Shënime në Blog

Margaret Atwood: Mjaft me dogma, duhen fakte, fakte, fakte…

Margaret Atwood: Mjaft me dogma, duhen fakte, fakte, fakte…

Ju gjithmonë keni preferuar që distopitë e librave tuaj t’i përkufizoni si një “trill spekulativ”. Sot, për shkak të koronavirusit, a po përjetojmë një “realitet spekulativ”?

E kuptoj këtë artificë. Por “spekulativ” është kur imagjinojmë rreziqet e së ardhmes, ndërsa ky është një realitet i vërtetë. Derisa të gjithë ta kuptojmë, do të jetë e vështirë për t’ia hedhur paq.

A ka infektuar koronavirusi edhe ndjenjat? Nuk mund të puthemi, nuk mund të përqafohemi…

Me siguri. Kemi ngadalësuar jetët tona, por kjo gjë nuk është detyrimisht e keqe. Kemi më shumë kohë për të menduar, e për pasojë dhe për të jetuar dhe për të peshuar më mirë emocionet, ndjenjat tona. Aspekti tjetër i rëndësishëm është pajtimi me natyrën dhe ambientin.

Një shtyllë e formimit tuaj intelektual.

Po, por ambienti nuk është një monolit në vetvete. Ndryshimi klimatik shkakton shkatërrime dhe për pasojë edhe më shumë varfëri, pabarazi, tensione, revolta. Ndoshta një ditë mund të shkaktojë edhe një luftë.

Tre javë më parë, “Guardian” shkruante se për shkak të pandemisë, gratë rrezikojnë të kthehen në vitet ’50 – ’60 dhe të djegin gjithë të drejtat e fituara në dekadat e fundit: në shtëpi, duke gatuar, duke u kujdesur për fëmijët…

Në fakt së bashku me letrën higjienike, mielli ishte artikulli i dytë që u zhduk nga raftet e supermarketeve në fillim të karantinës: iu rikthyem bukës së bërë në shtëpi. Sidoqoftë unë nuk e besoj diçka të tillë. Gjeneratat e reja të grave, për fat të mirë, janë rritur në një kontekst tjetër të pakthyeshëm. Nëse sot ikin dritat, nuk do të thotë se duhet të kthehemi te vajguri.

Pra nuk do të rikthehen “shërbëtoret” e nënshtruara nga regjimet e reja maskiliste?

Oh, jo! Dhe madje as shtëpiaket e vitit 1955. Kjo edhe për shkak të internetit, që na ka bërë një shoqëri më kreative. Nuk do të kthehemi pas. Katastrofë është mundësia për të manipuluar zgjedhjet.

Po flisni për Shtetet e Bashkuara?

Po, dhe për atë fëmijën qarraman, dezertuesin “maço” të ushtrisë, Donald Trump. A e keni parë se po kërkon të bllokojë votat me postë?

Si e imagjinoni duelin Trump-Kamala Harris, gruaja e parë me ngjyrë kandidate për postin e zëvendëspresidentes?

Do të jetë shumë interesante.

Disa ditë më parë, një studim nga “Centre for Economic Policy Research” shpjegonte sesi nga Merkeli te neozelandezja Ardern, lideret gra në rang global u treguan më efikase krahasuar me burrat. A është një rastësi?

Sigurisht që jo. Sepse gratë nuk janë “maçiste” si Trump apo miku i tij Brazilian Bolsonaro, të presupozuar si “burra të fortë”. Gratë tregohen më të kujdesshme ndaj jetës së njerëzve krahasuar me ata të cilët pretenduan ta përballonin pandeminë duke bërë rolin e “të fortit”, pa marrë masat e karantinimit. Ose edhe më keq, duke folur për imunitetin e masës. Vështirë të ndodhë që një grua të sakrifikojë kaq shumë jetë për një objektiv të tillë.

Por ju ndërkohë jeni përpjekur gjithmonë të tregoheni e kujdesshme me përkufizimin si feminist.

