Shënime në Blog

Mësime finlandeze për mendimin kritik që lufton komplotet

Njerëzit u besojnë teorive të komplotit kur jetojnë nën gjendjen e stresit. Në këto situata, njerëzit kanë tendencën të japin gjykime më pak të sakta mbi vërtetësinë e informacioneve që marrin. Por besimi te teoritë e konspiracionit gjithashtu i bën njerëzit të ndjehen pjesë e diçkaje më të madhe se vetja dhe u jep atyre një “tribu” përkatësie.
Mësime finlandeze për mendimin kritik që lufton komplotet

Nga Thomas Roulet/ Në këtë kohë të rrjeteve sociale, teoritë e konspiracionit dëgjohen gjithnjë e më shpesh. Pasiguria përreth pandemisë Covid-19, e kombinuar me dëshirën e njerëzve për të kuptuar një realitet të ri, ka krijuar një numër teorish të reja konspirative, teksa gjithashtu ka forcuar ato ekzistuese. Kjo ka nxitur përhapjen e dezinformimit në lidhje me virusin, duke u dhënë gjithnjë e më shumë hapësirë ??grupeve që kundërshtojnë masat e ndërmarra nga qeveritë, të quajtur “no-mask” apo “no-vax”.

Edhe zgjedhjet presidenciale në SHBA u përmbytën me teori konspirative. Më e rëndësishmja ndoshta është ajo e QAnon, ndjekësit e të cilit, të mbështetur nga Donald Trump, përhapën lajme të rreme të panumërta për demokratët.

Në librin tim të fundit “The power of being divisive” shpjegoj se si përfitojnë politikanët nga pozicionimet radikale dhe të egra. Ata mund të kapitalizojnë pretendimet e ngritura nga teoricienët e konspiracionit për të kundërshtuar grupe të caktuara, për të forcuar identitetin e tyre dhe përfundimisht për t’i shndërruar disa grupe njerëzish në votues besnikë.

Njerëzit u besojnë teorive të komplotit kur jetojnë nën gjendjen e stresit. Në këto situata, njerëzit kanë tendencën të japin gjykime më pak të sakta mbi vërtetësinë e informacioneve që marrin. Por besimi te teoritë e konspiracionit gjithashtu i bën njerëzit të ndjehen pjesë e diçkaje më të madhe se vetja dhe u jep atyre një “tribu” përkatësie.

Në librin tim diskutoj për zgjidhje të mundshme për t’u përballur me këto probleme. Në veçanti, bazohem te përvoja e fundit e Finlandës në luftimin e përhapjes së lajmeve të rreme dhe teorive të konspiracionit duke dhënë mësime të mendimit kritik në shkollë.

Shumë qeveri financojnë agjenci specifike për të luftuar lajmet e rreme dhe përpiqen t’u kundërvihen përhapjes së teorive të konspiracionit. Për shembull Shtetet e Bashkuara kanë “Global Engagement Center”, e cila ka për qëllim të shërbejë si barrikadë ndaj përpjekjeve të manipulimit të opinionit publik në rrjetet sociale. Por niveli i informacionit dhe shpejtësia me të cilën mund të përhapen lajmet e rreme e kanë bërë goxha të vështirë misionin e tyre.

Finlanda ka zgjedhur një qasje dukshëm të ndryshme. Që nga viti 2014 qeveria ka krijuar një plan për të mësuar mendimin kritik në shkollat ??e mesme. Ajo ka integruar njohuritë mediatike në kurrikulë dhe ka inkurajuar studentët të praktikojnë mendimin e tyre kritik kur marrin informacione për një temë specifike. Vlerësohet si burimi i informacionit, ashtu edhe përmbajtja.

Studentët gjithashtu mësohen të vlerësojnë në mënyrë kritike statistikat dhe numrat. Zakonisht këto tipe të dhënash mund të jenë konfuze apo të vështira për t’u vënë në diskutim, ndaj ne natyrisht priremi që t’i legjitimojmë. Por eksperienca finlandeze tregon se t’u japësh qytetarëve besimin e nevojshëm për të kundërshtuar teoritë konspirative është më efikase se t’u japësh atyre vetëm një sasi informacionesh të duhura.

Por ka edhe një sfidë tjetër dhe mendimi kritik nuk është i mjaftueshëm. Ndjekësit e teorive të komplotit, qoftë ata që besojnë te QAnon qoftë ata që besojnë se bota është e sheshtë, shpesh kanë dëshirë të bëjnë pjesë në komunitete që ushqejnë këto teori konspiracioni. Ndihen sikur bëjnë pjesë në një grup të përzgjedhur që i bën unikë dhe të veçantë. Besojnë se kanë akses në disa njohuri eksluzive dhe të ruajtur mirë, e kjo i bën të ndihen të veçantë.

Këto ide qëndrojnë në qendër të teorisë së identitetit social në kërkimet psikologjike, pra që perceptimi ynë për veten tonë si individë udhëhiqet nga grupet të cilave u përkasim dhe nga identiteti që ato kanë. Një grup teoricienësh të komplotit është tërheqës sepse shihet si të ketë në dorë një të vërtetë mbizotëruese në krahasim me të tjerët.

Autoritetet finlandeze e kanë kuptuar. Programi i tyre shkollor përqëndrohet gjithashtu në rikujtesën që u bëjnë nxënësve për vlerat e rëndësishme universale që mbështeten nga shoqëria finlandeze. Këto përfshijnë barazinë, shtetin e së drejtës, respektin për diversitetin, hapjen dhe lirinë. Së bashku, këto janë një lëndë e fuqishme për të ushtruar mendimin e tyre kritik: nxënësve u kërkohet t’u japin kuptim informacioneve që marrin, duke pasur parasysh këto vlera.

Në fund, nxënësve u risillen në mend të gjitha anët e bukura të të qenit finlandezë dhe që i përkasin një grupi me identitet pozitiv. Kjo vë në pikëpyetje avantazhet e identitetit që dikush do të kishte, nëse do të besonte në teoritë e konspiracionit. Për më tepër, identiteti i tyre finlandez bëhet më i fortë teksa ata vënë në dyshim dhe identifikojnë lajmet e rreme. Mendimi kritik dhe lufta ndaj dezinformimit i bëjnë ata pjesë të një grupi për të cilin mund të ndihen krenarë.

Rezultatet e deritanishme sugjerojnë se qasja e Finlandës po funksionon. Një studim i vitit 2019 zbuloi se nxënësit finlandezë janë shumë më të mirë në identifikimin e lajmeve të rreme sesa të ngjashmit e tyre në SHBA. Por përfitimet e vërteta do të kërkojnë vite për t'u studiuar, edhe sepse programi finlandez është përshkallëzuar në dy vitet e fundit.

Përhapja e teorive të konspiracionit nuk do të ndalet thjesht duke i dhënë brezit të ri trajnimin e duhur për të bërë vlerësimin e lajmeve. Realiteti i grupeve të konspiracionit është se ata përfaqësojnë pjesë të fragmentarizuara të shoqërisë sonë: vetë ekzistenca e tyre bëhet e mundur nga përjashtimi shoqëror. Pra, ne duhet të mësojmë të menduarin kritik, si dhe të sigurojmë që njerëzit të ndihen pjesë e një komuniteti më të madh.

*Thomas Roulet është lektor britanik, i profilizuar në sjelljet organizacionale. Bashkëpunon rregullisht me revistën “Forbes” dhe me shumë media të tjera si “Le Monde”, “Financial Times”, “BBC” etj. Ky artikull për “The Conversation” u përkthye në shqip nga Erjon Uka.