Shënime në Blog

Mërzitje prej zgjedhjeve të paracaktuara

Publiku dhe partia nuk funksionojnë njësoj. Publiku funksionon me emocione, partia funksionon me direktiva. Prandaj ndryshimi brenda partive, kur demokracia shihet si siklet e jo si vizion, është më i vështirë se rotacioni politik.

Mërzitje prej zgjedhjeve të paracaktuara

Erjon Uka/ Me të përfunduar një palë zgjedhje dhe fokusimit të natyrshëm tek fituesi, vëmendja është njëkohësisht po aq e drejtuar edhe te humbësi. Pas zgjedhjeve të 25 prillit, kureshtja më e madhe nuk ishte edhe aq shumë te një parti pas fitores së tretë në zgjedhjet e përgjithshme, por si do të sillet një forcë politike pas humbjes së gjashtë radhazi.

Zgjedhjet në PD nuk bënë gjë tjetër veçse përforcuan, apo ndriçuan për ata që nuk e kishin ende të ditur, se partitë janë thellësisht cinike për nga natyra. Asnjë prej partive deri më tani nuk ka arritur që të realizojë tërësisht brenda shtëpisë së vet atë që kërkon thuajse në mënyrë të përsëritur deri në bezdisje prej sistemit: zgjedhje demokratike, pjesëmarrje të barabartë, garë në rrafshin e ideve.

Të gjitha zgjedhjet në parti kanë treguar standard më të ulëta se sa zgjedhjet e përgjithshme, prandaj më shumë se një mekanizëm real për përcaktimin e drejtuesit, zgjedhjet e brendshme deri tani janë reduktuar vetëm në një gjetje stilistike, por tejskajshmërisht demagogjike.

Që politika nuk i intereson të gjithëve është e vërtetë, ashtu sikundër zgjedhjet në një parti politike interesojnë edhe më pak. Por kur bëhet fjalë për funksionimin e njërës prej dy partive më të mëdha, që vendosin rregullat e lojës, interesi është domosdoshmëri.

Në votimet e fundit brenda familjes, PD edhe një herë dështoi të tregonte fytyrën ndryshe që pretendon se ka jo vetëm karshi PS-së si konkurrente direkte, por ndaj gjithë skenës politike shqiptare. Ishte një kontribut tjetër i çmuar në zhvlerësimin e rëndësisë së zgjedhjeve.

Ndër mesazhet e marra ishte se partitë nuk janë struktura që funksionojnë në bazë perceptimesh apo fryme, por kanë natyrë strukturore dhe hierarkike. Nëse shumësi i kandidaturave për kryetar, dhe në veçanti ajo e Agron Shehajt, nxiti një lloj entuziazmi në publik dhe u mendua se me votë mund të kërcënonte pozitat e kreut aktual të partisë, kjo gjë nuk ndodhi. Sfidanti për kryetar partie mori më pak vota se ç’arriti të mblidhte në zgjedhjet e 25 qershorit vetëm në Tiranë. Pra publiku dhe partia nuk funksionojnë njësoj. Publiku funksionon me emocione, partia funksionon vetëm me direktiva.

E nëse kryetari mbetet në garë, sfidanti nuk e mposht dot. Kur kjo nuk arriti të ndodhë në Partinë Socialiste e fraksioneve të forta të Fatos Nanos, vështirë të ndodhë në këtë kontekst polarizimi të fuqisë së kryetarëve të partive. Asnjë votim brenda partisë nuk ka mundur të ndryshojë ujërat e pushtetit, as në vitin 2009 në PS, dhe as në vitet 2017 e 2021 në PD pas humbjeve radhazi, për të mos folur për partitë e vogla të cilat identifikohen vetëm me një emër dhe kanë arritur në stadin tjetër ku lirisht mund të blihen si aksione nga një pronar në tjetrin.

Gjithashtu mungesa e koherencës mbetet ende aliazhi më i fortë i partive që nuk u zhbë as këtë herë, duke përfituar sa nga mungesa e kujtesës publike aq edhe nga pragmatizmi i shthurur i një baseni votuesish. Nëse Partia Socialiste në pushtet bie shpesh herë në kontradiktë me vetveten dje në opozitë, Partia Demokratike ia del më së miri që të kundërshtojë vetveten në të njëjtin kontekst: në opozitë. Ndryshimet e datës së zgjedhjeve nuk duhet t’i pranojë në tryezën poli-partiake, por mund ta bëjë me lehtësi brenda shtëpisë; kërkon saktësi farmaceutike për listat në zgjedhjet e përgjithshme, por nuk arrin t’i garantojë në zgjedhjet e brendshme; lobon për delegjitimimin e zgjedhjeve ku kundërshtari fiton me 80%, por quan sukses mbështetjen e fitores së kryetarit me 80%; humb me përqindje dhe ngushëllohet me rritjen e votave, por gëzohet nga përqindjet e brendshme pa u shqetësuar se kryetari rikonfirmohet me numrin më të ulët të votëbesimeve.

Duke menduar të gjitha këto, paragjykimi për rezultatin e paracaktuar nuk duhet të bëjë më pjesë në mëkatet e analizave politike. Mund të mësosh më shumë mbi një njeri gjatë një ore lojë sesa gjatë një viti bashkëbisedim, thoshte Platoni. E vërtetë, siç mund të zbulosh më shumë për një organizatë politike nga një palë zgjedhje të brendshme, sesa në katër vite komunikim dhe moral publik. Historia e zhgënjimeve politike nga forcat qeverisëse vështirë se do të ketë një fund. Por rastet e zhgënjimit dekurajues nga opozita janë edhe më rrënuese. Të pashpresa për rimëkëmbje.

tiranapost.al