Shënime në Blog

Letër mamasë

Regjisori italian ia dedikon mamasë së tij filmin “Ishte dora e Zotit”. Për të thënë atë që nuk mundi ta thoshte kur ajo ishte gjallë. “E për këdo që ende mundet, kam vetëm një këshillë: thuajeni”, shkruan Paolo Sorrentino.

Letër mamasë

Nga Paolo Sorrentino/ Kush e di nëse në botën e përtejme lejohet të shkosh në kinema. Mamaja do të mund të shihte letrën që i kam shkruar, përmes këtij filmi. Letrën që prehet çdo ditë në shpirtin e fëmijëve tashmë të rritur. Aty ku shkruajmë, me mendimin dhe me fjalët që nuk kemi thënë, atë mrekulli që ekzistonte a s’ekzistonte, por që gjithsesi do të qëndrojë përherë në jetët tona: ideja e të mrekullueshmes.

Kemi pasur mama të mrekullueshme dhe si fëmijë nuk e dinim. Kultivonin sjellje të lëkundura, të uritura nga ndjenja e fajit. Për shembull, mamaja ime në çastet e ndonjë sherrnaje, e kishte për zakon të thoshte: “Ah sa shumë do të vuani kur të mos jem më!”. Nuk donim ta besonim, sepse e refuzonim konceptin e vdekjes. Por, natyrisht, që kështu ndodhi. Si mund të ishte ndryshe. Ishte një ballafaqim i shkurtër me dashakeqësinë e kotë dhe të sinqertë. Nga ana tjetër, ligësia ka prirjen të jetë gjithmonë e lirë. Por ishte tjetër botë.

Mamaja ime ishte e nxituar, por shumë e dashur. Ironia ishte lehtësimi i çdo problemi. Në shenjat e para të adoleshencës, kur njeriu fillon të prekë thellësitë, për shkak të atij gravitetit shqetësues, mamaja ime përdorte një teknikë irrituese: minimizonte. Kur u rrita, e kuptova. M’u duk e vetmja rrugë. Të minimizosh. Nuk është fort e dobishme, por është goxha e vështirë të gjesh mënyra të tjera. Sot edukimi i fëmijëve është mision i mirëfilltë. Për brezin e mamasë sime, ishte një tjetër barrë ia impononte jeta. Megjithatë, ishte plot dashuri. Por e kuptova më vonë. Dhe kur unë i kisha fjalët për t’i thënë, ajo s’ishte më.

Është kjo arsyeja pse më pëlqen të mendoj, me naivitetin e një fëmije, se në botën e përtejme mund të shihet një film. Për të thënë atë që nuk munda ta them. E për këdo që ende mundet, kam vetëm një këshillë: thuajeni. Edhe me çmimin e të dukurit qesharak, sentimental apo për t’u shkrehur në lot. Për t’u rritur është e nevojshme të kalohet përmes portave të qesharakes dhe të lotëve. Lotët e të rriturve. E vetmja mënyrë që një mama mund të njohë përballë vetes fëmijën e mrekullueshëm që të gjithë kemi qenë.

*Ky shkrim u përshtat në shqip nga Erjon Uka. Ndalohet ribotimi i shkrimeve të Rubrikës Shënime në Blog pa lejen e editorit. Na kontaktoni në [email protected]