Shënime në Blog

Në dhomën ku njeriu bëhet ç’të dojë: burrë, grua, mace, Zot apo djall

Megjithëse për disa mund të duket e kotë të lexojnë romane teksa planeti digjet, unë do të doja të mbroja parimin dhe të tregoja se sa e rëndësishme është kjo për botën e sotme dhe për atë nesërme. Për ta bërë këtë, sigurisht që nuk mund të vazhdoj vetëm. Do të kërkoj ndihmën e shkrimtarëve që admiroj, qoftë sepse është gjë e mirë t’i bësh homazh mësuesve të tu, qoftë për faktin se përpara se të merrja penën e të shkruaja, kam qenë lexuese dhe pikërisht këto lexime më bënë gruan, qytetaren dhe shkrimtaren që jam.
Në dhomën ku njeriu bëhet ç’të dojë:

Nga Muriel Barbery/ Letërsia shkëputet nga bota për të lindur në një dhomë të veçuar. Në atë shpellë alkimistësh, në vetmi dhe në qetësi, krijon një botë po ashtu të veçuar, të populluar nga qenie të shpikura dhe prej veprimesh që kurrë s’kanë ndodhur. Diktohet nga disavantazhi i dukshëm që është jashtë realitetit, por në të vërtetë mbruhet nga përparësi të jashtëzakonshme.

Megjithëse për disa mund të duket e kotë të lexojnë romane teksa planeti digjet, unë do të doja të mbroja parimin dhe të tregoja se sa e rëndësishme është kjo për botën e sotme dhe për atë nesërme. Për ta bërë këtë, sigurisht që nuk mund të vazhdoj vetëm. Do të kërkoj ndihmën e shkrimtarëve që admiroj, qoftë sepse është gjë e mirë t’i bësh homazh mësuesve të tu, qoftë për faktin se përpara se të merrja penën e të shkruaja, kam qenë lexuese dhe pikërisht këto lexime më bënë gruan, qytetaren dhe shkrimtaren që jam.

Gjatë mbylljes së parë në pranverën e vitit 2020, unë dhe bashkëshorti qëndruam në shtëpinë e fshatit në Francë dhe pas çdo dreke, pinim kafe dhe lexonim me zë të lartë ca faqe romanesh. Ai lexonte “Moby Dick” të Melville, unë “Marrëdhëniet e rrezikshme” të Laclos. Të dy tekstet ishin shumë larg temës së pandemisë, megjithatë asgjë nuk ishte më e çmuar se ato minuta leximi të vendosura në kohën e çuditshme dhe të zgjeruar të izolimit, jo sepse na shpërqëndruan nga ankthi, por sepse na ushqyen në atë mënyrë që është tipike për letërsinë artistike.

Sa herë që rilexoj “Marrëdhëniet e rrezikshme” përjetoj një ndjenjë mrekullimi. Është një roman epistolar, unik në stilin e tij, një lloj UFO-je letrar që nuk dihet si u shfaq në qiellin e trillimit, një tekst total ku pikturohen të gjitha emocionet njerëzore.

Po e përmbledh historinë për ata që nuk e mbajnë mend: dy aristokratë libertinë, viskonti Valmont dhe markezja Merteuil punojnë për të kryer një hakmarrje dashurore duke korruptuar, joshur dhe abuzuar me mjetet e një hakmarrjeje të tillë, fillimisht me gra (de Tourvel dhe Cécile Volanges) por edhe me burra (Prévan dhe kavalieri Danceny). Disa e konsiderojnë këtë rrëfim një kryevepër stilistikore, të tjerë një bibël të jetës libertine, disa të tjerë një traktat imoraliteti që sipas tyre shpëtohet nga fundi moralist (viskonti Valmont vdes dhe markezja Merteuil, e vënë përfund nga shoqëria, preket nga lija).

