Shënime në Blog

Morali i kapitalizmit

Morali i kapitalizmit

Nga Juan Luis Cebrián/ Pasojat e Covid-19 do të ndihen goxha përtej çështjeve që lidhen vetëm me shëndetin. Sjellja individuale, marrëdhëniet njerëzore, organizimi i qyteteve, roli i shteteve, sistemi i punës, ndryshimet klimatike, revolucioni teknologjik, marrëdhëniet ndërkombëtare, e ardhmja e demokracisë dhe konfliktet mes brezave do të jenë disa nga shumë fushat ku tensionet do të jenë të larta për shkak të ndryshimit.

Paralizimi i prodhimit po shkakton që tani një krizë oferte në vendet e industrializuara, që po shoqërohet nga një krizë në kërkese për shkak të rritjes së papunësisë: qindra miliona të papunë. Ndihma qeveritare dhe subvencionet për kompanitë në prag të falimentimit dhe klasave më të pafavorizuara sociale përfundimisht do ta shtyjnë borxhin global në nivelet deri më tani të panjohura, pra deri në 300 përqind të prodhimit botëror.

Ulja e vëllimit të tregtisë dhe të turizmit ndërkombëtar do të godasë gjithë zinxhirin e shërbimeve, përfshi edhe eksportet e lëndëve të para. Bota ka hyrë në recension dhe do të kalojnë vite përpara se të rikthehet në të njëjtat nivele të rritjes dhe mirëqenies sociale. Kur sapo kishim përfunduar procesin e rikuperimit nga kriza financiare shkaktuar prej flluskës imobiliare dhe falimentimit të Lehman Brothers, kjo katastrofë e re kërcënon të ardhmen e sistemeve qeverisëse politike dhe rritjen ekonomike.

Pas krizës financiare të vitit 2008, liderët botërore të mbledhur në Londër dhe Pittsburgh në kuadër të G20 dëgjuan përfaqësuesit e ideologjive shumë të ndryshme si Gordon Brown dhe Nicolas Sarkozy duke argumentuar nevojën për të ndërmarrë një reformë rrënjësore të kapitalizmit. U morën vendime për luftën kundër parajsave fiskale, reformën e sistemit të agjencive të vlerësimit ose qëndrueshmërinë e sistemit financiar dhe bankar.

Duke përjashtuar këtë të fundit, ku transformimi nuk është kryer plotësisht, ato deklarata tashmë kanë përfunduar në varrezat e qëllimeve të mira. Rritja e kapitalizmit financiar, e shtyrë nga revolucioni teknologjik në dëm të asaj që disa e quajnë ekonomi reale, ka kontribuar në rritjen e dallimeve sociale, ndërsa politikat për të përmirësuar shpenzimet publike dhe shtrëngimet kanë gërryer fuqinë blerëse të klasave të mesme. Por klasa e mesme është shtrati solid në të cilën prehen demokracitë.

Të favorizuar nga protesta shoqërore prej kësaj situate, përpara se të përhapej virusi, patogjenë të ndryshëm politikë si nacionalizmi dhe populizmi tashmë kishin bërë vend në shoqëri, të cilat nxitën polarizimin dhe ekzaltuan konfliktin si një metodë për të fituar pushtet. Lëvizjet si okupimi Wall Street kontribuan, në mënyrë paradoksale, në fitoren elektorale të Trump, një përfaqësues tipik i kapitalizmit spekulativ, i cili arriti deri në Shtëpinë e Bardhë me mbështetjen e amerikanit mesatar, të pakënaqur për faktin se fuqia e tij blerëse minimalisht as nuk ishte përmirësuar në dyzet vitet e fundit dhe ku një numër i vogël njerëzish rrëmbyen një pjesë të madhe të pasurisë kombëtare.

Shumë vëzhgues besojnë se përkeqësimi progresiv i sistemit, kryesisht pas rënies së Murit të Berlinit i cili kishte krijuar shpresa të mëdha, është për shkak të braktisjes së politikave socialdemokratike që partitë kryesore, në shumicën e demokracive, kanë praktikuar për dekada, me fazat e alternimit midis qendrës së djathtë dhe qendrës së majtë.

Në Evropën e pasluftës, marrëveshja dhe bashkëpunimi midis partive socialiste dhe partive kristiandemokrate, së bashku me mbështetjen financiare të Shteteve të Bashkuara, favorizuan ndërtimin e shtetit social, një element që gjeneroi stabilitet politik për të cilin gëzuam dekada. Ky model, të cilin Obama kërkonte pjesërisht të imitonte me planet e tij për sistemin kombëtar të shëndetësisë, përfundimisht u minua nga politikat ultra-liberale të inaguruara nga Margaret Thatcher dhe Ronald Reagan dhe gjithashtu nga humbja e identitetit të demokracisë sociale, postulatet themelore të së cilës u përthithën nga partitë e moderuara të krahut të djathtë.

Revolucioni dixhital dhe globalizimi më pas hodhën themelet e një realiteti të ri. Në vendet më të përparuara demokratike, krahasuar me pretendimin e John Kenneth Galbraith se ekonomia është një degë e politikës, procesi është përmbysur, duke e shndërruar politikën në një degë të ekonomisë. Me qeveritë e paafta për të rregulluar tregjet dhe në mungesë të një autoriteti global për ta bërë këtë, tregjet kanë marrë kontrollin dhe organizimin e proceseve politike. Mosekzistenca e një autoriteti botëror që rregullon ekonominë është shkaku se pse shumë qytetarë sot kanë përshtypjen se diktaturat, si për shembull Kina, janë më efikase se demokracitë tona për të përballuar krizat. Për më tepër, është demonstrimi i prekshëm që edhe nëse demokracia nuk mund të ekzistojë pa një treg të lirë, ky i dyti, i vetëm, nuk supozon triumfin e të parës.

E ardhmja e kapitalizmit kalon përmes rimëkëmbjes së vlerave të tij fillestare, të rrënjosura jo vetëm në impulsin individual të fitimit dhe përmirësimit personal, por në nevojën për një rregullim, të cilin e kornizoi i pari vetë Adam Smith. Në kohërat e globalizmit, është e nevojshme të rikthehet një moral i kapitalizmit. Për ta thënë atë me fjalët e Paul Collier, autorit të një eseje të paharrueshme në lidhje me këtë temë, nuk është çështje që ta kontrollojmë, por ta administrojmë. Nëse nuk e bëjmë, vetë demokracia do të jetë në rrezik.

*Juan Luis Cebrián, i diplomuar në filozofi, është gazetar dhe sipërmarrës spanjoll, bashkëthemelues i gazetës më të madhe në Spanjë “El Pais” dhe administrator i grupit mediatik “Prisa”. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.