Shënime në Blog

Nacionalizmi bën zhurmë, por politikisht nuk vlen

Nacionalizmi bën zhurmë, por politikisht nuk vlen

Kush më mirë se François Jullien, filozof dhe sinolog francez, i cili është përkthyer gjerësisht në shumë vende, mund të flasë për sisteme të ndryshme politike në konflikt. Njohuritë e tij për Kinën na vijnë në ndihmë për të zbuluar atë që tani është bërë dualizmi i madh bashkëkohor.

Profesor Jullien, përballja mes demokracive dhe regjimeve autoritare apo diktaturave është i destinuar të bëhet më mizor, apo ka ndonjë shans për dialog?
Si fillim dua të bëj dallimin mes regjimeve me vullnet demokratik (pasi asnjë vend nuk është totalisht demokratik) dhe me vullnet totalitar. E qartë që pandemia i ka theksuar të dyja këto linja. I kemi akuzuar demokracitë për dobësi. Dhe diktaturat e kanë luajtur mirë ngritjen e stekës: e shihni? “Ne Kina kishim të drejtë, ne Rusia kishim po ashtu të drejtë, sepse me sistemin tonë mundëm të impononim rregulla dhe sjellje të caktuara.” Nëse do ta pranonim këtë arsyetim do të duhej të pajtoheshim me regjimet totalitare sepse është njësoj si të thuash se do të jenë ato që do të fitojnë.

Nuk do të jetë kështu?
Projeksioni i fuqisë së diktaturave më shumë se sa efektiv, është spektakolar. Edhe ato janë të shqetësuara nga përplasjet dhe ndasitë. Janë të forta në aparatin e tyre, por shumë të dobëta, madje të brishta për shkak të grindjeve të brendshme. Le të marrim Kinën. Tregon fuqinë ekonomike dhe ushtarake, por fsheh një luftë të brendshme shumë të nxehtë për pushtet. Pra, ne duhet të pyesim veten se çfarë mund t'i japë forcë demokracive dhe të mos na bëjë shumë përshtypje superioriteti i supozuar i totalitarizmave.

Pse supozohet epërsia?
Frika e popullit, e qytetarëve është dobësia e saj. Madje edhe frika për të humbur jetën. Dhe frika nuk është një faktor që promovohet nga historia. Regjimet autoritare, për të krijuar një ndjenjë që nuk mund të jetë kurrsesi demokratike, krijojnë ndjenja nacionaliste. Kina e promovon veten si një hegjemoni, Kina e Madhe. Dhe për ta zgjeruar idenë përdor luftën. E zakonshme. Për të siguruar kohezionin e brendshëm, kërcënohen ata që janë jashtë. Vetëm shihni politikën e neveritshme që promovon Pekini kundër Tajvanit. Madje Pekini ndalon edhe shqiptimin e emrit. Linjat ajrore po ashtu detyrohen të censurojnë veten dhe për shembull të lajmërojnë se një aeroplan “vjen nga Kina”. Por Tajvani nuk është Kina

E bëjnë sepse druhen se mos humbasin kuotat e tyre në një treg të madh.
E drejtë. Konkurrenca mes vendeve të ndryshme europiane për t’i pëlqyer zotërve të atij tregu nuk është shumë e ndryshme. Jemi gati për çdo kompromis, kinezët e dinë mjaft mirë e prandaj e bëjnë këtë lojë.

Gjithsesi në perceptimin e përgjithshëm, Kina synon resurset, synon të kapë tregjet por nuk kërkon ndonjë hegjemoni ushtarake.
Kjo bindje duhet marrë me rezerva. Ka forma të ndryshme imperializmi. Shtrohet pyetja, nëse kemi fuqinë, çfarë bëjmë? Romakët e në përgjithësi europianët, pastaj dhe amerikanët i janë përgjigjur kësaj pyetjeje thuajse gjithmonë me të njëjtën formulë: kryhet shfarosje, pastaj fillon “civilizimi”. Kina është tjetër gjë. Imperializmi i saj i fshehtë nuk kërkon të eliminojë tjetrin, por të krijojë një rrjet influence, deri sa ta bëjë tjetrin pasiv. Kur bëhen sulme ushtarake, dihet se bëhet fjalë për një pushtet të brishtë sepse kolonitë krijohen për t’u humbur.

Rruga e re e Mëndafshit është një shembull i mirë i strategjisë së Pekinit. Kemi nevojë të kuptojmë nga këndvështrimi juaj se çfarë është më e rrezikshme, pushtimi i heshtur kinez apo ai ushtarak perëndimor.
Pushtimi i stilit perëndimor mund të luftohet, mund të organizohen forma rezistence. Pushtimi indirekt kinez është tjetërsues, sepse zhduket mundësia e rezistencës. Është aq i paformë sa nuk mund as të denoncohet. Por ka elementë që më japin shpresë...

Cilët?
Popujt nuk janë kafshë dhe as budallenj. Mjaft të shohim se çfarë tregoi pandemia në Afrikë dhe në Europë për pushtetin kinez. Detyra jonë është të denoncojmë pa pushim të gjitha shtrembërimet e sistemit të tyre.

Megjithatë, nacionalizmi ka gëzuar dhe po gëzon një lloj suksesi edhe në Perëndim. Hungaria, Polonia, parti të caktuara si “Lega” në Itali, e djathta e Marine Le Pen në Francë, Brexit... A mund të dalim në përfundimin se ka një krizë të demokracisë në Europë?
Krizë. Sëmndje. Fund. I refuzoj këto fjalë kur kombinohen me demokracinë. Dhe nëse mendoj për Kinën më vjen ndër mend për krahasim fraza e Churchill-it: demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, përveç të gjitha formave të tjera që kemi pasur deri tani. Së pari sepse mund të kritikohet dhe kjo është një gjë që nuk ndodh diku tjetër. Përsa i përket nacionalizmit në Europë, ne kapemi pas ideve apo rrënjëve sipas së cilave ne francezët jemi galët... E gjithë kjo është ideologjike dhe mitologjike e megjithatë janë fjalime demagogjike që kanë njëfarë suksesi, zënë vend shumë mirë. Por në Francë nuk mendoj se nacionalizmi përbën rrezik, politikisht është diçka e vogël, është i zhurmshëm, por është një gjë e vogël.

Na mbetet të përkufizojmë se cilat janë karakteristikat thelbësore të një demokracie.
Demokracia është një vend ku tjetrin mund ta bindësh, por jo ta detyrosh. Të bësh diçka sepse ke bindjen e tillë apo se je i detyruar nga dhuna, është një ndryshim vendimtar. Protagora e teorizoi kështu: nëse mund të bëjmë dy fjalime të kundërta për gjithçka, atëherë kjo është demokracia.

*François Jullien është filozof francez, aktualisht profesor në Universitetin Paris VII dhe drejtor i “Institut de la pensée contemporaine”. Kjo intervistë për Gigi Riva u përkthye në shqip nga Erjon Uka.