Sepse nuk e kuptoj asnjëherë se çfarë nënkuptojnë me feminizëm. E shpjegova kohë më parë në një artikull në “Globe amd Mail” me titullin “A jam një feminist e keqe?” A do të thotë feminizëm të pranosh se gratë kanë një tru dhe mund të vendosin në mënyrë të pavarur? Mirë. Po kur feminizmi kthehet në dogmë që përjashton opinionet e atyre që e mendojnë ndryshë, unë nuk jam dakord.

E shkruat atë artikull sepse u kritikuat nga shumë gra, pas hetimit ndaj Steven Galloway, profesor në “University of British Columbia”, i cili akuzohej për ngacmime seksuale.

Nëse një grua akuzon një burrë, a mund të quhet ai direkt fajtor? Jo. Përndryshe është racizëm strukturor. E mbani mend disa kohë më parë atë gruan në “Central Park” në New York që nisi të bërtiste duke thënë se një burrë me ngjyrë e kishte kërcënuar? Nëse nuk do të ishin kamerat, nuk do të kuptonim se ishte e gjitha një histori e sajuar. Prandaj them gjithmonë: duhen fakte, fakte, fakte.

Dhe tani vijmë te letra të cilën e keni firmosur së bashku me shkrimtarë të tjerë si Salman Rushdie apo Martin Amis, ndaj së ashtuquajturës “cancel culture” dhe në favor të lirisë së shprehjes, që “kërcënohet nga një klimë intolerance”.

Premisë: si në librin tim “Kënga e Penelopës”, ose në të vërtetë Odisea treguar nga këndvështrimi fëmëror, gratë, por edhe minorancat e çdo lloji, afrikanët, indigjenët e Kanadasë, janë diskriminuar në histori dhe tani po përpiqen ta ritregojnë historinë nga perspektiva e tyre. Shumë e drejtë. Por nuk duhet rënë në një nivel ku çdo mendim që del nga “linja” duhet censuruar, të bojkotohet, të zhvlerësohet. Përpara se të sulmojmë dikë online, duhen parë faktet. Lexoni “Dare to speak: Defending Free Speech for All” të Suzanne Nossel. Është vepra që sintetizon më së miri se si ta luftojmë racizmin, edhe atë gjuhësor, pa rënë në një censurë staliniste.

Ajo letër është firmosur edhe nga J.K. Rowling, e cila u përfshi në polemika pasi tha se për të një trans nuk është një grua e vërtetë, për sa kohë nuk është “grua biologjike”.

Për këtë duhet të pyesni atë.

Por ju Atwood keni shkruar për gratë dhe për gjininë gjatë gjithë jetës. Çfarë ideje keni krijuar?

Le ta themi kështu: është e vërtetë dhe e drejtë ajo që është thënë? Që mund të klasifikohemi vetëm në “burrë” dhe “grua”? Sipas meje jo, sepse ky është një këndvështrim binar i shumë feve apo ideologjive dogmatike. Sot e dimë se nuk ekzistojnë vetëm dy “kuti” të thjeshta, apo kategori si burrë dhe grua. Edhe në antikitet ekzistonin hermafroditët apo hyjnitë mashkull-femër. Biologjia nuk është vetëm “burrë-grua”. Pra a është e drejtë të thuhet se ekzistojnë vetëm dy “kuti” gjinish? Jo. Dhe a është e drejtë të sillemi sikur nuk ekzistojnë të tjerat? As kjo jo.

*Margaret Atwood është shkrimtare, kritike letrare dhe dhe aktiviste kanadeze, autore e më shumë se 60 librave mes romaneve, eseve, poezive dhe librave për fëmijë. Është nderuar me shumë çmime letrare, ndër të cilat “Booker Prize”, “Princi i Asturias” dhe “Franz Kafka Prize”. Disa prej romaneve të saj janë ekranizuar në filma dhe seriale. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.