Pra kush është autori i këtij teksti atipik dhe djallëzor? Një ushtarak i rreptë i cili përgjatë gjithë jetës mbeti një burrë dhe baba i mirë, po aq sa edhe i krishterë i mirë. Nuk ka gjë më të largët nga Choderlos de Laclos sesa sjellja libertine, asgjë nuk është më larg nga jeta e tij sesa ngjarjet e personazheve. Prandaj, shkrimtari i dha jetë romanit të tij në një dhomë të veçuar. Ndoshta i ka huazuar temat nga jeta e tij, koha në të cilën jetoi, leximet, vëzhgimet e tij, por e gjithë kjo nuk është e mjaftueshme për të shpjeguar mrekullinë e tekstit.

Laclos mishëron mohimin e bindjes se romancierët mund të shprehin vetëm atë që kanë përjetuar. Falë hyjnive mbrojtëse të dhomës së veçuar, ne mund të jemi çfarë të duam: burrë, grua, një i huaj, një engjëll, një mace, Zoti ose djalli në një shekull, në një mjedis a në një skenografi që nuk janë tonat. Duke vepruar kështu, rreziku që ndërmarrim nuk është ai i përvetësimit.

Përkundrazi, vetë fakti i kapjes së një fati të panjohur përbën shkakun kryesor të ekzistencës së teksteve tona. Në realitet, i vetmi rrezik që ne i kanosemi është ai i pozës dhe zbrazëtisë, romanet tona mund të jenë të pasigurta ose të pasinqerta, dhe për këtë arsye të turpshme. Sinqeriteti, megjithatë, nuk ka asnjë lidhje me çështjen e afërsisë. Ne mund të jemi të pasinqertë duke folur për veten dhe të sinqertë duke shpikur dikë tjetër. Largësia pak a shumë e madhe që shkrimtari ka me alter-egon e tij nuk përcakton saktësinë apo komicitetin e tyre. Në fakt, nëse i shohim “Marrëdhëniet e rrezikshme” në optikën e përgjigjeve të thjeshta, nuk vonojmë të shprehim një gjykim: në këtë historinë e të privilegjuarve të boshatisur që kanë fuqinë të abuzojnë me më të dobëtit, elementët kryesorë janë mashtrimi, tradhtia, abuzimi, manipulimi, mizoria.

Dhe kjo është arsyeja pse romani ngjall ndëshkim ose lartësim dhe varësisht rastit konsiderohet një traktat i shthurjes ose i lirisë, prandaj mbrohet ose dënohet me shpatë të zhveshur nga milli. Por ky është një thjeshtim që nuk nderon gjenialitetin e Laclos apo atë të artit të tij.

Personalisht unë nuk shoh aty as skandalin e dominimit, as një ode libertine. Lindur në një dhomë të veçantë, ngjarja na çon diku tjetër, një tjetër vend që na lejon të kuptojmë kompleksitetin e qenieve njerëzore dhe të botës, dhe nuk na intereson nëse personazhet nuk janë të mirë! Ata na edukojnë të jetojmë, sepse duke lexuar nuk i shohim me sytë e gjyqtarit, ne i mbajmë larg nga pasioni ynë i trishtuar, pikërisht gjykimi para kuptimit, dhe vetëm Zoti e di se sa shumë na pëlqen të gjykojmë më fort dhe të kuptojmë më pak.

Për këtë shërben romani, për të shmangur goditjet e pyetjeve torturuese të ekzistencës. Ne kemi nevojë për dritën e tij, duhet ta përmbajmë tendencën tonë për të gjykuar, nëse duam të konceptojmë përgjigje për pyetjet e ndërlikuara që na shtron jeta. Në dhomën e veçuar, ndryshe nga ajo që bëjmë në jetën reale, nuk e pyesim veten se kush ka të drejtë dhe kush gabon, por rritemi.

*Muriel Barbery është shkrimtare dhe studiuese e filozofisë, e njohur në mbarë botën për romanin e saj “Eleganca e iriqit” që është botuar edhe në shqip. Ky artikull u përkthye në shqip nga Erjon Uka.