të marrim për shembull Arabinë Saudite që duhet të jetë një kundër-model në termat e respektimit të lirisë së grave, të shtypit apo të të drejtave civile, por me të cilin vazhdohen me ëndje marrëdhëniet tregtare. Ky standard i dyfishtë i Perëndimit shihet si tradhti nga shumë myslimanë që luftojnë për të njëjtat vlera.

Ju tregoni për një shuplakë nga mësuesja juaj kur guxuat të vinit në dyshim Kuranin. Në atë moment filloi etja juaj për liri?
Isha ende fëmijë por kuptova se, edhe pse vija nga një familje jo fetare dhe tolerante, më kërkohej të shtiresha në publik. Që atëherë më dukej padrejtësi, dhunim. Pse duhet unë t’u përshtatem atyre dhe jo e kundërta? Ai episod ushqeu nevojën time për të kuptuar, për të pyetur mbi realitetin dhe në mënyrë përfundimtare për të shkruar.

Nuk keni frikë që pozicionoheni haptazi?
Në vitin 2015, në muajt e atentateve në Francë, ndihesha e sulmuar për atë që jam: franceze, marokene, myslimane, laike. Njeriu mund të vdesë edhe nga kompromiset apo cinizmi i tepruar. E theksoj edhe sot: duhet të rezistojmë, të mbrojmë vizionin tonë për botën dhe të mos pranojmë atë që duan të na imponojnë integralistët.

Në kohën e atentateve, një gazetë ju kishte propozuar që të hynit në mendjen e një terroristi. Ju pranoni se nuk ia arritët.
Bëhet fjalë për diferencën mes letërsisë dhe një teksti të shkruar me shpejtësi. Letërsia kërkon kohë, vetmi dhe distancim. Ideja për t’u bërë njësh me një terrorist direkt pas atentatit mu duk e parealizueshme.

Por gjithsesi ju ndërmerrni rrezikun për të komentuar aktualitetin e nxehtë.
Sigurisht, e bëj për pasionin tim civil, edhe pse si Albert Camus jam e mbushur me dyshime, i njoh limitet e mia dhe një lloj kotësie të rolit të intelektualit, që në fund të fundit, nuk mund të bëjë shumë.

Çfarë mendoni për rebelimin kundër racizmit dhe dhunës policore që fillon nga Shtetet e Bashkuara dhe arrin në Europë?
Godet fakti që është një lëvizje globale në të cilën nuk marrin pjesë vetëm njerëzit me ngjyrë, por edhe të bardhët dhe njerëz të ndryshëm si nga mosha edhe klasa sociale. Shpresoj të nxisë ndërgjegjësimin mbi racizmin dhe në përgjithësi të refuzimit të tjetrit.

Në Francë ka një tendencë për të mos i parë këto probleme?
Racizmi francez është kompleks dhe është e pamundur ta përkufizosh me një karikaturë. Ai shoqërohet me përçmimin social dhe qëndron gjithashtu pesha e historisë koloniale me idenë e disave se është një plagë që nuk duhet hapur. Mendoj të kundërtën, do të ishte e shëndetshme për Francën që të flasë se çfarë pozicioni kanë në shoqëri njerëz që quhen Muhamed, Leïla, Boubakar dhe të gjithë atyre francezëve që vijnë nga një histori skllavërie dhe kolonizimi.

Disa lexues ju kanë sulmuar në rrjete sociale sepse në ditarin tuaj të karantinës të publikuar në “Le Monde” tregonit se ishit karantinuar në një shtëpi në Normandi, shumë më e rehatshme se ata që mbetën të mbyllur në apartamentet e vogla të qytetit. A ka një lloj urrejtje klasore që po rritet së bashku me pabarazitë?
Babarazitë më revoltojnë, edhe pse nuk e justifikoj urrejtjen, e kuptoj se ka një lloj vuajtje. Thënë kjo, pabarazitë nuk lindin nga një shkrimtare. Periudhat më të errëta të historisë kanë nisur me kërkimin e armiqve të rremë. Dhe letërsia na mëson se jemi në gjendje të vihemi në vendin e tjetrit: mund të jesh grua dhe të kuptosh meshkujt, të jesh borgjez dhe të luftosh për drejtësinë sociale, ose e kundërta, të vish nga shtresa të varfëra dhe të jesh indiferent ndaj mjerimit.

*Leïla Slimani është shkrimtare dhe gazetare franko-marokene. Gjithashtu ka nisur edhe një karrierë diplomatike, si përfaqësuesja zyrtare e Presidentit Emmanuel Macron në “Organisation Internationale de la Francophonie”. Në vitin 2016 fitoi çmimin letrar “Prix Gouncourt”. Kjo intervistë u përkthye në shqip nga Erjon Uka.