Shënime në Blog

Mos mendo si grupi!

Përse ndonjëherë njerëzit inteligjentë dhe të informuar, të mbledhur në grupe të përbashkëta, arrijnë në përfundime që në dukje janë të pashpjegueshme? Ka tre arsye kryesore.

Mos mendo si grupi!

Nga Colin Fisher/ Dominic Cummings, ish këshilltar i Kryeministrit Britanik Boris Johnson, bëri lajm duke thënë se reagimi i qeverisë ndaj pandemisë së Covid-19 ishte “një shembull klasik i të menduarit në grup”. Sipas Cummings, sa më shumë rriteshin kritikat ndaj planit kundër pandemisë, aq më shumë autoritetet i etiketonin ato kritika si okulte. Ai shtoi se nëse plani do t'i nënshtrohej verifikimeve në kohë, “ne do ta kishim kuptuar shumë javë më parë se kishte edhe alternativa më të mira”.

Nuk mund ta dimë me siguri nëse kritika e tij është e bazuar, por është rasti për të reflektuar mbi rëndësinë e dinamikave vendimmarrëse kolektive. Çfarë është mendimi i grupit dhe cilat janë këshillat e shkencës për ta shmangur atë?

Mendimi i grupit është fenomeni sipas së cilit një grup me persona kompetentë mund të marrë vendime të gabuara. Grupi ushtron një presion psikologjik mbi individët deri sa të përshtaten me opinionet e liderëve dhe të anëtarëve të tjerë me influencë. Mes shembujve më të njohur të mendimit në grup, është vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pushtuar Kubën në vitin 1961 dhe ai i Coca-Cola për të hedhur në treg “New Coke” në vitin 1985. Në këto, por edhe në raste të tjera, grupi ka marrë vendime të gabuara edhe pse ka pasur në dispozicion të gjitha informacionet e nevojshme. Kush kishte mendime të ndryshme që mund të kishin shmangur gabime të sikletshme apo tragjike, e ka injoruar mundimin për t’i ndarë ato me të tjerët.

Përse ndonjëherë njerëzit inteligjentë dhe të informuar, të mbledhur në grupe të përbashkëta, arrijnë në përfundime që janë të pashpjegueshme? Ka tre arsye kryesore. E para është se të gjithë duam të ndiejmë një ndjenjë përkatësie: truri ynë është i predispozuar të kërkojë një tribu ose grup të cilit i përket. Në situata kolektive, me vetëdije ose jo, ne duam të ndihemi të pranuar dhe të kemi miratimin e të tjerëve. Sidoqoftë, ky qëndrim mund të çojë në diskutime të shtrembëruara, të cilat konvergojnë në pranime dhe konsensus, duke përjashtuar dallimet dhe përçarjet.

Arsyeja e dytë është se “për të qenë dakord, duhet të përshtatemi”. Edhe nëse mosmarrëveshja mbi strategjinë më të mirë është e shëndetshme (dhe në të vërtetë është pikërisht ajo që justifikon idenë e marrjes së vendimeve nga një grup), shpesh dallimet shkaktojnë përplasje personale. Ky rrezik prek ata të cilët nuk janë dakord ta mbajnë gojën mbyllur, veçanërisht kur ata të cilët shprehin mendimet janë udhëheqësit ose zërat më autoritativë.

Arsyeja e tretë është se ne vazhdimisht i modifikojmë preferencat tona për t'i bërë ato të përputhshme me opinionin mbizotërues. Me fjalë të tjera, kur nuk kemi ide të qarta mbi një temë të caktuar, shpesh pa e kuptuar ne priremi ta përvetësojmë këtë mendim, i cili bëhet lente përmes së cilës interpretojmë informacionin e marrë. Një pjesëtar i grupit që zbulon preferencat e tij krijon një cikël të padukshëm që vetëushqehet dhe krijon konsensus.

Për të zbutur efektin e mendimit në grup, duhet të përqendroheni në alternativa të ndryshme dhe në informacionin që kemi në dispozicion, duke iu përmbajtur shprehjes së preferencës personale për aq kohë sa të jetë e mundur. Pasi të ketë përcaktuar objektivat, grupi duhet të marrë parasysh opsione të ndryshme dhe pjesëmarrësit duhet të japin të gjithë informacionin e dobishëm, madje edhe ata që sfidojnë mendimin në dukje mbizotërues. Diskutimi mbi vendimin që do të miratohet duhet të vijë më vonë, në fund të një analize të hollësishme të situatës.

Udhëheqësit mund të ndihmojnë në shmangien e mendimit të grupit. Disa studime tregojnë se ata që e koordinojnë vendimmarrjen pa zbuluar publikisht preferencat e tyre ose pa mbështetur një tezë të veçantë, mund të shmangin mendimin e grupit dhe të marrin vendime më të mira. Ata që nga ana tjetër deklarohen në favor të një zgjedhjeje të caktuar, veçanërisht në fillim, priren të ndikojnë te të gjithë dhe të konsolidojnë të menduarit në grup.

Prandaj do të ishte e këshillueshme që çdo qeveri të merrte masa për të ftuar të gjithë organet vendimmarrëse të ndiqnin këto këshilla. Madje as grupet e përbëra nga njerëzit më të ndriçuar nuk përjashtohen nga mekanizmat psikologjikë që qëndrojnë në themel të të menduarit në grup.

*Colin Fisher është profesor me fokus organizatat dhe inovacionin. Artikulli i shkruar për “The Conversation” u përkthye në shqip nga Erjon Uka.